Manastiri i Cepos, kujtesa historike e Labërisë, në cep të Malit të Gjerë
Manastiri i Cepos, në fshatin Plesat (Gjirokastër) është Monument Kulture i Kategoria I.
Cepoja dhe Manastiri i Cepos ndodhen në cep të Malit të Gjerë, poshtë një prerje shkëmbore, tërthore (disa dhjetëra metrash) të pjesës veriore të saj, prandaj dhe vendi quhet “Cepo”.
Përreth Manastirit ka lëndina të bukura, disa hektarësh, të mbuluara me bar. Ka mbi 10 burime uji të cilat kurorëzohen nga një pyll i madh gështenjash dhe drurësh të tjerë (disa qindra hektarë).
Vendi është një pikë dominante mbi luginën e lumit Drino dhe atë të lumit Belica, duke pasur një vështrim horizontal mbi 270 gradë.
Manastiri është quajtur vend i kuvendeve dhe i kujtesës historike të Labërisë për besimin e hershëm kristian. Në shkëmbin e Cepos janë akoma dhe sot mure të vendbanimeve parakristiane që banoheshin nga murgjërit asketë.
Manastiri është rindërtuar dhe zgjeruar në vitin 1812, datë e cila është e shënuar në kambanën e tij. Kishte disa haure për bagëti dhe ndërtesa për shërbimet e tjera, Kishën dhe banesën e Igumenit dhe shërbyesve të tjerë. Të gjitha këto të rrethuara nga një mur guri i lartë, me një portë druri shumë të madhe dhe anash saj dy pezule për të shaluar kuajt. Manastiri është përcaktuar si monument historik e kulturor dhe ruhet nga shteti, por sot ruhen vetëm kisha dhe ndërtesa e Igumenit të rindërtuara para disa vitesh.
Manastiri i Cepos, gjatë shekullit XIX, ka qenë mjaft i pasur ekonomikisht dhe shumë i frekuentuar si nga të krishterët dhe nga myslimanët (bektashinj) banorë të zonës. Aty bujtnin udhëtarë dhe luftëtarë të çetave, bëheshin panaire të mëdha dhe festa ku vinin nga krahinat e Labërisë, Delvinës, Përmetit e Janinës. Nga kompleksi i ish-manastirit historik, kanë mbetur sot vetëm dy objekte, kisha e tipit bazilikë me kupolë dhe një nga dhjetëra konakët e dikurshëm, që, sipas vendasve, prisnin dhe përcillnin udhëtarët që qëndronin për të pushuar në Manastir.
Konaku i Manastirit është dykatësh me gurë të zinj dhe të bardhë. Kati përdhe në pjesën ballore është realizuar me harqe guri. Në katin e dytë manastiri është i ndarë nga dy ambiente dhe në fasadë ka dritare në të tre faqet. Çatia e kishës është njëujëse e mbuluar me tjegull të kuqe. Përbëhet nga naosi, narteksi dhe hajati.
Naosi është një bazilikë trinefshe mbuluar me një sistem qemeresh cilindrike. Absida është e vogël dhe e ulët, kështu që nuk ndikojnë ndjeshëm në rritjen e hapësirës së brendshme. Naosi ndriçohet nga dritare të vogla, të hapura në muret e absidave.
Muratura e manastirit është me gurë gëlqerorë dhe gurë të zinj të lidhur me llaç e gëlqere. Muratura e kishës është ndërtuar me gurë shtresorë, me radhitje të rregullt dhe përfundon me një kornizë të realizuar me gurë të vendosur në formë dhëmbësh sharrë ndërsa harqet e saj janë të punuar me gurë të gdhendur, plani i të cilëve është më i thelluar nga ai i muraturës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.