Maqedonia shpërndau mijëra nënshtetësi për shtetasit shqiptarë
Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë gjatë dekadës së fundit ka shpërndarë qindra nënshtetësi për qytetarë të Shqipërisë, të cilët si parakusht janë deklaruar se janë me origjinë maqedonase.
Banorët shqiptarë të zonave të Pogradecit, Gollobërdës, por edhe ato nga Korça dhe Tirana janë pajisur në mënyrë të organizuar me shtetësi të Maqedonisë.
Një pjesë e madhe e poseduesve të nënshtetësive maqedonase deklarohen dhe dëshmojnë se janë me origjinë maqedonase, ndërsa një pjesë e madhe janë vetëdeklaruar me origjinë maqedonase, vetëm për të përfituar pasaportën.
Një nga poseduesit e nënshtetësisë që punon dhe jeton në Maqedoni ka folur për herë të parë për agjencinë e lajmeve INA lidhur me rrjetin e organizuar që pajisë shqiptarët e Shqipërisë me shtetësi maqedonase.
“Unë posedoj nënshtetësinë e Maqedonisë nga viti 2002 dhe atë kam arritur që ta marrë vetëm pse jam deklaruar se jam maqedonas me origjinë. Në fakt unë jam shqiptar i pastër, por hallet më detyruan që të ndërmarrë një veprim të tillë, sepse na ofrohej shkollim, strehim dhe punë në Maqedoni me garanci nga shteti”, thekson protagonisti i cili për shkaqe sigurie nuk dëshiron të zbulojë identitetin e tij.
Të gjithë shtetasit shqiptarë që kanë përfituar nënshtetësinë e Maqedonisë si parakusht kryesor kanë ndryshuar mbiemrat, duke i shndërruar ato në mbiemra maqedonas me prapashtesat ski, ndërsa ata me emrat dhe mbiemrat mysliman janë detyruar për ndryshimin e plotë të të dhënave, të diktuara nga strukturat e shërbimit informativ maqedonas.
Pjesa më e madhe e atyre që janë të deklaruar si maqedonas të pastër janë të punësuar edhe në institucione shtetërore, në sektorin civil, por edhe në media.
Ata tashmë janë përshtatur me trendet e jetesës dhe kryesisht janë të përqendruar në Shkup.
Dy vjet më parë gazeta Shekulli pas një investigimi të bërë njoftoi se mbi 1550 pasaporta dhe shtetësi ishin shpërndarë për banorët e zonave pranë kufirit si Prespa, Pogradeci, Liqenasi, më pas Korça dhe Tirana.
Nga fundi i vitit të kaluar theksohet jozyrtarisht se janë shpërndarë qindra pasaporta maqedonase për banorët e zonave kufitare me Maqedoninë, pas heqjes së vizave, mirëpo edhe në prag të regjistrimit të popullsisë që do të mbahet vitin e ardhshëm edhe në Shqipëri.