Mbreti Zog kur u largua nuk firmosi për 183 kg ar, në kohën e Hoxhës u zhdukën 552 kg ar
Raporti: Nuk ekzistojnë dokumente për floririn e nxjerrë nga miniera e Rubikut
NGA BLEDAR HOTI
Raporti i Kuvendit i nxjerrë nëpërmjet komisionit të posaçëm parlamentar “Për verifikimin e Thesarit të Shtetit nga 1938-1990”, thekson se mbreti Zog nuk ka firmosur për arin e marrë me strajca. Mendohet se ai ka marrë 183 kg ar, ku në këtë raport saktësohet se “mbreti e grabiti këtë sasi nga Arka e Shtetit”. Ndërkohë që për periudhën e regjimit komunist të Enver Hoxhës bëhet e ditur se nga sekuestrimet e arit të familjeve shqiptare janë zhdukur 500 kg ar. Një tjetër problem është se nuk ka dokumentacion mbi lëvizje të arit, pasi materiali në arkiv është ruajtur vetëm për 10 vjet. Ky është një skandal që ky komision parlamentar i përbërë nga të majtë e të djathtë e cilëson. Ndërsa shprehet shqetësimi se nuk ka një evidencë për arin e nxjerrë nga miniera e Rubikut. Gazeta Shqip po boton pjesën tjetër të raportit të firmosur nga të gjithë deputetët e komisionit që kryesohej nga demokrati Blerim Çela.
Raporti
“…Mbas pak minutave arritën në bankë një automobil i pallatit i shoqëruar nga dy ushtarë e një toger i Gardës i quejtun Selim Gjoçi, i cili me një sjellje të ngutur e prepotente ftoi të nënshkruemin (Kol Naraçi) dhe arkëtarin e përgjithshëm z. Ramadan Berberolli që ta shoqëronin deri tek mbreti Zog me të gjithë gjendjen e monedhave të arit që u nxuarr nga arka nën vrojtimin e togerit Selim Gjoçi e u fut në strajca në sasinë treguese më sipër (448.535 franga ari) e cila sipas thënies së ish-ministrit Kol Thaçi do të miresh në dorëzim me procesverbal të nënshkruar prej pjesëtarëve të këshillit ministror që ishte mbledhur në shtëpinë e z. Koço Kota ku gjetëm mbretin Zog midis ministrave Musa Juka, Ekrem Libohova, Faik Shatku, Rrok Gera, Abduraman Mati, Xhafer Ypi, Sotir Martini, Allaman Çupi, Ndoc Kurti, Jani Dallamenga, Milton Noçka etj; Z. Kol Thaçi mungonte. Në prani të tyre i lëshuem për anë ku kishte ndenjur mbreti Zog të 13 strajcat që mbajshin monedhat e arit në llojet e sasitë e treguese në konfirmacionet bashkëngjitur (në fakt konfirmimi nuk është bashkëngjitur këtij relacioni, shënim B.Çela). ndërsa mendohej e pritej që për marrjen e këtyre të hollave të hartoheshin procesverbalet e premtueme prej ish-ministrit Kol Thaçi asgjë nuk po bahej. Në shtëpi ndijoheshin vetëm telefonime, urdhna, nervozitet e qëndrime luftarake në një rrëmujë e tension të papërshkueshëm, rrethanë kjo në të cilën askujt s’ia mbante me i zënë në gojë formalitete të marrjes në dorëzim të monedhave të ish-sovranit që shifesh në agoni të regjimit të tij. U provue me i thanë ndo i fjalë z. Rrok Gera si më i afërt, por edhe ky s’mundte me folë. Ndërkohë, meqë aeroplanët po fluturonin përsipër, mbreti Zog me pjesëtarët e këshillit që kish për pranë shkoi te shpia e vëllait të vet Xhemalit, ngutësisht tue e marrë me vete dhe arin që ish ndër saketa në anë të tij. Në këtë rast, arkëtarit z. Ramadan Berberolli iu tha të shkonte përsëri në zyrë e shoqëruem prej togerit Selim Gjoçi për t’i dhënë edhe ç’ndodhej tjetër në arkë në monedha, në bankënota, ar ett, në dorëzim të mbretit Zog për ti çuer në shtëpinë e Xhelalit. Z. Ramadan Berberolli