Meucci: S’do të përzihemi në lojëra politike
Shef i misionit EULEX, Gabriele Meucci ka deklaruar se EULEX-i nuk do të përzihet në lojëra politike.
Shef i misionit EULEX, Gabriele Meucci ka deklaruar se EULEX-i nuk do të përzihet në lojëra politike, por do të fokusohet që Kosova ta ketë çdo mundësi për të ndërtuar institucione të fuqishme, të pavarura të sundimit të ligjit.
Ai duke dashur të sqarojë pyetjet që kanë mbizotëruar ndaj EULEX-it, ka thënë se ata nuk janë të përsosur, megjithatë kur institucionet e pavarura merren me fitimin e poenëve politikë, Kosova e humb besueshmërinë.
Ndërsa, kur sistemi i drejtësisë nuk angazhohet në hapat e domosdoshëm për qeverisjen e vetë themelore, sipas tij, humbin të gjithë.
“Në pjesën e mbetur të mandatit të tij, EULEX-i do të mbetet i përqendruar në qëllimin e tij dhe ne kërkojmë që edhe institucionet gjyqësore të Kosovës të përqendrohen në qëllimet e tyre ka thënë ai.
Ja opinioni i plotë e Meuccit
Ekziston një debat i gjerë lidhur me prejardhjen e shprehjes angleze “Mind your Ps and Qs” (Kujdes me germat tua).
Disa thonë se fillimisht ajo është shfrytëzuar në lidhje me sasinë e pijeve: pinta dhe çerek galoni, duke i paralajmëruar pronarët e pijetoreve që të kenë kujdes me sasinë e pijeve të shërbyera, derisa të tjerët pohojnë se ajo është një vërejtje për radhitësit e shkronjave në shtypshkronjë që të kenë kujdes me vendosjen e këtyre dy shkronjave.Pavarësisht nga fakti nëse ajo ka të bëjë me shtypshkronjën apo pijet, tani shprehja “Mind Your P’s and Q’s” nënkupton që të sillesh dhe të veprosh mirë.
Në një atmosferë të paranojës dhe të pyetjeve lidhur me EULEX-in që ka mbizotëruar kohëve të fundit, më duket se ka ardhur koha që t’i sqaroj disa prej P-ve dhe Q-ve kryesore: me këtë rast dua t’i parashtroj disa pika për t’i sqaruar gjërat:
Pavarësia – EULEX-it nuk brengoset për partitë politike, rrengjet politike, koalicionet politike apo premtimet politike.Mendimi i dikujt në Bruksel (ose, të them të vërtetën, mendimi im) lidhur me ndonjë politikan nuk ka ndikim në ndonjë rast sepse gjyqtarët dhe prokurorët janë të pavarur.
Sidoqoftë, është e pashmangshme që rastet tona të ndikojnë tek politikanët dhe tek pjesëtarët e tjerë me ndikim të shoqërisë, duke e shndërruar hedhjen e dyshimeve për EULEX-in dhe pavarësinë e tij në një strategji mbrojtëse tunduese.
Provat – Ne nuk merremi me thashetheme dhe insinuata. Nëse ekziston një vepër penale dhe ne kemi mësuar për të para muajit prill të vitit 2014 (në pajtim me mandatin tonë të ri) ajo do të hetohet. Nëse kemi mësuar për diçka pas asaj kohe, ua kalojmë informatën institucioneve të Kosovës. Por çështja është se, nëse ka dëshmitarë, ne i intervistojmë ata. Nëse ka prova, ne i shqyrtojmë ato. Zyra jonë për shtyp i ka dy funksione kryesore – ta informojë vazhdimisht misionin lidhur me zhvillimet në mediat lokale dhe ta përhapë sensibilizimin lidhur me sundimin e ligjit. Ne nuk e kemi as durimin e as stafin për t’i ndjekur fantazitë apo për t’u përgjigjur në çdo kritikë apo akuzë që shkruhet. Sinqerisht, nëse ne e kalojmë kohën duke i shtrënguar duart lidhur me trillimet dhe me të ashtuquajtura “skandale” të ri-ambalazhuara dhe të vjetra do të thotë se e kemi çuar kot kohën e secilit dhe paratë e tatimpaguesve.
