Meta: Një marrëveshje e shpejtë mbi reformën zgjedhore ndihmon integrimin europian
Zoti Meta tha se një marrëveshje e afërt mes partive politike për refomën zgjedhore do të ndihmonte shumë Shqipërinë në procesin e integrimit drejt Bashkimit Europian.
Bisedimet mes palëve për reformën zgjedhore u ndërmjetësuan ditët e fundit nga diplomatët amerikanë dhe europianë, ndërsa pritet një përgjigje nga Partia Demokratike për mënyrën e depolitizimit të administratës zgjedhore.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, bëri thirrje sot për një marrëveshje sa më të shpejtë ndërpartiake mbi reformën zgjedhore, në mënyrë që, si u shpreh ai, qytetarëve t’u shtohet siguria ndaj procesit të votimit dhe që BE të shënojë një lajm të mirë nga Tirana për të lehtësuar procesin e integrimit.
Ai vlerësoi ecurinë e deritanishme të bisedimeve mes palëve, të cilat, sipas tij, kanë mbetur në disa detaje të thjeshta teknike, dhe fakti që opozita nuk e ka më si kusht qeverinë tranzitore, e bën më të lehtë arritjen e marrëveshjes.
Ai tha se mesazhi i tij për opozitën edhe më herët kishte qenë që të mos shkojë në tryezë me shumicën socialiste me një listë dëshirash, por me një listë kërkesash të mbështetura tek rekomandimet ndërkombëtare.
Dy takimet e fundit të këshillit politik, me skadimin e afatit të 31 majit për reformën zgjedhore u zhvilluan me ndërmjetësimin e diplomatëve amerikanë dhe europianë në rezidencën e ambasadores amerikane në Shqipëri.
Ambasadorja Kim tha të mërkurën në mbrëmje se qeveria i bëri lëshimet e veta dhe tani është radha e opozitës të shpallë qëndrimet e saj.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha po zhvillon një seri takimesh me partitë aleate për të vendosur mbi çështjen e fundit që, sipas tij, ka mbetur pa u zgjidhur, që është mënyra se si do të depolitizohet administrata zgjedhore.
Kjo është një kërkesë e hershme e OSBE/ODIHR-it pas çdo raundi zgjedhor në Shqipëri, pasi janë komisionerët partiakë ata që zvarritin, bllokojnë dhe kompromentojnë proceset zgjedhore, duke lënë shkas për kundërshtim të rezultateve.