Mesazhet e forta të Mogherinit për politikën shqiptare para takimeve në Tiranë
Pak para takimit me krerët e politikës në Tiranë, Federica Mogherini, përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë dhe Zëvendëspresidente e Komisionit Europian ka dhënë disa mesazhe te forta për politikën shqiptare.
Në një opinion për “Panorama”, ajo thekson se “zbatimi jo vetëm i reformës së drejtësisë, por edhe i reformës zgjedhore në Shqipëri është vendimtar që vendi të ecë përpara në udhën e tij të integrimit në BE, por edhe për të garantuar zgjedhje të besueshme dhe demokratike”.
Sipas saj, vendi i debatit politik dhe zgjidhjes mbetet Parlamenti. “Do të flas në parlamentet kombëtare, aty ku ende nuk kam pasur rastin ta bëj: ajo është qendra e çdo demokracie, ku politikëbërësit duhet të tregojnë përgjegjësi dhe të përmbushin nevojat e qytetarëve të tyre”.
FEDERICA MOGHERINI*
Ta udhëheqim Ballkanin Perëndimor drejt hyrjes në Bashkimin Europian: kjo është detyrë e brezit tonë politik, jo e atij që do të vijë. Ballkani është pjesë e Europës dhe gjithnjë ka qenë: asnjë kufi politik nuk mund ta ndryshojë këtë realitet gjeografik, historik dhe kulturor. Popujt e Ballkanit janë europianë: ata meritojnë të njëjtat mundësi, të njëjtën mbrojtje dhe të drejta si gjithë qytetarët e këtij kontinenti. Bashkimi Europian nuk do të jetë i plotë për sa kohë që ky rajon në zemër të Europës nuk është i bashkuar, si pjesë e komunitetit tonë.
Gjatë vitit të kaluar, gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimi Europian janë afruar edhe më shumë me njëri-tjetrin. Shumë nga sukseset tona të përbashkëta ishin të paimagjinueshme vetëm pak vite më parë.
Reforma e drejtësisë në Shqipëri, që kaloi pas muajsh pune të përbashkët, hapi një fazë krejt të re në udhën e vendit drejt Bashkimit Europian dhe unë pres me padurim të shoh zbatimin e saj të menjëhershëm.
Dy dekada pas luftërave të fundit, rajoni është më i qëndrueshëm dhe më demokratik se kurrë më parë.
Megjithatë, stabiliteti dhe zhvillimi rajonal janë ende arritje të brishta. Debatet politike shpesh kanë zënë vendin e ndjekjes së interesave të qytetarëve. Premtimi për kushte më të mira jetese nuk është ndjekur gjithnjë me progres të vërtetë dhe të dukshëm. Një mjedis ndërkombëtar kompleks – me krijimin e sfidave të reja, rimëkëmbjen e ngadaltë ekonomike dhe zhvendosjen e balancës globale të pushtetit – e ka rritur edhe më shumë trysninë mbi një rajon të brishtë. Ndonjëherë kemi pasur përshtypjen se vetë paqja nuk mund të merrej si e mirëqenë.
Të gjithë jemi të interesuar ta bëjmë paqen në Ballkanin Perëndimor të pakthyeshme, ashtu si dhe progresin social, ekonomik dhe demokratik. Nëse kjo ndodh, progresi drejt anëtarësisë në Bashkimin Europian do të jetë gjithashtu i pakthyeshëm. Kjo është thelbësore për Bashkimin Europian, po aq sa dhe për qytetarët dhe liderët e Ballkanit Perëndimor.
Për të kontribuuar për këto synime, BE-ja dhe shtetet anëtare duhet të angazhohen vazhdimisht me të gjitha kryeqytetet e rajonit. Për këtë arsye, këtë javë do të vizitoj gjithë Ballkanin Perëndimor, duke u takuar me liderë dhe qytetarë në Podgoricë, Sarajevë, Shkup, Beograd, Tiranë dhe Prishtinë.
Desha që gjatë këtij udhëtimi të ndaloja në të gjashtë qytetet dhe që ai të ishte vërtet “rajonal”. Secili prej gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor ka identitetin, sfidat dhe aspiratat e veta. Por është po ashtu e qartë se bashkëpunimi, dialogu dhe pajtimi kanë një ndikim të mundshëm si mbi jetët e përditshme të qytetarëve, ashtu dhe në udhën drejt anëtarësisë në Bashkimin Europian në mbarë rajonin.
Dhe Shqipëria ku luajtur një rol shumë pozitiv në dinamikat rajonale gjatë viteve të fundit.
Ditët e ardhshme do të vizitoj universitete dhe do të dëgjoj frustrimet dhe shpresat e të rinjve të Ballkanit: vizioni i tyre është thelbësor për t’i dhënë formë të tashmes dhe të ardhmes së vendit, të lirë nga paragjykimet dhe armiqësitë e së shkuarës. Do të takohem me të gjitha qeveritë dhe do të flas në parlamentet kombëtare, aty ku ende nuk kam pasur rastin ta bëj: ajo është qendra e çdo demokracie, ku politikëbërësit duhet të tregojnë përgjegjësi dhe të përmbushin nevojat e qytetarëve të tyre.
Sepse kjo është puna jonë e përbashkët. Reformat në secilin vend kanë rëndësi jo sepse qeveritë apo Bashkimi Europian i duan ato, por sepse ato mund të bëjnë një ndryshim të vërtetë për shumë njerëz në këtë rajon.
Zbatimi jo vetëm i reformës së drejtësisë, por edhe i reformës zgjedhore në Shqipëri është vendimtar që vendi të ecë përpara në udhën e tij të integrimit në BE, por edhe për të garantuar zgjedhje të besueshme dhe demokratike.
Nxitja e këtyre reformave është detyrë e brezit tonë. Nëse duam të japim rezultate të dukshme dhe të prekshme për qytetarët tanë dhe të përmirësojmë jetët e njerëzve, duhet ta forcojmë bashkëpunimin tonë sot, jo nesër. Dhe kjo është përgjegjësia jonë në mbarë Europën, si në Bashkimin Europian, ashtu dhe në Ballkanin Perëndimor.
*Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Europian për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë / Zëvendëspresidente e Komisionit Europian