Mbyllet institucioni arsimor privat parauniversitar “Mehmet Akif Ersoy”. MAS: shkelje të legjislacionit në fuqi
Këshilli i Ministrave miratoi dje mbylljen e veprimtarisë së institucionit arsimor privat parauniversitar “Mehmet Akif Ersoy”, i cili e zhvillon mësimin edhe në gjuhë të huaj.
Sipas vendimit të qeverisë institucioni arsimor privat parauniversitar “Mehmet Akif Ersoy” ka detyrim të pajisë çdo nxënës me dokumentacionin e nevojshëm shkollor, që do të shërbejë për transferimin e tij në një institucion tjetër të arsimit parauniversitar.
Po ashtu duhet të mbulojë të gjitha shpenzimet për kryerjen e procedurave për transferimin e nxënësve, në zbatim të këtij vendimi, si dhe të kthejë pagesat e kryera (nëse ka) nga prindi/përfaqësuesi ligjor i nxënësit për pjesën e papërfunduar të shkollimit, si dhe çdo detyrim tjetër të papërmbushur që mund të ketë ndaj nxënësit.
Po ashtu, institucioni arsimor “Mehmet Akif Ersoy” duhet të vërë në dispozicion të institucionit arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar, çdo informacion të kërkuar deri në plotësimin e të gjitha kërkesave të parashikuara në këtë vendim.
Shkolla “Mehmet Akif Ersoy” duhet të dorëzojë në Arkivin Shtetëror Vendor të gjithë dokumentacionin që disponon, si dhe të paraqesë në institucionin arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar, një kopje të dokumentacionit dhe të procesverbalit të dorëzimit të tij, sipas afateve të parashikuara në legjislacionin në fuqi.
Sipas këtij vendimi, institucioni arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar, nën juridiksionin e të cilit ndodhet shkolla, ka për detyrë të ngrejë grup pune brenda 3 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi dhe të marrë masat për mbylljen e veprimtarisë së institucionit arsimor privat parauniversitar “Mehmet Akif Ersoy”.
Po ashtu duhet të marrë masat për transferimin e nxënësve në institucione të tjera të arsimit parauniversitar për të gjithë nxënësit e regjistruar në këtë institucion arsimor, si dhe të administrojë dokumentacionin lidhur me veprimtarinë mësimore të kryer nga ky institucion arsimor privat parauniversitar.
Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar, Drejtoria Rajonale Arsimore Parauniversitare Durrës, Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar Tiranë, institucioni arsimor privat parauniversitar “Mehmet Akif Ersoy” dhe fondacioni “Gulistan”.
Por në një deklaratë për shtyp, MAS theksoi se “kanë filluar procesin mësimor 2022-2023 në një vendndodhje dhe mjedise të tjera, të pamiratuara nga MAS, pra pa certifikimin ligjor përkatës të standardeve të godinës. Nuk i kanë plotësuar më tej kriteret ligjore edhe pse nga ana MAS është kryer dy herë verifikimi i tyre dhe në kushtet e ushtrimit të veprimtarisë jashtë kritereve përkatëse, licenca duhet të revokohet”.