dorëzoi në shtëpinë e z. Xhelal Zogu 118.195 franga ari dhe qëndroi deri në orën 4 e gjysmë pas dreke në shtëpinë z. Xhelalit për me mujt me marrë ndonjë dëftesë nga mbreti Zog për të gjithë sasinë e monedhave që arrifshin deri në 566.975,5 franga ari. Vetëm pas numërimit e në ikje e sipër pas shumë përpjekjesh i u muar major Allaman Çupit adjutant favorit i mbretit Zog që u nënshkruante zakonisht për të një dëftesë (dorëmarrje) si kopje bashkëngjitur (por që në fakt nuk ndodhet, shënim B. Çela). Pra nga të gjithë sa u citua më lart mbreti Zog grabiti arkën e shtetit për 566.000 franga ar ose 28.300 napolona të përbërë nga 183 kg ar.
Kjo gjë vërtetohet edhe me situacionin e arkës të datës 10.4.1939 si vijon:
Saldo 31.3.1938 fr.ar 163.576,94
Hyrje 1.4.1938-31.3.1939 “ “ 28.672.366,40
Hyrje 1.4.1939-10.4.1939 “ “ 518.535,50
Shuma “ “ 29.354.478,84
Daljet 1.4.1938-31.2.1939 “ “ 23.363.202,46
Mbetjet franga ar 986.276,38
Tërheqje nga Zogu “ “ 566.925,46
Mbetja 419.350,88
Paga e shpenzime 145.170,60
Letra kontabile 248.810,80
Shpenzime të tjera 25.078
Saldo 197,40
Që rrëzon versionin e ish-oficerit madhor të mbretit Zog, Gjon Fusha që sipas fondit 2650 dosja nr. 2 e arkivit të shtetit të vitit 1939 thotë që sasitë e arit të grabitur nga arka e shtetit kanë qenë marrë si vijon:
1- Nga mbreti Zog 250.000 napolona flori
2- Abduraman Mati 60.000
3- Gjeneral Araniti 40.000
4- Musa Juka 40.000
Shuma 390.000
që në total bëjnë 2516 kg nga të cilat vetë mbreti Zog ka marrë 1.604 kg. Pra ky version nuk mund të qëndrojë, sepse siç e thamë më lart nuk përkon me situacionin e Bankës Kombëtare të datës 10.4.1939, d.m.th tri ditë pas grabitjes, dhe se 2516 kg në total ose 1604 kg vetëm për Mbretin Zog nuk mund të futeshin në 13 strajca që mbaheshin anash këmbëve të tij. Megjithatë, nga një relacion i Ministrisë së Financave mbështetur në dokumentacionin e doganave të Korçës të asaj periudhe dhe në përgjigje të autoriteteve doganore greke del që mbreti Zog të mos jetë kontrolluar nga dogana në momentin e largimit nga Shqipëria e për pasojë nuk disponoheshin të dhëna mbi sasitë e floririt të marra me vete, ndërsa Gjon Fusha thotë që janë kontrolluar nga autoritetet greke. Për mendimin tonë, sipas dokumenteve që disponojmë qëndron versioni i parë që mbreti Zog të ketë grabitur vetëm 183 kg ar. Ka zëra që thonë se Zogu nuk ka grabitur arkën e shtetit, pra floririn e popullit, por siç e argumentuam më sipër, ai duke rritur vlerën e arit kartëmonedhë nxiti nxjerrjen në qarkullim të arit metal, duke i sjellë dy të këqija Shqipërisë: 1. Një pjesë e diferencës së kursit të këmbimit prej 343.535 franga ar ose 3246 napolona ar baras me 209 kg i futi si të ardhura në llogarinë personale të oborrit të ashtuquajtur “Llogari relative e pafrytshme metal-ar në roje”, e cila ishte vënë që të ishte e përdorshme për buxhetin e shtetit shkoi padrejtësisht për llogari të mbretit Zog nga e cila u përdorën për martesën e tij 10.000 napolona flori, ndërsa pjesën tjetër e grabiti forcërisht siç e shpjeguam më lart e përveç kësaj përvetësoi edhe pjesën tjetër të arkës prej 118.195 franga ari, pra përveç 10.000 napolona ar, e barabartë me 64,5 kg ar e përdori për vete ai e mori edhe 163 kg të tjera kur u largua nga Shqipëria (163+64= 247 kg).
