Mbreti Faruk, personifikimi i thënies: “koleksionimi – hobi i mbretërve”
Nga Bajram Peçi*
“Koleksionimi është hobi i mbretërve”, si shprehje duket të jetë përdorur shumë kohë përpara se mbreti Faruk i Egjiptit t’i kushtohej këtij pasioni. Shembuj të tjerë monarkësh të spikatur kishin shkëlqyer në të shkuarën. Mbretëresha Elizabeta II, sovrania për të cilën thuhet se është zotëruese e koleksionit më të kushtueshëm të pullave postare, shumicën e trashëgoi nga prindërit dhe gjyshërit e saj mbretërorë, ku më së shumti shquan Xhorxhi V; mbreti Karol i Rumanisë dhe Car Nikolla II i Rusisë ishin filatelistë të njohur; me koleksionin e dhuruar të monedhave të numizmatit dhe ish-Perandorit të Italisë, Viktor Emanueli III, është ngritur në Romë në Palazzo Massimo alle Terme muzeu i monedhave; diktatori i Spanjës, gjeneralisimi Franko, ishte gjithashtu një filatelist i pasionuar. Emra të tjerë të shquar njihen si protagonistë të mëdhenj në numizmatikë ose filateli, nga ku veçohen Petrarka, Papa Piu VIII, Enriko Karuzo, kont Papadopuli, markezi Huan Antonio Samaranç, e plot të tjerë. Në mes tyre shkëlqen mbreti Faruk I i Egjiptit, si një ndër më të veçantët për rrallësitë që koleksionoi dhe vlerat sasiore që zotëronte. Shijet e tij për kërkimin e gjërave të rralla dhe të pazakonshme ishin shkaku për krijimin e një prej koleksioneve më të famshme të të gjitha kohërave. Ende sot vazhdojnë komentet, kërkimet e botimet.
Pak fjalë mbi dinastinë e famshme shqiptare
Në datën 24 korrik të vitit 1952, të nesërmen e rrëzimit nga froni të mbretit Faruk, gazetat kryesore europiano-perëndimore dilnin në faqen e parë me tituj që njoftonin grushtin e shtetit të ushtarakëve të udhëhequr nga Gamal Abdel Nasser dhe fundin e “sundimit 150-vjeçar të dinastisë shqiptare” në Egjipt. Nga koha e largët e vitit 1811, kur Mehmet Ali kish shkatërruar përfundimisht regjimin e prapambetur feudal të mamlukve, Egjipti ishte shndërruar në një zotërim të kalorësve dhe ushtarëve me origjinë shqiptare, të udhëhequr për një shekull e gjysmë nga bijtë pasardhës në linjë mashkullore të Mehmet Ali pashës. Ata, njëri pas tjetrit, Ibrahimi, Ismaili, Muhamed Tefik, Abazi dhe Fuadi I, sunduan si sovranë dhe shkëlqyen në aftësitë e tyre e orientuan Egjiptin drejt kulturës perëndimore dhe e kthyen këtë koloni të Perandorisë Otomane në fuqinë e vërtetë e të vetme të Lindjes së Mesme. Egjipti, Misiri për shqiptarët, ishte diaspora më e fuqishme. Ajo u shndërrua në strehën e sigurt të punës së rilindësve për pavarësi, ku vepronin disa shoqëri dhe botoheshin gazetat “Besa”, “Toska”, “Sëpata” dhe “Shkrepëtima”. Elementi shqiptar, myslimanë dhe të krishterë, gëzonte privilegje të veçanta.
