Arte

Magjia e akuarelit nga Kina në Tiranë, Helidon Haliti hap ekspozitën me teknikën e harruar

“Home and abroad” është një projekt që ka bërë bashkë dy artistë, piktorin Helidon Haliti dhe mjeshtrin kinez, Li Xiaocheng në ekspozita me dy itinerare të ndryshme, në gjininë e akuarelit. Fillimisht në Kinë e tashmë në Tiranë. Në mjediset e Muzeut Kombëtar u çel ekspozita me punimet në akuarel të dy mjeshtrave të penelit ku dashamirësit e artit do të kenë mundësi të njihen nga afër me peizazhet e Lindjes së largët si dhe të bëhen pjesë interaktive edhe e demonstrimeve që artistët do të realizojnë.

Helidon Haliti, i cili ëhstë njëkohësisht edhe President i Shoqatës Ndërkombëtare të Akuarelistëve për Shqipërinë (IWS Albania) e cilësoi të veçantë këtë ekspozitë ku ekspozohen punime të ndryshme me akuarel plot dritë.

“Ekspozita ështe një ndarje e 40 punëve nga Shqipëria që unë kisha bërë 3-4 vitet e fundit dhe dekani i Akademisë Chanto, 40 punë nga jeta. Ndjeva pika të përbashkëta padiskutim, pavarësisht se Kina është kaq e madhe”, tha Haliti. Kina një treg i lakmuar për artin dhe njëkohësisht vendi ku mjeshtëria e akuarelit kuptohet shumë lart, duket se përveç një nostalgjie joshet shumë nga akuarelet plot dritë që vijnë nga peneli i Helidon Halitit.

Mjeshtri kinez i cili është njëkohësish edhe dekan i Akademisë Chanto, Xiaocheng Li, vlerësoi punimet e realizuara me mjeshtëri nga piktori shqiptar Haliti, ndërsa shtoi se bashkëpunimi të tilla i shërbejnë shkëmbimit të kulturave mes dy vendeve. “Jam shumë i lumtur që mu dha rasti të vizitoj Shqipërinë, me një pamje të mrekullueshme. Jam mjaft i lumtur që arrita të hap një ekspozitë në Shqipëri. Një muaj më parë, në Kinë hapëm një ekspozitë të tillë ku nëpërmjet pikturave të Halitit arritëm të shohim këtë pamje të mrekullueshme të Shqipërisë. Shumë nga pjesëmarrësit vlerësuan teknikën e përdorur nga Haliti dhe pati një vlerësim mjaft të lartë për punimet e tij. Duke marrë shkas nga mënyra se si paraqiti Haliti punimet e tij në Shqipëri, në Kinë edhe unë solla pjesë nga kultura tradicionale kineze dhe nga sfondi kinez. Nëpërmjet kësaj ju jepet mundësia të njihni diçka nga realiteti kinez dhe është një këmbim i kulturave të dy vendeve”, tha Xiaocheng Li.

Historiani dhe publicisti i njohur, Moikom Zeqo, u shpreh se në gjithë botën ekspozitat e akuarelit janë të befasishme duke përcjellë tek publiku një fuqi të madhe shprese dhe origjinaliteti. “Teoria është gjithnjë konvencionale, nuk ka asnjë teori shteruese të artit. Mendoj që sipas thënies së Aristotelit, arti duhet të jetë një pasqyrim. Nga kjo ka lindur edhe miti i narcizit dhe kështu krijohej ideja e portretit, ose e peisazhit që duhej të shikohej në një pasqyrim. Akuareli i ka kapërcyer kufijtë dhe sidomos të Japonisë, Kinës, vendeve që si të thuash sollën një frymëzim për impresionizmin evropian, pikturën evropiane, moderne. Ka bërë që të ketë një fuqi të madhe shprese sepse është e paimitueshme, e patjetërsueshme. Helidoni ka një krijimtari në ngjyrat e vajit, sidomos ku ka një ngritje metaforike të hiperbolizuar, shtesë të figurave, që lidhet me realitetin shqiptar”, tha Zeqo.

Të pranishëm në çeljen e ekspozitës ishin dhe dy nënkryetarët e Bashkisë së Tiranës, Abaz Hado dhe Andi Seferi. “E veçanta e artit kinez është që e kanë pasuruar artin e tyre, por pa e banalizuar. Dallohet edhe në ato pak penelata të akuarelit që hedh piktori kinez, e ndjen këtë gjë sepse e ka të qartësuar në atë që ai do të tregojë dhe të komunikojë me publikun, me veten e tij. Akuareli është një art poetik, është si poezia që fjalët i ka sinteza dhe pikërisht këtu e ka edhe bukurinë. Helidoni arriti të na jepte edhe një dimension tjetër të një artisti, tashmë me përmasa që në Shqipëri janë të lavdëruara, nga të paktit që sot po kalon me sukses të gjitha provat në bienalet botërore, apo Europës”, u shpreh Hado.

Ndërsa nënkryetari Seferi falenderoi piktorin Helidon Haliti për promovimin e vlerave më të mira të artit dhe të bukurisë së Shqipërisë kudo në botë. “Helidoni ka një karakteristikë që gjërat e bukura nuk do t’i mbajë. Nisem nga fakti që ka qenë organizator i shumë tureve me artistë nga e gjithë bota, pikërisht për të bërë promovimin e bukurive të vendit tonë, Tiranës e qyteteve të tjera. Helidoni nuk do që ajo bukuri të rrijë e izoluar atje, por do ta pasqyrojë edhe për ne e miqtë e tij. Jam shumë i bindur që nuk është thjesht pjesa artistike që ai hedh përmes akuarelit, por mbi të gjitha është pasioni e dashuria që ai ka për peisazhet, njerëzit”, theksoi Seferi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button