2. pjesa tjetër e diferencës së kursit të këmbimit që nuk dihet se sa kg është përfundoi në favor të bankës kombëtare që në atë periudhë kontrollohej nga Italia fashiste. Siç e shpjeguam më lart, më 31.12.1938, thesari shqiptar mbulonte kartëmonedhën në qarkullim prej 10.529.000 franga ari me 2443 kg ar që ishte depozituar në Napoli (Banka D’Italia). Nga situacioni i arkës së bankës kombëtare të datës 10.4.1939 rezulton se nga 1.4.1938-10.4.1939 hyrje në bankën kombëtare arritën në 29.354.478 franga ari kartëmonedhë që do të thotë një shtim i kartëmonedhës prej 18.825.470 franga, ose dyfish e gjysmë më shumë çka do të thotë që mbulesa në ar e kartëmonedhës në qarkullim të ulej nga 71% në vitet 1933-1938 bë 25.8% ose 2,5 herë më pak.
Ari që u mor nga Italia e Gjermania
Pas pushtimit fashist kartëmonedha shqiptare u zhvleftësua dhe 200% të tjera, sepse në të njëjtën sasi ari (2443 kg) mbuloheshin 53.000.000 franga ar ose 23.645.000 franga ari më shumë nga sa la mbreti Zog më 31.3.1939. Më lart thamë se në Itali ruheshin për llogari të bankës kombëtare shqiptare rezervat e arit të cilat në shtator të vitit 1943 arritën në shifrën prej 8.062.826,9 franga ari ose 2.459,2 kg ar aliazh, ose 2338,7 kg ar safi, i cili u mor nga nazistët gjermanë.
Tabela e arit të marrë nga gjermanët
- Kallëp ari 196 copë 2.211.kg ar aliazh 2.155,4 kg ar safi
- Thupra ari 7 copë 106, 9 kg ar aliazh 96,3 kg ar safi
- Copa ari 2 qese 2,8 kg ar aliazh 2,5 kg ar safi
- Monedha ari 22 qese 138,4 kg ar aliazh 124,5 kg ar safi
Kjo sasi ari është protokolluar më 6.4.1944 në prani të zotërinjve italianë përfaqësues të Bankës Kombëtare shqiptare, Lorenzo Musoni dhe dr. Sandro Bressani dhe të përfaqësuesve të bankës gjermane, z. Shmitt dhe z. Schwenn. Kjo sasi ari u fut në 55 arka, të cilat u fashuan në çelik dhe u depozituan në Reichsbank. (Arkiva e Shtetit, dosja 10, fq. 279 e ll fondi i vitit 1944). Për periudhën nga 30.12.1943 deri më 24.10.1944, sipas dosjes 329 viti 1944 rezulton se i janë shitur Bankës Kombëtare shqiptare nga ana e 272.555 copa napoloni e barabartë kjo me 1.756,4 kg ar. Nga kjo sasi i është shitur popullatës shqiptare 1.641,7 kg ar ose 254.463 napolona ari. Për sasinë e arit të marrë nga nazistët gjermanë prej 2338,7 kg ar safi, qeveria komuniste në notën e vitit 1947 ka kërkuar kthimin e tij e depozitimin në Zvicër. Nga komisioni trepalësh Britani, Francë dhe Amerikë më 16.2.1948 dhe 30.6.1948, pas incidentit të Korfuzit, vendit tonë i është akorduar 45% e shumës totale të arit të marrë nga Gjermania, ose 1.121,4 kg me kusht që të firmosej akti i renoncimit (heqja dorë nga kërkesa e plotë e arit për shkak të incidentit të Korfuzit). Qeveria e atëhershme nuk pranoi t’i marrë. Sipas fondit shtesë të Bankës së Shtetit shqiptar, në vitin 