Mbretit Fuad I, ati i Farukut, ish-mëtonjësi më serioz i fronit mbretëror të Shqipërisë më 1913-n, gojëdhënat i rrëfejnë se, kur një fallxhore i tha që fati i tij do të ishte nën përcaktimin e germës “F”, të pesë fëmijëve ai u vuri emrat me nistoren “F”: Faruk, Fawzia, Faiza, Faika dhe Fathia. Emrat e dy prej pinjollëve, Faruku dhe Fawzia, do të ngeleshin në histori të famshëm jo vetëm si mbretër (Fawzia, ish-gruaja e Mohamed Reza Pahlavit, mbretëreshë e Persisë -Iranit), por edhe sepse njëri ishte koleksionisti më i madh i kohës dhe motra e tij me tipare mahnitëse, e shpallur nga Hollivudi si gruaja e kohës më e bukur në botë.
Mbreti Faruk, mes koleksionistit dhe mëkatarit
Farukut i erdhi pushteti absolut në moshën 16-vjeçare, kur, pas vdekjes së babait, Fuadit I, ai u thirr me urgjencë nga Akademia ushtarake britanike Woolwich, ku ish me studime. Nuk kish ndodhur kurrë në historinë e Egjiptit modern që një monark t’i drejtohej popullit. Këtë e bëri Faruku në momentin e kurorëzimit, kur iu drejtua kombit përmes radios: “… është vullneti i Perëndisë për të hedhur mbi supet e mia në një moshë të tillë të hershme përgjegjësinë e mbretërisë … Unë jam i përgatitur për të gjitha sakrificat në rrugën e detyrës time … Populli im fisnik, unë jam krenar për ju dhe besnikërinë tuaj dhe jam i bindur në të ardhmen … Le të punojmë së bashku. Ne do të kemi sukses dhe do të jemi të lumtur”, duke lënë pa mend si elitën ashtu dhe popullin që, nga ky moment, mbretin fëmijë filloi ta adhuronte.
Në moshë të re, ende pa vënë peshë trupore, i pashëm, me sy bojëqielli, me të ëmën që e kish me origjinë egjiptiane (ndryshe nga paraardhësit e tij që nënat i kishin me origjinë shqiptare), bëri që populli fillimisht ta donte. Me kalimin e viteve ai u shndërrua në një hamës legjendar, në feminist, lojtar i thekur bixhozi dhe koprrac, por të gjitha këto mëkate kapitale i fashiste me shkëlqimin në hobin e tij të koleksionimit, ku la një emër të pashlyeshëm në kulturën e trashëgimisë së vlerave filatelike e numizmatike.
Pas abdikimit dhe largimit nga Egjipti, për zakonet e tij u përgojua jo pak. Historira dhe anekdota qarkulluan për vite të tëra, ku spikaste më së tepërmi të qenët e tij kleptoman. Tregohej se i vodhi nga xhepi Winston Churchill-it orën dhe Shahut të vdekur të Persisë, kur arkivoli u ul transit në aeroportin e Kajros, u akuzua se i vodhi shpatën ceremoniale, rripin dhe medaljet nga uniforma e kufomës.
Mëkati i tij më i madh ishte pamëdyshje një telegram i vitit 1944, që i dërgohej Hitlerit në prag të ofensivës së Romelit. Në të i thuhej diktatorit se “pushtimi i Egjiptit nga trupat gjermane ishte i mirëpritur”. Ndonëse e mbajti gjatë Luftës II Botërore mbretërinë e tij në pozita asnjanëse, britanikët dhe amerikanët nuk ia falën këtë telegram. Ishte mbështetja e tyre për Gamal Abdel Nasser, ndonëse dihej se ishte prosovjetik, që e rrëzoi nga froni.
Çfarë koleksiononte mbreti Faruk?
Mbledhja dhe koleksionimi prej tij i monedhave, pa droje mund të cilësohet si më kryesori. Nga koha e mbretërimit kanë mbërritur disa foto ku ai, si koleksionist, shfaqet në tavolinën e punës së koleksionistit mes monedhave. Në fondin e koleksionit përfshiheshin rreth 8500 monedha ari dhe mijëra të tjera argjendi, të cilat mbreti Faruk i kish bërë shumicën si blerje në vitet ‘40, periudhë e cila vlerësohet si koha e artë, kur një dollar numizmatik ishte i barabartë me një paund egjiptian. Blerjet dhe koleksionimi i monedhave vazhdoi pa ndërprerje, deri në vitin 1952, kur përfundoi edhe sundimi i tij.
