Mesila Doda: Shteti duhet të mbështesë biznesin
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka zhvilluar një takim me banorë të Njësisë nr.8 në Tiranë. Në këtë takim ishte e pranishme deputetja Mesila Doda, kandidatët e PDIU-së për deputet në qarkun e Tiranës, Marin Rami, Arjan Hamiti dhe Alfred Deshati. Para banorëve të Njësisë nr.8 znj.Doda u shpreh se punësimi dhe ekonomia janë dy gjërat më të rëndësishme për shqiptarët.
“Ekonomia është thelbi. Ekonomia është ajo të cilës i drejtohemi ne. Mirëpo, ne shqiptarët jemi mësuar të kemi një lloj funksioni etatist, kemi shtetin mbi të gjitha. Çfarë nënkuptojmë? Ju e dini kur kalojnë këta punonjësit e tatimeve, të gjithë dridhen dhe thonë ose ka ardhur të na gjobisin ose duhet t’u japim ndonjë lek. Unë nuk e di pse kemi trashëguar edhe këtë nga sistemi komunist, kur ai duket sikur është taksidari që ka ardhur t’i bie kokës biznesit dhe nuk kupton që ai vetë jeton në saj të biznesit. Shteti duhet të ketë ndërhyrje minimale dhe duhet të mbështesë e duhet t’i ofrojë shërbime biznesit, shërbime që sot për fat të keq janë pak, apo aspak. Nga ana tjetër nuk mund të harrojmë dot faktin që papunësia dhe ekonomia janë dy gjëra të rëndësishme. Nëse sot i drejtohemi çdo të riu kush është problemi? Do të thotë papunësia! Shteti sot është punëdhënësi më i madh dhe partitë e mëdha fusin kaq shumë të punësuar sa që mendojnë që bëhen të mëdha kështu. Vazhdoj të mendoj që ekonomia jonë nuk do gjejë kurrë frymëmarrjen e duhur nëse shteti nuk fillon të zvogëlohet në peshë dhe biznesi të marrë rolin kryesor në punësimin, në rritjen e nivelit të jetesës, në rritjen e pagave. Për sa kohë do të vazhdojnë ta mbivendosin, ta mbingarkojnë me taksa, tatime dhe lloj-lloj detyrimesh biznesin ky vend nuk do ta gjejë kurrë levën e Arkimedit, nuk do ta gjejë kurrë mundësinë që të zhvillohet”,- u shpreh deputetja e PDIU-së.
Znj.Doda tregoi edhe arsyet pse zgjodhi ti bashkohet Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet.
“A doni ta dini pse zgjodha PDIU-në, doni ta dini pse kur ika nga ajo parti e madhe shkova dhe zgjodha PDIU-në? Nëse ka një parti e cila nuk ka ardhur si pasojë e skizmave, por ka kauza dhe trimëron politikën shqiptare, është PDIU dhe prandaj do ta zgjidhja sot, 10 herë, 100 herë. Do të doja vetëm diçka nga politikanët shqiptarë, sigurisht që duhet ta rregullojnë gjuhën, duhet të flasin më mirë. Duhet të flasin më mirë sepse ajo që i transmetojnë njerëzve nuk është as pozitivitet as kulturë dhe as nuk i mësojnë fëmijët me një gjuhë më të mirë. Mos harrojmë të rregullojmë gjuhën e komunikimit me njëri-tjetrin, të mos harrojmë kauzat”- theksoi znj.Mesila Doda
Melisa.Shteti duhet te luftoje hajduterite.Kur hajdutet jane ne shtet dhe drejtesi fashizmi mbreteron