Mariela Berisha kërkon mëshirë në gjykatë: Kam një fëmijë…
Gjykata ka liruar Mariela Berishën, duke caktuar ndaj saj masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, ndërsa ka lënë të pandryshuar masën “detyrim për paraqitje” për motrën e saj, Antonela Berisha.
Dy motrat Berisha u vetëdorëzuan në ambientet e Policisë dy ditë më parë ndërkohë ngjarja e rëndë ndodhi në fund të muajit Gusht në një restorant te “Kodra e Diellit”.
Dy motrat u afruan te tavolina ku ndodhej 24-vjeçarja Klea Prenga dhe njëra prej tyre i gjuajti me gotë qelqi në fytyrë. Shkak i sulmit fizik dyshohet një lidhje paralele e blogeres me partnerin e Mariela Berishës.
Ndërkohë janë zbardhur edhe dëshmitë në Gjykatë:
Mariela Berisha: Kërkoj falje për çfarë kam bërë. Nuk e kam dëshiruar, dhe nuk e kam kërkuar apo planifikuar një situatë të tillë dhe aq më pak një pasojë të tillë. Kam mbi një vit që po kaloj një moment dhe një situatë të vështirë psikologjike. Jam në një bashkëjetesë, dhe kam një fëmijë 2 vjeç, i cili ka nevojë për mua dhe për praninë dhe kujdesin tim. Kërkoj mëshirë.
Avokatja e Marielës: Një masë sigurimi më të butë se ajo që ka kërkuar prokurori, pasi ajo është pa asnjë precedent penal, nuk ka asnjë arsye dhe asnjë shkak për të përsëritur veprime të njëjta apo të ngjashme, shprehet thellësisht e penduar, e pranon faktin penal, është e gatshme të normalizojë marrëdhëniet me viktimën, i kërkon publikisht falje asaj, si dhe gjykatës, njëkohësisht është e gatshme ta ndihmojë financiarisht për të përballuar shpenzimet e nevojshme për rehabilitimin e plotë dhe përfundimtar të dëmtimeve fizike që ka pësuar viktima. Së fundi, por tepër e rëndësishme, ajo është nën e një fëmije të mitur 2 vjeç. Aktualisht është i vetmi person që mundet të kujdeset për të, dhe prania e nënës për një fëmi në këtë moshë është e domosdoshme.