Margetiç me akuza për lidhje të Vuçiqit me Zvonko Veselinoviqin dhe miniera ilegale në rajon
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po vazhdon bashkëpunimin me biznesmenin kontrovers Zvonko Veselinoviq, pavarësisht se ai ndodhet nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po vazhdon bashkëpunimin me biznesmenin kontrovers Zvonko Veselinoviq, pavarësisht se ai ndodhet nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gazetari investigativ nga Kroacia, Domagoj Margetiç, ka hedhur akuza të rënda për përfshirje të dyshuar të rrjeteve të lidhura me pushtetin serb në miniera ilegale të qymyrit në Bosnje dhe Hercegovinë.
Veselinoviq njihet për lidhjet e tij të afërta me Milan Radoiçiqin, i akuzuar si organizatori kryesor i sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Sipas raportimeve, autoritetet serbe po i injorojnë sanksionet amerikane dhe po vazhdojnë bashkëpunimin financiar me figura të kontestuara, gjë që po rrit shqetësimet për implikime politike dhe të sigurisë në rajon.
Zvonko Veselinoviq u fut në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të SHBA-së më 8 dhjetor 2021, së bashku me Milan Radoiqiqin dhe persona të tjerë serbë nga Kosova, në kuadër të masave të bazuara në Aktin Global Magnitsky.
Në komunikatën e Thesarit amerikan, të cituar nga REL, Veselinoviq u identifikua si udhëheqës i një grupi të krimit të organizuar dhe si një nga figurat më famëkeqe të korrupsionit në Kosovë.
Sipas REL, SHBA ka thënë se grupi i tij ishte i përfshirë në skema të mëdha ryshfeti me zyrtarë të sigurisë kosovarë dhe serbë, të cilët, sipas pretendimeve amerikane, lehtësonin trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas Departamentit të Thesarit, vëllezërit Veselinoviq akuzohen edhe për marrëveshje me politikanë për favore të ndërsjella, përfshirë financim të kandidatëve dhe mbështetje për fitoren në zgjedhje, ndërsa në këmbim – sipas SHBA-së – do të merrnin kontratat më të mira të infrastrukturës, informacione për pronësi dhe kontroll mbi fusha të caktuara të biznesit.
Me futjen në listën e sanksioneve, pasuria e personave të sanksionuar bllokohet dhe qytetarëve amerikanë u ndalohet bashkëpunimi me ta.
Në listën e sanksioneve, janë përfshirë edhe kompani të lidhura me Veselinoviqin, përfshirë kompaninë ndërtimore “Inkop/INCOP” nga Çuprija, si dhe biznese të tjera.
Akuza të reja: Miniera ilegale të qymyrit në Bukova Kosa
Ndërkohë, gazetari Margetiç ka hedhur akuza se presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka lidhje me miniera ilegale të qymyrit në Bukova Kosa, pranë Prijedorit në Bosnje dhe Hercegovinë.
Sipas Margetiçit, këto miniera të dyshuara kontrollohen nga Zvonko Veselinoviq, për të cilin ai pretendon se ka lidhje me struktura të afërta me Vuçiqin.
Margetiç ka deklaruar se ka filmuar një makineri të kompanisë “Inkop” në lokacionin ku pretendohet se po zhvillohen aktivitete ilegale minerare, duke shtuar se këto veprime, sipas tij, shërbejnë edhe për pastrim dhe përvetësim të fondeve publike nga Serbia përmes operacioneve në Bosnje dhe Hercegovinë.
Ai u ka bërë thirrje institucioneve ndërkombëtare, përfshirë Bashkimin Evropian dhe Ambasadën e SHBA-së në Bosnje dhe Hercegovinë, që të reagojnë lidhur me këto pretendime, raporton TheGeopost.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.