Mbreti që la fronin, për dashurinë
Historia e dashurië së tyre ka frymëzuar regjisorët për të realizuar filma dhe ka bërë që të shkruhen shumë libra. Një mbret që dorëzon fronin, sepse zemra e tij ishte dashuruar me një grua, që nuk mund të ishte mbretëreshë. Kjo është historia e Mbretit Eduardi i VIII dhe Wallis Simpson.
Eduardi i VIII ishte fëmija i madh i Mbretit anglez George i V-të dhe Mbretëreshës Mary. Në 1930, ndërkohë që ishte Princ i Uellsit, Eduardi njihet me një grua amerikane të quajtur Wallis Ëarfield Simpson. Martesa e saj e parë kishte përfunduar në divorc dhe, kur takoi Princin, ajo ishte e martuar me bashkëshortin e dytë, Ernest Simpson.
Princi, i cili ishte beqar dhe njihej si “playboy”, u dashurua marrëzisht me zonjën Simpson. Eduardi i VIII u bë Mbret pas vdekjes së të atit, në janar të vitit 1936. Ai ishte i vendosur për t’u martuar me zonjën Simpson, por nuk arriti të bindë familjen mbretërore dhe zyrtarët e qeverisë, për ta pranuar si mbretëreshë një grua të divorcuar.
Në këtë situatë, Mbreti zgjodhi atë që pak kujt ia merr mendja: dorëzoi fronin e Mbretërisë për dashurinë e jetës së tij. Më 10 dhjetor 1936 ai abdikoi zyrtarisht. Në një transmetim radiofonik, Mbreti shpjegoi vendimin e tij për publikun, duke thënë:
“Unë e kam të pamundur të bart barrën e rëndë të përgjegjësive dhe të kryej detyrat e mia si Mbret, ashtu siç unë do të doja, pa ndihmën dhe mbështetjen e gruas që dua”.
Vëllai i tij më i vogël e zëvendësoi atë dhe u quajt Mbreti George i VI dhe Eduardit i dha titullin “Duka i Uindsorit”. Ai u martua me Wallis më 3 qershor 1937, por ajo nuk u pranua kurrë nga familja mbretërore. Ata jetuan përgjithmonë jashtë vendit, kryesisht në Francë.
Mbreti Eduardi i VIII bëri diçka, që monarkët nuk e kanë luksin ta bëjnë, ai ra në dashuri. Për disa kjo ishte “historia e dashurisë e shekullit”, për disa të tjerë ishte një skandal, që rrezikoi të dobësojë Monarkinë. Në të vërtetë, historia e Mbretit Eduardi i VIII nuk është as njëra dhe as tjetra. Ajo është historia e një Princi, i cili dëshironte të ishte si të gjithë njerëzit e tjerë.