Përsosmëria– Ne nuk jemi të përsosur, as nuk kemi pretenduar ndonjëherë se jemi të tillë.
E dimë se në një mision që i ka pasur më shumë se 5000 të punësuar prej fillimit të tij, do të ketë shkelje apo thyerje të disiplinës. Natyrisht që këto gjëra ndodhin. (Nëse NUK dëgjoni për këto gjëra në një mision të kësaj madhësie, atëherë e dini që gjërat janë duke u fshehur!) Me rëndësi është mënyra se si trajtohen këto shkelje. Në rastet kur ndodhë një shkelje e kodit të sjelljes, njësia jonë për hetime të brendshme e shqyrton atë që ka ndodhur, i interviston dëshmitarët, i analizon provat dhe bën rekomandime disiplinore.
Në rastet kur ka prova për shkelje të ligjit, shfrytëzohen mjetet juridike kurse për pjesëtarët ndërkombëtarë të stafit në përgjithësi këtu përfshihen autoritetet e drejtësisë të shtetit amë.
Unë konsideroj se personeli i EULEX-it i respekton standardet më të larta të sjelljes dhe ata nuk i përgjigjen vetëm zinxhirit komandues të EULEX-it por edhe autoriteteve ligjore të vendit të tyre amë.
Qëllimi – Qëllimi ynë ka qenë dhe vazhdon të jetë që t’i ndihmojmë institucionet e Kosovës, autoritetet gjyqësore dhe agjencitë për zbatimit e ligjit në përparimin e tyre drejt qëndrueshmërisë dhe llogaridhënies.Ne përpiqemi që të sigurojmë që këto institucione të jenë të lira nga ndërhyrja politike dhe që i respektojnë standardet më të mira të njohura ndërkombëtarisht.
Megjithatë, ne nuk mund t’i shmangemi faktit se ne (së bashku me qytetarët e Kosovës) jemi thellësisht të ndikuar nga moslënia anash e lojërave politike nga ana e institucioneve gjyqësore të Kosovës, si dhe të punuarit e tyre së bashku për të mirën e qytetarëve të Kosovës.
Në rastet kur KGJK nuk mund ta bëjë emërimin e gjyqtarëve, atëherë zgjatet koha e pritjes së lëndëve. Në rastet kur KPK nuk mund ta bëjë emërimin e prokurorëve, atëherë ka më pak prokurorë në dispozicion për t’i ndjekur krimet e kryera ndaj qytetarëve. Kur institucionet e pavarura merren me fitimin e poenëve politikë, Kosova e humb besueshmërinë.
Kur sistemi i drejtësisë nuk angazhohet në hapat e domosdoshëm për qeverisjen e vetë themelore, atëherë humbim të gjithë.
Në pjesën e mbetur të mandatit të tij, EULEX-i do të mbetet i përqendruar në qëllimin e tij dhe ne kërkojmë që edhe institucionet gjyqësore të Kosovës të përqendrohen në qëllimet e tyre.
Premtimi im për Kosovën është që përderisa të jetë EULEX-i këtu, ne do të kujdesemi për P-të dhe Q-të tona.
Ne nuk do të përzihemi në lojëra politike, por më tepër do t’i mbajmë sytë tek qëllimi i të siguruarit që Kosova ta ketë çdo mundësipër të ndërtuar institucione të fuqishme, të pavarura të sundimit të ligjit.
Në fund, krejt çka mund të bëjnë BE-ja dhe EULEX-i është që të sigurojnë që Kosova ta ketë mundësinëpër t’i ofruar popullit të saj sundim të pavarur të ligjit – populli dhe politikanët e Kosovës duhet të jenë ata që vendosin se prioriteti i pa-diskutueshëm dhe më i lartë i qeverisë së saj është ofrimi i qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit për të gjithë.