Politika

Mbledhja e dy qeverive, sot nënshkruhen 7 marrëveshje mes Shqipërisë e Kosovës

Qeveritë e Kosovës dhe të Shqipërisë po zhvillojnë mbledhjen e tyre të tretë të përbashkët, diçka që tashmë duket se po shndërrohet në një zakon të përvitshëm.

Mbledhja u parapri nga ceremonitë zyrtare, mes të cilave  dëgjimi i himneve të dy vendeve.

Takimi i dy kabineteve po zhvillohet në Bibliotekën Kombëtare të Prishtinës, e cila këtë herë është përshtatur për të pritur kryeministrat Edi Rama dhe Isa Mustafa si dhe anëtarët e tjerë të dy qeverive.

Në hapje të takimit, kryeministri i Kosovës Mustafa tha se ky bashkëpunim ndërqeveritar i vlen shumë të dyja vendeve, pasi çon përpara proceset integruese, rruga e përbashkët e Kosovës dhe e Shqipërisë.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama deklaroi se “në vitin 2014, në Prizren, nisëm një rrugëtim që ka krijuar një hapësirë të re dhe të jashtëzakonshme bashkëpunimi”.

“Nga një hendek ndarës, kemi krijuar një urë bashkëpunimi që forcohet dita-ditës. Lindi ideja e krijimit të hapësirës së përbashkët energjitike. Do të vëmë në punë linjën e interkonjeksionit që lidh autostradën energjitike Shqipëri-Kosovë dhe kemi krijuar treg të përbashkët bujqësor”, tha ndër të tjera Rama.

Veç diskutimeve që kanë nisur për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, qeveria shqiptare dhe ajo e Kosovës pritet të firmosin 7 marrëveshje të reja në fusha të ndryshme.

Pas përfundimit të mbledhjes së përbashkët dhe firmosjes së marrëveshjeve, kryeministrat Edi Rama dhe Isa Mustafa do të zhvillojnë një konferencë të përbashkët për shtyp dhe do t’i përgjigjen pyetjeve të gazetarëve.

Në axhendë, parashikohen dy pyetje nga mediat kosovare dhe dy nga ato shqiptare.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button