Meta, në Bërxullë: Bashkia e Vorës do të jetë model për të gjithë vendin
Kreu i LSI-së, Ilir Meta është takuar me banorët e Bërxullës, i shoqëruar dhe nga kandidati i majtë për Bashkinë e Vorës, Luan Sallaku. Gjatë fjalës së tij, Meta tha se Bashkia e Vorës do të jetë model për gjithë vendin, për shërbimet dhe punësimin.
“Unë mendoj se Bashkia e re e Vorës do të jetë bashkia model në të gjithë vendin, për sa u takon shërbimeve dhe, në mënyrë të veçantë, sa i takon punësimit. Ne do të fillojmë këtu, duke e bërë një bashki model për ta përhapur këtë model në të gjithë vendin. Dhe punësimi do të jetë prioriteti ynë kryesor. Deklarova dy ditë më parë në Vorë se do të hapim 500 vende të reja pune, por kemi mbajtur rezervë 300 tjera brenda këtij viti, deri në vjeshtë. Do të kemi mundësi pafund punësimi në bashkinë e re të Vorës, si përmes mbështetjes së industrisë, si përmes mbështetjes së shërbimeve, si përmes mbështetjes së bujqësisë, përmes mbështetjes së vetëpunësimit e kështu me radhë”, u shpreh kreu i LSI-së.
Puna në bashkinë e re, vijoi z. Meta do të nisë nga transparenca në respekt të qytetarëve, në mënyrë që komuniteti të ndjejë veten pjesëmarës në çdo vendim që merret.
“Ne punën në bashkinë e re do ta fillojmë me transparencë në respekt të qytetarëve, të komunitetit, që të gjithë ta kuptojnë se është bashkia e tyre, dhe jo e një njeriu. Ne transparencën dhe llogaridhënie do t’i kemi të shenjta në respekt me qytetarët e komunës sot të Bërxullës, që nesër do të jetë njësi administrative, të Prezës dhe të Vorës. Dhe të gjithë duhet ta dinë se sa kontribuojnë në buxhetin e kësaj bashkie dhe cilët janë përfitimet e tyre. Edhe prioritetet do t’i ndajmë së bashku, në mënyrë që komuniteti ta ndjej veten pjesëmarrës në çdo vendim të rëndësishëm që do të merret. Për këtë jemi të gjithë sot këtu edhe do të jemi më shumë pas 21 qershorit”, vijoi Meta.
Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane” në Bashkinë e Vorës, Luan Sallaku u shpreh se punësimi është prioriteti i tij kryesor. Ai bëri me dije se ka projekte të qarta për nxitjen e biznesit dhe investimeve në bujqësi.