Më tej renditet për nga vlera koleksioni i pullave postare, ku përpos renditjes kronologjike të pullave të postës së Egjiptit, albumet e tij kishin dhe pulla të rralla të postave të tjera, mes të cilave përflitet si hamendësi se mund të ketë pasur dhe 25 e 50 piastrat e mbishtypjes “Shqipënia 1913”. Koleksioni gjigant i pullave përmbante rrallësi filatelike, si pulla dhe zarfa postarë të udhëtuar, që nisnin nga vitet ’40 të shekullit 19, të Anglisë, mbretërive italiane, të Greqisë, Perandorisë Otomane, Kineze etj. Bjorn Sohrne, sekretari i Shoqatës së Filatelistëve të Stokholmit, koleksionues dhe studiues i historisë së pullave postare të Persisë, më ka folur mua në vitin 2012 në Tiranë, mbi fondin e pasur që ka pasur mbreti Faruk nga pullat e Iranit. Më tej renditen objekte pafund të koleksionit të armëve, të orëve të xhepit, të murit e të dorës; të librave e botimeve të vjetra; të veprave të artit prej ari e argjendi; të medaljeve, përfshi dhe ato “Nobel” e “Olimpike”; të objekteve të artit të lashtë egjiptian. Koleksioni i pasur i objekteve me temë pornografinë, që iu gjet pas largimit, u bë shkak i qeshjeve dhe talljeve, për shkak se mbreti mbipeshë kish kohë që përgojohej për impotencë seksuale. Shishet antike ishin një tjetër pasion i tij. Në koleksion iu gjetën disa nga vezët perandorake ruse, shumë të rralla e të kërkuara. Të mos harrojmë të cilësojmë së fundmi dhe koleksionin e mbi 100 autoveturave.
Të rrallat e më të rrallave të koleksionit të mbretit
Janë dy emetime të Bankës Amerikane, që e shndërrojnë mbretin Faruk në numizmatin më legjendar të të gjitha kohërave.
“Double Eagle-1933”. Më e famshmja nga koleksioni i tij ishte monedha e vitit 1933, e quajtur “Shqiponjë dyshe”, cilësuar si nga më të rrallat. (Monedha e artë 20 dollarëshe quhej “me shqiponjë dyshe”, sepse “njëshe” quheshin 10 dollarëshet). Monedhat e arta me shqiponjë 20 dollarëshe, ishin në përdorim në SHBA që nga viti 1850, kohë kur ishte emetuar 20 dollarëshi i parë. Me stampën “1933” u stampuan 445500 copë të tilla. Nuk u hodhën asnjëherë në qarkullim, sepse me urdhrin e drejtpërdrejtë të Presidentit Franklin Rusvelt ato u shkrinë, si strategji për largimin e SHBA-së nga standardi i arit. Monedhat e arit nuk u përdorën pas kësaj më në territorin e federatës, sepse stabilizimi i ekonomisë amerikane pas Depresionit të Madh, e shtrëngoi qeverinë të hiqte metalin e çmuar nga përdorimi, si përpjekje për t’i dhënë fund krizës, çka u shoqërua dhe me një akt-urdhër dorëzimi të të gjitha monedhave të arta në zotërim nga popullata e gjerë dhe këmbimin e tyre me kartëmonedha.