1945, dosja nr.60, “Relacion mbi dëmet e shkaktuara nga okupatori gjerman”, në sektorin e bankës rezulton se përveç 2459,2 kg ar të marrë nga nazistët gjermanë, të jenë marrë edhe 13.519 napolona ose 80,7 kg ar të tjera nga kapteri Ledern, kur ushtria po largohej nga Shqipëria më 28 nëntor 1944. Përveç sa më sipër jepen edhe disa shifra në miliona franga shqiptare të marra nga ushtria, por që për mendimin tonë nuk qëndrojnë, sepse janë shënuar për efekt të marrjes sa më shumë ar nga shteti gjerman si dëmshpërblim për shkak të dëmeve që iu shkaktuan Shqipërisë nga lufta. Këtë e mbështesim në faktin se nuk ka asnjë bilanc të arkës së bankës që ta vërtetojë këtë gjë. Pas çlirimit të vendit, më 29.XI.1944, sipas procesverbalit të firmuar nga Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli) dhe Abdyl Këllezi rezulton se në kasafortat e bankës ishin gjendje 90 kg ar.
Ari i sekuestruar nga regjimi komunist
Gjatë viteve 1945-1990 janë bërë sekuestrime ari, blerje ari nga popullata dhe prodhime nga Rubiku. Për sekuestrimet e viteve 1946-1952, e 1945-1948 siç e kemi thënë më parë nuk disponohen procesverbalet e sekuestrimeve respektivisht nga banka e shtetit dhe nga arkivi i ish-ministrisë së Punëve të Brendshme. Nga sekuestrimet dhe blerjet e viteve 1948-1980, duke përjashtuar stolitë rezultojnë 1.705 raste sekuestrime, 121 raste pa adresë dhe 164 raste blerje ari. Duke bërë krahasimet e të dhënave nga thesari, arkivi i shtetit dhe ai i Ministrisë së Punëve të Brendshme rezultojnë mospërputhje si vijon: arkivi i vitit 1946 deri në vitin 1980 jep të specifikuara 2.017 kg ar të konfiskuar, thesari jep 3029 kg ar konfiskime, ndërsa arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme jep 2509 kg ar. Kë duhet të besojmë? Ministria e Punëve të Brendshme thotë se ka sekuestruar nga 1946-1954 gjithsej 2384 kg ar të padokumentuar (me historik), të dokumentuar për vitet 1949-1956 janë 1878,4 kg ar. Në faqen 53 të historikut të armës së Policisë, vëllimi III thuhet se në vitin 1952, sasia e arit të zbuluar ishte 1.000 kg, në një kohë që në statistikën e mbulimit të arit sipas viteve, për vitin 1952 jepen vetëm 251,1 kg ar të sekuestruar. Lind pyetja pse janë këto diferenca në dokumentacionet e të njëjtit dikaster. Në përgjithësi dokumentacioni i depozituar në arshivën e shtetit nga Banka e Shtetit dhe Ministria e Financave nuk është i plotë, për periudhën 1945-1982, mungojnë librat e arkës që pasqyrojnë blerjen e arit të 6/m-I 1960, të viteve 1945-1955 e 1970, 1971, 1975 dhe 1977-1980. Për sa më sipër duhej mbajtur dokumentacion kontabël edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Procesverbalet e dorëzimit janë të firmuara nga përfaqësuesit e bankës dhe të degëve të Punëve të Brendshme, por ato nuk shoqërohen me procesverbale