Mario Biondi vjen në Tiranë, një mbrëmje e veçantë soul & jazz me hitet ndërkombëtare në skenën e Teatrit…
Një mbrëmje e veçantë muzikore po vjen në Tiranë. Këngëtari i njohur Mario Biondi, me timbrin e tij të thellë dhe performancën e njohur ndërkombëtarisht, do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Koncerti do të zhvillohet mbrëmjen e 1 qershorit si një nga aktivitetet e Javës Kulturore Italiane në vendin tonë, ku publiku do të përjetojë hite ndërkombëtare. I njohur ndërkombëtarisht për hitin ikonik “This Is What You Are”, bashkëpunimet me legjenda të muzikës botërore dhe koncertet në teatrot e festivalet më të rëndësishme europiane, Mario Biondi ka krijuar një identitet artistik të pakrahasueshëm, ku soul-i & jazz-i ndërthuren në mënyrë perfekte. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit shprehet për një nga netët e veçanta të këtij sezoni artistik për publikun. “Mario Biondi vjen në Tiranë.
Artisti që ka magjepsur publikun në skenat më prestigjioze të botës me timbrin e tij të thellë dhe elegancën unike soul & jazz, do të ngjitet më 1 qershor në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit për një mbrëmje, që premton emocione të rralla dhe atmosferë magjike. Mos e humbisni një nga netët më të veçanta të këtij sezoni artistik”, thuhet në njoftimin nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit, ku koncerti që realizohet në kuadër të Javës Italiane në vendin tonë është dhe me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturës. Mario Biondi ka nisur të fitojë famë në Itali dhe më gjerë, që nga fillimi i viteve 2000. Albumet e tij, si Handful of Soul, janë shumë të njohura dhe kanë arritur sukses ndërkombëtar.
Java Kulturore Italiane me aktivitete
Në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit, nga 31 maji deri më 6 qershor do të zhvillohen aktivitetet e Javës Kulturore Italiane. Programi i kësaj jave parashikon 15 evente të artit pamor, muzikës, modës, teatrit dhe kinemasë, të cilat do të zhvillohen në të gjithë vendin: Tiranë, Vlorë, Gjirokastër, Berat, Butrint. Aktivitetet do të mbyllen më 6 qershor në Amfiteatrin e Butrintit me shfaqjen teatrore “Vizita”, një bashkëprodhim mes Teatrit të Sardenjës dhe Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, me regji të Davide Iodice. Shfaqja teatrore “Vizita” më parë ka vijuar dhe turin në skenat italiane. Me regji të italianit Davide Iodice, muzikë Lino Cannavacciolo, tekst të Fabio Pisano (shqipëruar nga Zija Vukaj) u vlerësua me tre çmime si “Shfaqja më e mirë”, “Muzika më e mirë” dhe “Skenografia më e mirë” edhe në festivalin teatror “Moisiu”, që u mbajt në Tiranë në muajin nëntor të vitit 2023. Në Festivalin e Teatrit MESS, Sarajevë shfaqja u vlerësua me çmimin e kritikës dhe medias “Oslobodenje ”.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.