Urdhri i asgjësimit të 20 dollarëshit-1933, ishte përmbushur në fund të vitit 1934 për tërë sasinë, me përjashtim të dy copave, që iu dhanë Muzeut Kombëtar të Historisë. Deri tani janë zbuluar në harkun kohor të 60 vjetëve kërkim prej shërbimit sekret amerikan, 8 copë dhe 10 të tjera të deklaruara nga poseduesit e të njëjtit burim: argjendari nga Filadelfia, Izrael Swift. Gjithsej 20 copë. Hetimi filloi në vitin 1944, kur ranë në gjurmë të vjedhjes vetëm pasi u zbulua se një tregtar nga Teksasi kish shitur jashtë vendit një “Double Eagle-1933”. Blerësi ishte mbreti Faruk dhe, për çudi, monedha shoqërohej me licencë dhe leje eksporti plotësisht e ligjshme. E gjitha kjo ka ndodhur veçse pak ditë para se të zbulohej ekzistenca e tyre. Ndonëse qeveria e SHBA-së u përpoq për kthimin e saj, me argumentin se shitja ishte antiligjore, nuk mundi dot, deri kur koleksioni i Farukut u sekuestrua. Ndërsa qeveria egjiptiane e pranoi në prag të ankandit kthimin e monedhës, befas ajo u zhduk në rrethana misterioze. U shfaq në vitin 1996, pas 42 vjetësh, në pronësi të tregtarit britanik Stefan Fenton, i cili u arrestua në hotelin Waldor-Astoria, kur përpiqej ta rishiste. Nën betim, ai rrëfeu blerjen ligjore, duke siguruar hetimin se bëhej fjalë për mostrën “Faruk”. Ai mbrojti për pesë vjet rresht pronën e tij në gjykatë, deri sa gjyqi vendosi që monedha të vihej nën pronësinë e shtetit amerikan, i cili detyrohej ta shiste në ankand dhe shuma e përftuar të ndahej përgjysmë mes shtetit dhe pronarit. Monedha u shit në ankandin e 30 korrikut të vitit 2002, së bashku me premion 15% të blerësit dhe çmimin prej 20 dollarësh të monedhës, për shumën 7 590 020 dollarë. Kjo kopje e vetme në zotërim privat është njëherësh dhe monedha më e shtrenjtë në historinë botërore të numizmatikës. Asaj, kinemaja amerikane i realizoi një dokumentar, të cilin e ka shfaqur edhe platforma Digital.
Dhe, ndërsa beson se këtu, me dokumentarin, mbyllet historia, disa muaj pas ankandit bota numizmatike do të shastisej nga lajmi se Joan Swit Jangbord, bija dhe trashëgimtarja e argjendarit Izrael Swit, i cili sapo ka ndërruar jetë, njofton te shërbimi sekret amerikan praninë në kasafortën e të atit në bankë të 10 copave shqiponjë dyshe-1933. Ndërsa ekspertët provojnë origjinalitetin e të dhjetë monedhave, Joan Jangbord provon se është në rregull me ligjin, por gjykata, më 29 gusht 2012, i jep të drejtë qeverisë amerikane për sekuestrimin dhe shkatërrimin e monedhave të arta 20 dollarëshe. Në apel, në prill 2015, gjykata urdhëron kthimin te familja Langbard të monedhave. Vendimi apelohet, monedhat arkivohen, ndërsa beteja ligjore vazhdon ende. Prej “Double Eagle” njihen tashmë 20 copë: 2 copë janë në muze; 1 copë, mostra “Faruk”, koleksion privat; 7 copë të shkatërruara në USA Mint dhe 10 copë të bllokuara në proces gjyqësor.
Po kush i vodhi monedhat? Hetimi zyrtar bën të dyshuar vetëm një person: George Mc. Cann, ish-punonjës i USA Mint, me qasje shërbimi në procedurën e likuidimit, i cili hamendësohet se ka bërë të mundur vjedhjen në procesin e asgjësimit të 20 copave monedha të arta, duke i shmangur ato nga listat e kontabilitetit dhe inventarit.
*Koleksionist, ish-President i Shoqatës së Filatelistëve dhe Numizmatëve të Shqipërisë