që duhet të ishin mbajtur në momentin e sekuestrimit nga Ministria e Punëve të Brendshme e aq më tepër me firmën e të sekuestruarit. Dokumentacioni i përmbledhur i Ministrisë së Punëve të Brendshme që na u vu në dispozicion me shumë vonesë ka këto të meta: procesverbalet janë të njëanshme dhe të palexueshëm; në shumë raste ka procesverbale në periudha të ndryshme, për të njëjtin problem japin shifra të ndryshme si p.sh. në dosjen nr.9 të vitit 1946-1947, lira turke të sekuestruara janë 4837 copë, ndërsa në evidencën nr.8 po për këto vite janë 2.337 copë të sekuestruara, ose 2500 copë më pak. Në vitin 1946 janë raportuar monedha sermi e franga 2000 copë, në evidencën statistikore 3-vjeçare nuk përfshihen. Nga rreth 90 deklarata që kanë sjellë familjet e personave të sekuestruar rezultojnë 555.744 napolona ar ose 3584 kg ar përveç 300 mijë dollarëve, orëve, unazave të floririt e varësve të perlave në një kohë që me 1700 sekuestrime janë futur në thesar 3029 kg ar, siç shihet diferencat janë të paimagjinueshme. Nga krahasimi midis Thesarit dhe MPM-së dalin të dorëzuara vetëm 37 kg ar më pak. Vetëm nga krahasimi që bëmë sipas dokumenteve që përpunuam për vitet 1945-1956 rezultojnë këto sasira ari të sekuestruara:
Arkivi i Shtetit 1.954,6 kg ar
Futur në Thesar 1957,8 kg ar
Min. Pun. Brendshme 2.509,1 kg ar
Pra kanë mbetur pa u futur në thesar 552 kg ar (shih pasqyrat krahasuar për vitet 1945-1980, relacionin e thesarit dhe dokumentacionin e MPMP-së si dhe historikun e armës së policisë). Pra nga do që të kthesh, shifrat nuk përputhen dhe në Thesar janë futur më pak. Ku është ari? Më mirë se ata që e sekuestruan dhe urdhëruan nuk mund ta dijë askush. Mendimi ynë është të hapen procesverbalet duke bërë krahasimet emër për emër të të sekuestruarve për çuarjen deri në fund të këtij problemi dhe nxjerrjen e realitetit. Në shtyp u bë shumë zhurmë se deri në vitin 1948 janë zbuluar nga organet e policisë 43.816. 682 monedha ari me përjashtim të shufrave, stolive të florinjta etj. (shih historikun e armës së policisë). Në qoftë se këto do të ishin monedha të arta, duke i konsideruar napolona, del se MPM ka sekuestruar 282 tonë ar që i afrohet deklaratës që ka bërë profesor Kalmes në Lidhjen e Kombeve në vitin 1922 për gjendjen e arit në Shqipëri. Ndërsa Arkivi i Shtetit i jep në total sekuestrime, blerje etj., 2.090 raste, në Thesar janë bërë 1.438 raste. Ku kanë shkuar rastet e tjera? Sipas një njoftimi sekret të datës 9.10.1987 që ish-drejtori i përgjithshëm i Bankës së Shtetit z. Andrea Nako i bënte qeverisë thuhet se nga prodhimi sigurohen 120-130 kg ar në vit. Ne po marrim minimalen 120 kg ar në vit shumëzuar me 22 vjet, për 1968-1990 dhe shuma totale e prodhimit për 22 vjet del 2640 kg ar, ndërsa në thesar janë futur 1.777 kg ar.
