Mbledhja e tretë Kosovë-Shqipëri, pritet nënshkrimi i 10 marrëveshjeve
Kosova dhe Shqipëria pritet të nënshkruajnë nga 8 deri në 10 marrëveshje, në mbledhjen e tretë mes dy qeverive që do të mbahet më 3 qershor në Prishtinë. Pala kosovare është në përfundim të një agjende zyrtare, ndërkohë që ka nisur përgatitjet teknike në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, ku edhe do të mbahet mbledhja.
“Janë disa marrveshje, të cilat po e lehtësojnë çdo ditë komunikimin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë. Edhe mbledhja e tretë do të jetë e fokusuar në fushën e ekonomisë, ambientit, administratës publike, në fushën e bashkëpunimit si në aspektin e sigurisë edhe drejtësisë”, tha Sokol Havolli, këshilltar i kryeministrit të Kosovës.
Përveç marrëveshjeve që pritet të nënshkruhen mes dy vendeve, sipas ambasadorit të Shqiperisë në Kosovë do të diskutohet edhe lidhur me Portin e Durrësit, me qëllim lehtësimin e procedurave doganore, duke i mundësuar Kosovës të ketë një port pavarësisht se nuk ka dalje në det.
“Objekt diskutimi do të jetë edhe Porti i Durrësit. Po shikohet mundësia për të pasur një doganë në portin e Durrësit, kryesisht nga Kosova, por edhe nga Shqipëria, pasi me ndihmën e dy doganave së bashku mund të mos ketë kontrolle as në Morinë, as në Vërmicë, e kështu shkurtohet cikli i përpunimit të mallrave”, tha Qemal Minxhozi, ambasador i Shqipërisë në Kosovë.
Mbledhja do të mbahet në një salle të rrumbullakët brenda Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, ndërkohë që në këtë hapësirë ende po punohet dhe nuk dihet se cila do të jetë pamja e saj përfundimtare.