Mankthi i logos së PD- së

E djathta shqiptare ngjan sot me një ritual mistik, atë ku njerëzit e saj sillen pa pushim rreth një godine gjysëm të braktisur por ende të shenjtë dhe shpresë plotë. Nuk hyjnë dot se disa që janë brenda nuk i lejojnë por as nuk largohen dot prej saj pasi aty brenda e shohin shpresën dhe në këto kushte thjesht rrotullohen rreth saj. Si në një version politik të mitit të Sisifi, vetëm se guri i shpresës nuk shtyhet lart në majë të godinës së PD- së por qarkullon rreth e rrotull saj. Kjo godinë qoftë për ata që janë brenda qoftë për ata që janë jashtë saj në bindjen e tyre ka marrë statusin e vakëfit. Ata që janë jashtë kanë bindjen se pa të nuk ka të ardhme politike, ndërsa ata që janë brenda çdo ditë e më shumë besojnë se ndryshimi i godet ata të parit dhe u heq të drejtën të shijojnë frytet e të qenit në atë godinë.
Makthi i logos së PD është bërë kështu forma më e pastër e varësisë politike. Të përjashtuarit nuk kërkojnë të ndërtojnë diçka tjetër, por të rikthehen nën të njëjtën stemë që i përjashtoi. Nuk kërkojnë përfaqësim, por rikthim. Ama ju thonë na lini brenda tiu reformojmë. Një lloj mankthi se vetëm aty mund të ekzistosh politikisht. Si të ishte një fe pa alternativë, ku herezia më e madhe është të mendosh një parti jashtë saj.
Ndërkohë, ata që janë brenda godinës me të drejtë i thonë vetes pse të reformohemi kur mungesa e alternativës jashtë PD të garanton mbijetesën? Pse të ikësh prej saj ku të gjthë e shohin prespektivën politike duke qenë brenda saj?
Kjo besytni tragjiko-komike është forma më e pastër e krizës së përfaqësimit të së djathtës sot, jo vetëm shkëputje nga elektorati, por bindja se elektorati nuk ka ku të shkojë tjetër përvec se te PD. Pra një parti që nuk përfaqëson më, por që mbijeton sepse askush nuk guxon të ofroj një alternativë ndryshe për të djathën e papërfaqësuar.
Ndërkohë, jo pak sondazhe tregojnë se jashtë këtij rrethi, ekziston një masë shumë më e madhe njerëzish të gatshëm të votojnë një forcë të re, që nuk i ngjan me establishmentin politik dhe larg qoftë me partivë të reja. Por kjo shumicë potenciale mbetet në letra sepse askush nuk del ta përkthejë në strukturë, në organizim, në alternativë. Të gjithë presin që ndryshimi të vijë nga brenda asaj që nuk ndryshon pra nga godina e PD.Pra kemi një skenë që do ta kishte zili edhe Franz Kafka, njerëz që presin përpara një dere që nuk hapet, të bindur se pas saj fshihet e ardhmja. Ata nuk trokasin por thjesht presin. Dhe pritja është bërë vetë politika e tyre.
Ndërkohë, e ardhmja mund të ishte ndërtuar diku tjetër, në një hapësirë të re, pa këtë derë dhe pa këtë pritje. Por makthi i logos është më i fortë se çdo projekt, ajo i mban në orbitë, si një gravitet i padukshëm që nuk të lejon të dalësh nga rrethi, edhe kur rrethi nuk të çon askund.Në vend që sot të kishim një garë të vërtetë për lidership në një të djathtë të re me ide që përplasen, figura që sfidojnë njëra-tjetrën dhe një elektorat që mobilizohet, kemi një spektakël tjetër njerëz që rrinë me sytë nga e njëjta derë, duke pritur ndonjë “mrekulli” nga brenda. Jo për të ndryshuar diçka, por për t’u thirrur brenda. Jo për të ndërtuar, por për t’u pranuar. Si në një ritual të përhershëm shprese pasive, ku ambicia politike reduktohet në një ftesë që nuk vjen kurrë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.