Vazhdojmë më tutje:
Nga viti 1954-1963 i janë dorëzuar MPM 5,062 kg ar
Në vitin 1947 janë dorëzuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme 0.750 kg ar
Në vitin 1954-1961 dorëzuar në M.M. Popullore 0,696 kg ar
Në vitin 1948, dorëzuar Kuvendit Popullor, 1.332 kg ar
Dorëzuar Drejtorisë së Marrëdhënieve me Jashtë 28.074 kg ar
Dorëzuar Klinikës Speciale nga 1981-1990 0,525 kg ar
Siç e thamë më sipër, me shkresën nr.1353, datë 19.9.1991 u kemi kërkuar këtyre institucioneve të na përgjigjeshin për çfarë është përdorur kjo sasi ari, por trokitëm në vesh të shurdhër se nuk na u kthye përgjigje me përjashtim të MRP-së e SHIKU-t që deklarojnë se dokumentet financiare ruhen vetëm 10 vjet. Në ndërmarrje ruhen përjetë borderotë e dokumentacionit të arkës me vendime të posaçme qeverie, ndërsa dokumentacioni i arit u ruajtka nga MPM-ja 10 vjet? I është shitur Bashkimit Sovjetik më 31 gusht 1954 me VKM 144, datë 2.2.1954 224,4 kg ar për blerje gruri. Kjo demaskon thënien e Enver Hoxhës për ndihmën e BS-së që i paska dhënë Shqipërisë grurë falas. Me VKM nr. 5; 430; 84, respketivisht të datave 7.1.1988, 7.12.1988 dhe 8.3.1989 i janë transferuar jashtë shtetit për veprime kambizmi 4.072 kg ar dhe 15 mijë kg argjend të cilat u shitën dhe kambizmi doli me humbje. Duke i vlerësuar me dollarë, këto bëjnë rreth 60 milionë dollarë. Kush përgjigjet për to? Gjithë bota luajnë në kambizëm po me mend në kokë, ndërsa ata kanë luajtur bixhoz si shtet me paratë e popullit. Si mund të hidheshin në lojë vlera kaq të mëdha për një komb të vogël e të drobitur nga skamja e uria, i cili jo për faj të tij, po mbahet sot nga ndihmat humanitare të botës perëndimore, të cilën pushteti injorant e përdhosi me shpifjet monstruoze. Por bota e qytetëruar mbetet e qytetëruar, i hodhi prapa shpine fyerjet se e kishte të qartë që populli lëngonte nën vargonj të rëndë e nuk ishte ai që mallkonte. I janë dhënë drejtorisë së këmbimeve valutore me jashtë për tregtinë e jashtme për blerje mallrash 3.200 kg ar me VKM nr.8, datë 23.1.1990; VKM 271, datë 4.8.1990; VKM 429 datë 13.12.1990 dhe VKM 225 datë 5.7.1990 nga të cilat me të drejtë kthimi 1.800 kg ar, por që as sot e kësaj dite nuk janë kthyer.
Ndryshimet e shifrave të konfiskuara. Raportimi i familjeve dhe institucioneve
Emër Mbiemër Deklarata Ark. Shtetit Ark. MP Thesari
Adbulla Kazazi kg 42 12.069 14,696 12,069
Alfons Dovana kg 516 58,369 58,142 58,389
Aristidh Leka kg 432,2 17,461 17,685 17,461
Ibrahim Velenca kg 39,2 0,338 – 0,381
Vasil Konomi kg 5,772 4,888 4,836 4,888
Mustafa Rrexha kg 6,550 3,303 0,181 3,303
Tahir Tahiri kg 19,350 13,011 13,099 12,588
Rexhep Merdani kg 451,6 – 29 –
Nuredin Sh. Bejtja kg 19,3 1,138 1,2 1,126
Mihal Dilo kg 100 – 0,013 –
Harallamb e Aleks Papa kg 259 – – –
Demir Gripshi kg 9,7 kg – 7,5 –
Athanas Ruta 1,6 – 1,3 –
Shaqir Çela kg 12,2 3,8 3,8 3,8
Shuma 1.913,4 114,4 151,4 114
Diferenca – 1.799 kg 1.762 kg 1.799 kg