MaqedoniaRajoni

Maqedoni : Vdekja e Mlladenovit, bomba e 30-të

Lideri i LSDM-së Zoran Zaev ka zbardhur sot biseda telefonike që ngrisin shumë pikëpyetje rreth vdekjes së gazetarit Nikolla Mlladenov. Zaev theksoi se nga bisedat telefonike rrjedhin 10 arsye të forta për hetim të ri për zbardhjen e vdekjes së Mlladenovit.

“Në konferencën për shtyp ku morën Gordana Geshkovska, Marko Zvërlevski, Gordana Jankulloska dhe përfaqësues të tjerë të MPB-së, të mbajtur në fillim të korrikut të vitit 2013, përkrah arsyes për vdekjen, lëndim nga këputja e aortës, u thanë 6 çështje kyçe: se eliminohet goditja me një veturë tjetër, se nuk kanë mundur ta vërtetojnë ku ka qenë Mlladenovi para ngjarjes tragjike, se nuk është gjetur telefoni i Mlladenovit, se në vendngjarje nuk janë gjetur llogari fiskale, se trupi i Mlladenovit është gjetur 7 metra larg veturës dhe se arsyeja për aksidentin ka qenë shpejtësia jo korrekte e veturës në kushtet e rrugës. Nga dëshmitë dhe bisedat që do ti publikojmë sot do të bëhet e qartë se asnjë nga këto 6 gjëra nuk janë të sakta”, deklaroi Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Nga bisedat e përgjuara dhe komunikimi me porosi mes funksionarëve qeveritarë, sipas Zaevit zbulohet se në aksidentin e veturës së Mlladenovit ka marrë pjesë edhe një tjetër veturë, gjurmët e së cilës kanë ngelur në veturën e Mlladenovit. Këtë, sipas Zaevit, e thotë edhe ministrja Jankullovska në një porosi dërguar kryeministrit Gruevski.

Porosi e Jankulloskës për Gruevskin-
“Sot në ora 14 vjen hetuesi në MPB, që tia shpjegojmë raportin e krim teknikës. Ka një çështje të pakëndshme, në veturë ka pak ngjyrë nga një veturë tjetër. Për bela, ky është rasti i parë për gjykatësin hetues dhe njerëzit tanë thonë se nuk gjindet më së miri”

Prania e ngjyrës nga një veturë tjetër vërtetohet edhe nga proces verbali i hetuesisë të cilin gjithashtu e publikoi Zaevi. Në të thuhet gjithashtu se janë gjetur edhe 3 llogari fiskale, të cilat nuk janë përmendur në versionin zyrtar të organeve kompetente. Proces verbali tregon gjithashtu se trupi i pajetë i Mlladenovit është gjetur 33 metra larg veturës, jo 7 metra siç njoftonin policia dhe prokuroria. Në teshat e të ndjerit nuk ka pasur gjurmë xhami, ndërsa në xhamin e veturës nuk është gjetur gjak, që gjithashtu bie ndesh me versionin zyrtar, sipas të cilit Mlladenovi kishte fluturuar nga vetura përmes xhamit të parë. Bisedat telefonike mes ministres së brendshme Gordana Jankullovska dhe zëdhënësit të MPB-së Ivo Kotevskit konfirmojnë gjithashtu praninë e ngjyrës nga një veturë tjetër, por edhe disa momente të tjera kundërthënëse. Një prej tyre është celulari i Mlladenovit, i cili sot e kësaj dite nuk është gjetur, edhe pse vendndodhja e tij është lokalizuar pikërisht përmes sinjalit të celularit. Kotevski dhe Jankullovska pranojnë edhe gjetjen e llogarive fiskale, që gjithashtu nuk janë përmendur në versionin zyrtar të policisë. Indikacion tjetër është fakti se ditën e vdekjes së Mlladenovit nuk kanë punuar kamerat e sigurisë në asnjë pikë pagesore në trajektoren e lëvizjes së gazetarit.

Në një tjetër bisedë, Jankulloska dhe Kotevski me humor të zi tallen për vdekjen e Mlladenovit dhe sugjerojnë tituj të gazetave me të cilat do të akuzonin gazetarë të tjerë për vdekjen e Mlladenovit.

Ministrja e Brendshme Gordana Jankulloska në një bisedë pas vdekjes së Mlladenovi, i zbulon shefit të kabinetit të kryeministrit Gruevski Martin Protugjer se takimi i fundit i Mlladenovit ka qenë me kryetarin e Komunës së Karposhit Stevçe Jakimovski. Megjithatë, Zaevi theksoi se edhe pse Jakimovski ka thënë se e ka takuar Mlladenovin, ai takim nuk ka ndodhur asnjëherë, por ka qenë arsyetim i gazetarit për dalje nga shtëpia herën e fundit.

“Stevçe Jakimovski i ka thënë gruas së Mlladenovit se e ka takuar i fundit, në ora 10:30, më datë 26, por ka gënjyer. Ka gënjyer për ta mbrojtur Mlladenovin, duke besuar se me shumë mundësi Stevçe ka qenë arsyetim për daljen e tij nga shtëpia. Ai nuk ka qenë personi që e ka takuar i fundit Mlladenovi. Kjo është e vërteta dhe të vërtetën duhet ta dinë të gjithë se Stevçe është solidarizuar si burrë ndaj një burri tjetër, ka thënë se po, ka qenë me mua, dhe ajo prej këtu e di se janë takuar. Në dalje nga shtëpia, Nikolla ka thënë se po shkon të takohet me Jakimovskin, por ai takim nuk ka ndodhur”, deklaroi Zaev.

Zaev tha gjithashtu se Nikolla Mlladenov ka qenë një ndër personat më të përgjuar nga pushteti. Mbi 10 mijë biseda të tij janë përgjuar dhe janë ruajtur. Ai tha se bisedat e tij të fundit kanë qenë me menaxhmentin e javores Fokus, por në to nuk ka asnjë indikacion që do të qartësonte rastin e Mlladenovit

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button