Politika

Malltezi: Funksionarë të lartë dëmtuan PD-në më 25 qershor

PD është përfshirë në proces-analizë dhe konsultë të gjerë me të gjitha strukturat e saj pas humbjes së zgjedhjeve të 25 qershorit.

Jamarbër Malltezi, anëtar i kryesisë dhe Këshillit Kombëtar të PD-së, është pjesë e grupeve të punës të shpërndara në terren dhe ndjek nga afër procesin në Tiranë. Malltezi thotë për “Gazeta Shqiptare” se situata në bazë është e vështirë, por sipas tij, demokratët po shihen në sy dhe po i thonë përballë të vërtetat. Z.Mallte-zi apelon për kundërpërgjigje ndaj ‘pushta-shtetit’, siç e quan ai, ndërkohë që vëren me shqetësim se një ndër pesë arsyet e humbjes së zgjedh-jeve ishte edhe mosangazhimi i funksionarëve të PD-së në fushatën e 25 qershorit. Jamarbër Malltezi flet për situatën kritike në vend, për shkak të lidhjeve të krimit me pushtetit, teksa shprehet se “pjesë e reflektimit është dhe besimi për luftën që kemi përballë me krimin e organizuar”.

z.Malltezi, PD-ja është përfshirë nga analiza e humbjes së zgjedhjeve, ndaj duke qenë se edhe ju jeni pjesë e grupit të punës në Tiranë, si e konsideroni situatën e brendshme në PD?

Partia Demokratike është përfshirë në një proces analize dhe konsultimesh me të gjithë anëtarësinë. Themelorja është që të shihemi në sy me njëri-tjetrin dhe të shohim përpara, pasi vendi ballafaqohet me një situatë absurde, mungesë shprese. Në pushtet nuk janë socialistët e thjeshtë, por krimi i organizuar, që cakton se kush do ketë monopolet e drogës, kur dhe kush do të fikë radarët e ushtrisë, kush do ketë monopolin e tenderave në shëndetësi, infrastrukturë, deri edhe kush do ketë monopolin e prerjeve të pyjeve, etj. Përballë kësaj situate, roli i opozitës është shumë vendimtar për të ringjallur shpresën në të ardhmen e vendit. Ndaj, pas udhëzimit të z.Basha, shumë anëtarë të Këshillit Kombëtar janë thirrur për të bërë analizë në bazë. Kjo nuk ka të bëjë me marrëdhënien mes individëve, por shikimin e njëri-tjetrit në sy, se përballë kemi një kundërshtar që përdor krimin e organizuar për të qëndruar në pushtet. Ne jemi në proces analize, në çdo qendër votimi na del se kudo kemi pasur blerje votash, natyrisht nuk është faktori i vetëm që të jemi të sinqertë, është një ndër pesë faktorët kryesorë. Blerja e votës i bën zgjedhje allashqiptarçe… Te blerja na dalin dy fenomene, partitë në pushtet kanë blerë me paratë e tyre votën, por edhe fushata zgjedhore është përdorur si fushatë vjedhjeje votash. Qeveria ka shkuar deri aty sa u ka thënë të varfërve “votoni për PS dhe s’do paguani faturë dritash për pesë muaj”. Kjo është vjedhje shteti nga ‘pushta-shteti’.

Ju po ndiqni në terren ecurinë procesit të analizës dhe konsultimeve, por si po ecën ky proces?

Është shumë e rëndësishme që filloi si proces. Rezultati ishte zhgënjyes dhe çdo demokrat ka të drejtë të shfryjë dhe të na thotë të vërtetat në sy. Duhet të bëjmë maksimumin që secili të ketë mundësi të thotë lirshëm mendimet e veta, të ballafaqojmë pikëpamjet, të gjejmë gabimet e ndodhura, me qëllim për t’i shmangur në të ardhmen. Deri tani jam i kënaqur që të gjitha takimet kanë qenë të hapura, të sinqerta dhe me ndjenjë përgjegjshmërie. Do të shohim në vijim rezultatet.

Cilat janë shkaqet e rezultatit të dobët të PD-së?

Ka një mori faktorësh, pesë më të rëndësishmit duket se janë 1.blerja e votave, 2.kërcënimi i vendit të punës, 3.humbja e besimit, 4. gabimet në fushatën e opozitës dhe 5 emigracioni. E kam thënë edhe më parë, një ndër pesë problemet kryesore të humbjes së zgjedhjeve është se fushata e PD nuk ishte aty ku duhet të ishte. Përballë një kundërshtari që nuk mbajti asnjë premtim, fushata duhet të ishte shumë më shumë agresive. Rama s’ka mbajtur asnjë premtim, ai qeveris me krimin. Ne këto ia themi vetëm në konferenca për shtyp, gjë që nuk është e mjaftueshme. Unë jam për protesta të përditshme dhe me kontakt të përditshëm me elektoratin.

A janë kudo faktorët sipas kësaj renditjeje që ju përmendini?

Jo detyrimisht. Është e vështirë të përcaktohen në mënyrë sasiore faktorët e mësipërm, por qartazi ka një kombinim të tyre. Për shembull, në zonat e varfra blerja e votave me para droge del si shkaku kryesor i deformimit të zgjedhjeve. Në zonat e pasura të Tiranës më tepër dalin në pah problemet e brendshme të Partisë Demokratike, sidomos besimi apo puna sistematike në bazë dhe më pak emigrimi dhe punësimet pakmujore veç për të blerë vota.

Sa ndikoi lista e kandidatëve për deputetë?

Mundet të jetë ndër faktorët që ndikoi në mungesën e besimit. Kjo, lidhur me mungesën e kritereve të qarta dhe mosangazhimit të ish-funksionarëve të Partisë Demokratike. Gjithsesi, në bazë më shumë ndikoi paqartësia me marrvëshjen Rama-Basha, që krijoi përshtypjen e bashkëqeverisjes dhe duke mos u sqaruar si duhet, shumë demokratë refuzuan të votonin për këtë bashkëqeverisje.

A ishte e dobët opozita në përballjen me PS-në e Edi Ramës?

Përballë një kundërshtari si Edi Rama, që nuk kishte mbajtur asnjë nga 41 premtimet pompoze të 2013-ës, fushata duhej të kishte qenë shumë më agresive dhe jo veç pak javë. Do duhej t’ua kujtonim shqiptarëve që Rama nuk po mban asnjë premtim, pasi po qeverisë me krimin dhe paratë publike nuk shkojnë për të rritur mirëqenien e qytetarëve, por shkojnë veç në xhepat e disa oligarkëve me të cilët ai ndan paratë.

A ka një “gjallërim” të bazës së partisë pas fakteve të njëpasnjëshme, që implikojnë qeverinë me krimin, si rasti i përgjimeve e ardhura nga Italia lidhur me “Habilajt”?

Padyshim që u provuan tezat e opozitës për kanabizimin e vendit, për vendosjen e shtetit në shërbim të bandave të krimit të organizuar dhe konfirmuan pse 60% e shqiptarëve duan të ikin nga ky vend, që Zoti e ka bekuar. Këto bëjnë që qytetarët të trishtohen nga kjo qeverisje dhe ka më shumë frymë opozitare. Detyra jonë është të reflektojmë brenda vetes dhe të përballemi me të keqen që na sundon vendin. Pjesë e reflektimit është edhe rritja e besimit tek njeri-tjetri për rikthimin e shpresës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button