Mbyllen hetimet për Armando Prengën, tre akuzat që rëndojnë mbi deputetin
Prokuroria e Përgjithshme ka mbyllur hetimet për deputetin Armando Prenga,mbi të cilin rëndojnë tre akuza.
Sipas Prokurorisë, Prenga akuzohet për armëmbajtje pa leje në ambiente publike, plagosje e lehtë me dashje të Gjok Cali, Tom Cali dhe Nikoll Cali. Gjithashtu, ai akuzohet për kanosje të këtyre personave dhe shtetasit Francesk Cali.
Sipas njoftimit zyrtar të organit të akuzës, Prenga, ka shkuar tek lokali i Gjok Cali, në Lagunën e Patokut, më 4 shtator, rreth orës 22.30. Tek ura e lokalit ka kontaktuar me djalin e tij Dorian Cali dhe nipin Julian Cali, me të cilët ka debatuar. Dorian Cali ka njoftuar për këtë ngjarje, nëpërmjet telefonit, babain e tij, Gjokën. Ky i fundit është nisur menjëherë në drejtim të lokalit me automjetin e tij. Gjatë rrugës, ai është përballur në vendin e quajtur Fushë Kuqe me Armando Prengën, i cili po udhëtonte me automjet bashkë me Luigj Skura, Gazmir Jushi dhe Gjon Prenga.
Në këtë moment, Gjok Cali e Armando Prenga kanë ndaluar automjetet dhe Gjok Cali i ka kërkuar shpjegime për ngjarjen e ndodhur me të birin pak më parë. Më pas, ata janë konfliktuar mes tyre dhe Armando Prenga ka nxjerrë pistoletën, dhe e ka goditur Gjok Calin në kokë me qytën e saj, duke i shkaktuar dëmtime që sipas aktit të ekspertimit mjeko-ligjor, klasifikohen si plagosje e lehtë.
Policia është njoftuar nga Gjok Cali, dhe grupi i drejtimit i komisariatit të Kurbinit ka shkuar në lokalin e tij. Ata i kanë kërkuar Gjokës të paraqitet në komisariat për të bërë kallëzim penal dhe për të dhënë shpjegime për ngjarjen.
Bashkë me vëllezërit Tom dhe Nikoll Cali, dhe të afërmin Gjergj Cali, ata kanë shkuar në komisariat, ku janë shoqëruar nga nipi i Gjokës, Francesku.
Në momentin që Gjok Cali ka hyrë në komisariat të bëjë kallëzimin, dhe të afërmit e tij kanë qëndruar jashtë, ka mbërritur deputeti me vëllain e tij, Gazmir Jushin dhe disa persona të tjerë. Prenga sërish mbante në dorë një pistoletë ku ka kërcënuar Tom, Nikoll, Gjergj dhe Françesk Calin duke u thënë: “Do t’ju qisim faret si fis”.
Pas këtij momenti dy grupet kanë filluar të konfliktohen fizikisht me njëri tjetrin. Sipas deklarimeve të personave të pranishëm në vendngjarje, deputeti Armando Prenga ka shtënë disa herë me një armë zjarri të tipit pistoletë. Në vendngjarje rezulton se është qëlluar dhe me armë zjarri automatikë.
Nga të shtënat me armë zjarri në vendngjarje, kanë pësuar dëmtime në këmbë shtetasit Tom Cali dhe Nikoll Cali.
Më 23 nëntor Gjykata e Lartë ndryshoi masën e sigurisë për deputetin, ku vëndosi arrest shtëpie. Vendimi erdhi pas këmbënguljes së avokatit se ai nuk paraqiste rrezikshmëri.