Marrëveshjet Hidrokarbure, Albpetrol në vend të naftës do të marrë para
Udhëzimi thotë se, pasi bien dakord për sa më sipër, palët hartojnë një marrëveshje për rregullat dhe procedurat e marrjes, në para, të vlerës koresponduese të sasisë së prodhimit të gjykuar dhe të pjesës së “Albpetrol”, sh.a. Në këtë rast, palët zbatojnë dispozitat e vendimit nr. 947, datë 29.12.2014 të Këshillit të Ministrave, marrëveshjeve hidrokarbure dhe të këtij udhëzimi.
Konvertimi në para i sasisë së prodhimit të gjykuar dhe pjesës së prodhimit të “Albpetrol” sh.a, bëhet mbi bazën e çmimit referues. Çmimi referues do të përllogaritet mbi bazën e çmimit mesatar të ponderuar të naftës bruto, të shitur nga kontraktori, gjatë muajit kalendarik përkatës, gjatë të cilit kontraktorit i lind detyrimi ndaj “Albpetrol” sh.a. për shlyerjen, në para, të prodhimit të gjykuar dhe të pjesës së “Albpetrol”, sh.a. dhe në varësi të vendit të lëvrimit të sasisë së naftës që shitet nga kontraktori, si më poshtë vijon:
Në rastin kur shitja e sasisë së naftës bruto realizohet në pikën e lëvrimit brenda zonës së kontratës, çmimi referues do të jetë i njëjtë me çmimin e shitjes së naftës bruto nga vetë kontraktori.
Në rastin kur shitja e sasisë ë naftës bruto realizohet brenda vendit dhe në një pikë tjetër, të ndryshme nga pika e lëvrimit në zonën e kontratës, çmimit referues i zbriten kostot e transportit, nëse ka të tilla, për transferimin e naftës bruto nga pika e lëvrimit brenda zonës së kontratës deri tek pika tjetër ku realizohet shitja përkatëse.
Në rastin kur sasia e naftës bruto shitet në eksport (shitje FOB), çmimi referues do të llogaritet mbi bazën e çmimit të shitjes FOB, të cilit duhet t’i zbriten:
kostot e transportit nëse ka të tilla, për transferimin e naftës bruto nga pika e lëvrimit brenda zonës së kontratës, deri në pikën e eksportit (FOB), tarifat e depozitimit, duke përfshirë edhe kostot e mundshme të sigurimit. Palët duhet t’i provojnë, dokumentojnë dhe argumentojnë çdo shpenzim të kryer sipas kësaj pike në përputhje me marrëveshjet hidrokarbure
Kontraktorët duhet të vendosin në dispozicion të “Albpetrol” sh.a., të gjithë dokumentacionin provues në lidhje me kostot e zbritshme të pretenduara, të zbatueshme sipas rastit. 3. Në çdo rast, renta paguhet nga kontraktori. Për prodhimin e gjykuar renta paguhet nga kontraktori për llogari të “Albpetrol” sh.a. Për pjesën e prodhimit të “Albpetrol” sh.a., renta paguhet nga kontraktori si detyrim i tij.
Vlera korresponduese, në para, e sasisë së prodhimit të gjykuar dhe të pjesës së prodhimit të “Albpetrol” sh.a., për secilin kontraktor, do të faturohet nga “Albpetrol” sh.a., brenda 5 ditëve të para të muajit kalendarik, sipas sasive korresponduese të muajit kalendarik paraardhës.
Llogaritja e faturave dhe pagesat do të kryhen në dollarë amerikanë ose në kundërvlerën përkatëse në lekë, sipas kursit të këmbimit të Bankës së Shqipërisë në datën e lëshimit të faturës së shitjes nga “Albpetrol” sh.a.
Pagesat nga kontraktorët duhet të kryhen sipas faturave të shitjes së “Albpetrol” sh.a., në llogaritë bankare të përcaktuara nga “Albpetrol” sh.a. Pagesa e vlerës korresponduese, në para, të sasisë së pjesës së “Albpetrol” sh.a.-së dhe prodhimit të gjykuar, kryhet brenda 10 ditëve nga data e lëshimit të faturës nga “Albpetrol” sh.a. Procedurat përcaktohen në marrëveshjen që do të lidhet midis palëve sipas pikës 2, të kreut i, të këtij udhëzimi.
Kontraktorët do t’i faturojnë “Albpetrol” sh.a., nëse ka, vlerën e kostove të transportit apo kostove të tjera sipas germës “b” dhe/ose “c” të pikës 2 të kreut iI të këtij udhëzimi. Në këto fatura do të përfshihet TVSH-ja.
Për sasitë e prodhimit të gjykuar dhe pjesës së “Albpetrol”, sh.a., që do të merren në kundërvlerën e tyre në para, taksa e rentës minerare që zbatohet ndaj shitjes së sasive të prodhimit të gjykuar dhe pjesës së “Albpetrol”, sh.a.-së, do të paguhet nga kontraktorët në përputhje me ligjin për taksat kombëtare.
Në faturën e lëshuar nga “Albpetrol” sh.a. sipas pikës 1 të këtij kreu, nga vlera totale me TVSh e faturës zbritet vetëm vlera e rentës minerare korresponduese e paguar nga kontraktori për sasinë e prodhimit të gjykuar, si detyrim i “Albpetrol” sh.a.
Kontraktori ka detyrimin të dokumentojë vlerën e rentës së paguar për sasinë e prodhimit të gjykuar, vlerë e cila do të zbritet në faturë. 8. Procedurat e marrjes në para të vlerës korresponduese të sasisë së prodhimit të gjykuar dhe të pjesës së “Albpetrol”, sh.a.-së, do të realizohen sipas shembullit të paraqitur ne aneksin 1 të këtij udhëzimi.
Kur çmimi referues i muajit kalendarik përkatës rezulton më i vogël se çmimi i shitjes sipas kontratës së fundit të ankandit të zhvilluar nga “Albpetrol” sh.a., atëherë procedura e marrjes, në para, të vlerës korresponduese të sasisë së prodhimit të gjykuar dhe pjesës së “Albpetrol” sh.a.-së, do të pezullohet dhe detyrimi do të merret në naftë bruto në natyrë.
Procedura e marrjes, në para, të vlerës korresponduese të sasisë së prodhimit të gjykuar dhe pjesës së “Albpetrol” sh.a., do të rifillojë në momentin që çmimi referues për muajin kalendarik do të rezultojë i barabartë ose më i madh se çmimi i shitjes sipas kontratës së ankandit të fundit.