Malli i Pirro Manit
Regjisori rikthehet në ambientet e Teatrit Kombëtar pas disa viteve mungesë, në një bashkëbisedim me miq dhe ish-kolegë/ Jeta në SHBA me vështrimin në Shqipërinë e largët
Teatri ishte gjithçka në jetën e Pirro Manit. Një dashuri që nuk do të largohet kurrë prej tij, pavarësisht sa kohë nuk endet në ambientet e tij. I veshur sportiv, me një bluzë të verdhë me vija, ai hyri dje në oborrin e Teatrit Kombëtar, për të vizituar edhe një herë ato ambiente ku jetoi më shumë se dy dekada. Mall, emocione e shoqëruan këtë takim me ish-kolegë, apo njerëz të lidhur të teatrin. Të gjithë ishin aty për ta parë e për të biseduar me një mik që u kishte munguar, një regjisor që bëri historinë e Teatrit shqiptar. Ai u end në hapësirat e atij teatri të vogël, por që ka qenë zemra dhe kuraja e shumë intelektualëve apo njerëzve të thjeshtë në Shqipërinë e dikurshme. Shfaqje si “Nata e 12″, “Cuca e maleve”, “Arturo Ui”, “Prometeu”, kanë ngelur ende në kujtesën e publikut të asaj periudhe, si vepra që pavarësisht kornizave të kohës, kishin një ajër tjetër brenda që i bënin të besonin në një të ardhme më të mirë. Pikërisht në këtë frymë teatri besoi Pirro Mani, në atë teatër që i flet njeriut dhe ndërgjegjëson shoqërinë dhe në kushte të një sistemi totalitar. Ai e la teatrin pas viteve ’90, atëherë kur ndryshimi i sistemit solli dhe një kaos social e kulturor. Iku, por vështrimin e mbajti gjithnjë pas, tek ajo jetë e mbetur në çdo cep të kësaj godine. Asgjë nuk do të ishte më e shtrenjtë gjatë kohës që është në SHBA, se një kafe në kafenetë e vogla bri teatrit, me miq.
“Mosha dhe ca probleme të tjera shëndetësore duket sikur nuk ma kanë zbehur të shprehurin, elokuencën, megjithatë nuk jam mbyllur ndonjëherë në këto gjëra, kam ngelur i lirshëm”, tha regjisori, duke dashur të shpjegojë se përballjen me vitet ka mundur ta fitojë, duke parë gjithnjë më larg. Vitet e fundit, ai i është kushtuar shkrimit të dramaturgjisë. Janë një sërë dramash që ai i ka në dorëshkrim, ndërsa disa prej tyre kanë mundur të ngjiten në skenën e teatrit. Ai nuk e ka mohuar mallin që e pushton shpesh në SHBA, ku ndan jetën bashkë me të shoqen, aktoren e njohur Pavlina Mani. “Bashkë me Pavlinën kemi shumë mall, na merr malli, na mungoni, na mungojnë shokët. Ne kemi mallin, ndërsa ju keni njëri-tjetrin. Kam mall për çdo aktor, për çdo punëtor skene, për elektricistin…Edhe në Korçë kur shkova ndjeva të njëjtën gjë.. mall për njerëzit me të cilët kam punuar”, tha regjisori. Emocionet e kanë shoqëruar gjatë këtij rrëfimi të sinqertë, emocione që sipas tij e pushtuan sapo hyri në holl dhe e pa të ndriçuar e zbukuruar. “Emocionet më bëjnë të largohem pak, pasi të luash në teatër do të thotë të kesh karakter”, tha ai. 15 vitet larg Shqipërisë nuk e kanë bërë të humbë kontaktet me atë çfarë ndodh në skenën artistike në vend. “Gëzohem shumë kur mësoj për shfaqjet që vihen këtu në skenë, nga djem të rinj, apo kur interpreton Robert Ndrenika. Duhen përgëzuar dhe vëniet në skenë të Mihal Luharasit”, tha ai. Duke u kthyer pas në kohë, regjisori e vuri theksin në rëndësinë e tekstit, si në rastin e veprës “Romeo dhe Zhulieta”, ku ruhej poezia shekspiriane. “Aktorët kur bënin ndonjë mizanskenë duhet të ishin të përfshirë, kishte Shekspir brenda veprës, regjisori nuk ia kishte hequr shpirtin e poezisë Shekspirit”, tha Mani. Duke folur për veprat moderne që sot ngjiten në skenë, ai e vuri theksin te rëndësia e të parit të modernes mbështetur me këmbë në tokë, e jo në hava. “Ndonjëherë kujtojmë se jemi modernë dhe i shtrembërojmë gjërat”, tha ai. Teksa i thonë se është legjenda e teatrit shqiptar, ai ia atribuon suksesin emrave të mëdhenj me të cilët ka punuar. “Ndër ta ka qenë dhe Pandi Stillu, që ishte pedagogu i teatrit. “Karnavalet e Korçës” i ka vendosur në skenë pikërisht ai. Një tjetër regjisor i shkëlqyer ka qenë dhe Sokrat Mio, vëllai i Mios së madh. Edhe ai ishte piktor, por piktor i skenës”, tha Mani. Ai u shpreh i lumtur që pak kohë më parë vepra e tij, “Perëndesha e bukurisë”, ishte ngjitur në skenën e Teatrit të Korçës nga regjisori Spiro Duni. “Është një vepër që e kam shkruar vite më parë. Kam shkruar shumë, pasi atje ku jam kam kohë boll. Kam një kopsht dhe shkruaj shumë. Spiro Duni e ngjiti në skenë këtë vepër. Ishte një shfaqje 1-orëshe, ndërsa ajo është gati 2 orë a më shumë. Ka bërë një etyd regjisorial që nuk e besoja që do ishte aq bukur, me një grup aktorësh të mrekullueshëm”, tha Mani. Ndërsa për sa i përket dramës “Njeriu Hibrid” që do të vihet në skenë po nga regjisori Duni, bashkëpunëtor dhe ish-student i Manit, regjisori tha se e kishte shkruar 15 vite më parë. “Është një komedi që i flet kohës së sotme. Ka humor. Është afër ‘Portokallisë’…”, tha ai.
Pirro Mani konsiderohet si një prej emrave më të rëndësishëm të artit dramatik në vend. Dhe pse ka provuar të jetë dhe aktor, regjia mbeti pasioni i tij më i madh që e identifikoi për nervin elegant me të cilin e shihte një vepër artistike. Mani i përket asaj plejade artistësh shqiptarë që studiuan në Moskë, në Institutin Shtetëror të Artit Teatror Gitis. Karrierën si regjisor e nisi në Teatrin e qytetit të tij të lindjes Korçë, ku punoi rreth 8 vjet. Në Teatrin Kombëtar ai erdhi për herë të parë në vitin 1967, ku spikati menjëherë për talentin dhe forcën me të cilën e shihte teatrin. Rreth 80 vepra artistike mbajnë firmën e tij regjisoriale. Si pedagog ai ka dhënë kontribut në daljen e një sërë brezash artistësh që bëjnë sot teatër. Ndër veprat e tij mund të përmendim “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Epoka para gjyqit”, “Cuca e maleve”, etj. Pirro Mani mban titullin “Artist i Popullit”. Kinemaja ka qenë një tjetër stacion në jetën e tij. Ai ka interpretuar si aktor në filmin “I teti në bronz” rolin e Sali Protopapës, apo “Vitet e para”. Roli i tij i fundit ka qenë në filmin “Barbarët” me regji të Liri Begesë.