Politika

Meta përshëndet aktin e njohjes nga Vatikani të mrekullisë së dytë të Nënë Terezës

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ka përshëndetur aktin e njohjes nga Vatikani të mrekullisë së dytë të Nënë Terezës

“Ka ndodhur ajo që e shpresonin, prisnin dhe besonin shumë njerëz: Nënë Tereza është në rrugën e Shenjtërimit. Ati i Shenjtë ka njohur mrekullinë e një shërimi të pamundur që ka kryer Nëna e Madhe. Një shërim më shumë që Nënë Tereza i ka bërë shumë dhembjeve në botë, kur ka pakësuar lotë e trishtim dhe ka afruar më shumë besim, bukë e buzëqeshje”, është shprehur Meta.

“Nënë Tereza, kjo Shenjtore e re që po i falet gjithë komunitetit katolik, por dhe gjithë botës, pavarësisht rracës, besimit, gjuhës me të cilën bëhen lutjet dhe emrit me të cilin thirret Zoti, është mesazhi i madh i dashurisë. I dashurisë së madhe për punët e vogla që e bëjnë gjithë botën një vend më të mirë për të jetuar. Mirënjohës për të moshuarit dhe mikpritës për fëmijët”, ka vijuar kreu i Kuvendit.

“Ky”, ka shtuar Meta, “është një çast emocionues, është një moment reflektimi për çfarë mund të bëjmë të gjithë më mirë, për të gjetur forcën e faljes dhe për të falur forcën e gabuar, për të vënë pranë mendjes edhe zemrën kur merren vendime që prekin mendje dhe zemra të tjera”.

“Nënë Tereza na ka afruar krenarinë e pafundme e të qenit shqiptar sepse Gruaja e madhe e gjithë botës ishte shqiptare nga gjaku, por Nënë Tereza, kjo Shenjtore e besimit dhe shërbesës, ka bërë padyshim edhe gjithë botën më të mirë!”, ka përfunduar  kreu i Kuvendit, Ilir Meta.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button