Kronika

Mbërrijnë 60 mijë doza vaksine të Sinovac/ Manastirliu: Garantohen dozat e dyta për qytetarët. Nesër vijnë edhe 14,040 doza nga Pfizer

Në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” sapo kanë mbërritur edhe 60 mijë doza të vaksinës Sinovac.

Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama i cili thekson se, “të hënën presim sërish doza të tjera të vaksinës Pfizer, për të vazhduar pa u ndalur me planin tonë të vaksinimit masiv, për një sezon turistik, përtej pandemisë”.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu dhe Ministri i Shtetit për Rindërtim Arben Ahmetaj kanë pritur mbërritjen e vaksinave nga Aeroportin “Nënë Tereza”, ku deklaruan se janë garantuar plotësisht dozat e dyta për qytetarët.

“60 mijë dozat që mbërritën sot, janë pjesë e kontratës së dytë që qeveria shqiptare ka negociuar me distributorin e autorizuar të vaksinës Coronavac të Sinovac. 60 mijë doza, të cilat do të përdoren për qytetarët që kanë marrë dozën e parë dhe duhet të vijojnë edhe vaksinimin me dozën e dytë. Tashmë në Shqipëri janë mbi 830 mijë doza në total që kanë mbërritur”, deklaroi Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë bëri me dije se të hënën vijnë sërish mbi 14 mijë vaksina Pfizer dhe përsëri vaksina AstraZeneca në fund të majit, duke vijuar me kalendarin e vaksinimit.

“E kemi vendosur të arrijmë 1 milion vaksinime brenda muajit qershor. Duke filluar nga dita e nesërme serish vijnë vaksina, janë 14,040 vaksina që vijnë nga kontrata jonë me Pfizer dhe nga kontrata e lidhur me Bashkimin Europian. Brenda muajit maj dhe fillim qershori, presim gjithashtu të vijnë edhe 40 mijë vaksina të AstraZeneca nga instrumenti COVAX dhe do të kemi serish sipas kalendarit të ardhjes së vaksinave, lloje të vaksinave që qeveria shqiptare ka kontaktuar dhe do të vijojmë me intensifikimin e vaksinimit”, tha Manastirliu.

Duke folur për planin e vaksinimit, Ministrja  e Shëndetësisë tha se me ardhjen e vaksinave, do të ulet fasha dhe do të zgjerohen kategoritë, duke filluar nga vaksinimi për punonjësit e transportit publik.

“Dhe duke filluar me ardhjen e vaksinave, pjesë e kontratës së qeverisë shqiptare me distributorin e Sinovac, 500 mijë vaksina, do të vijojmë edhe rritjen e grupeve të riskut, duke përfshire edhe punonjësit e transportit publik, të cilët janë pjesë e planit tonë të vaksinimit, ndërsa do të vijojmë edhe me uljen e fashës”, tha Manastirliu.

Ndërsa Ministri Arben Ahmetaj, u shpreh se ky është një premtim i mbajtur i qeverisë shqiptare pas datës 25 Prill dhe ka të bëjë me atë që mendon kjo qeveria për qytetarët e vet, për kujdesin në vazhdim.

Ahmetaj: Kemi planifikuar fondet për vaksinim edhe në buxhetin afatmesëm

Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj tha se sot është momenti i duhur për reflektim për t’u kthyer mbrapa në betejën tonë me COVID-19.

“Mund të themi kujdesshëm se e kemi fituar, por këmbëngulja e kujdesi duhet të vijojë“, u shpreh ai.

Plani i vaksinimit, vuri në dukje ministri është totalisht i furnizuar falë këmbënguljes së kryeministrit dhe qeverisë për të kontraktuar direkt dhe për të bërë të mundur atë që sot quhet normalitet, ku nuk mungon asnjë vaksinë, ku qytetarët janë duke u vaksinuar me shpejtësi edhe përtej planifikimit.

“Është premtim i mbajtur e nuk ka patur të bëjë me zgjedhjet, por me atë që një qeveri ka parim themelor që është kujdesi i vazhdueshëm për qytetarët e vet”, tha Ahmetaj.

Ministri bëri të ditur se fondet për vaksinim janë planifikuar edhe në periudhën afatmesme.
“Kemi planifikuar në buxhetin afatmesëm mjetet e plota financiare për të mos lënë asnjë qytetarë pa vaksinuar, ndihmë dhe kujdes”, tha ai.

Deri tani në Shqipëri kanë mbërritur mbi 833,010 doza vaksine antikovid. Janë kryer 712,446 doza të vaksinës ndaj COVID-19. Prej tyre, 240,709 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button