Mijëra rusë në sheshe për të nderuar opozitarin e vrarë, Boris Nemtsov
Mijëra rusë u mblodhën sot në qendër të Moskës, për të marrë pjesë në një marshim në kujtim të Boris Nemtsov, opozitari rus i vrarë pranë Kremlinit një ditë më parë. Në pankartat e manifestuesve në Moskë lexohej: “Ai humbi jetën për të ardhmen e Rusisë” apo “Ai u vra për një Rusi të lirë”’.
Në Shën-Petersburg, qyteti i dytë në vend, të paktën 2500 persona u mblodhën gjithashtu për të nderuar kujtimin e opozitarit rus.
Boris Nemtsov, lideri i opozitës antiPutin dhe ish-zëvendëskryeministri liberal i epokës së presidencës së Boris Jelcinit, u vra me katër plumba ndërkohë që ecte në qendër të Moskës. Sipas medias, Nemtsov ishte në shoqërinë e një gruaje në momentin e ngjarjes.
Nemtsov, 55 vjeç, ishte parë si zëvendësues i mundshëm i Jelcinit në Kremlin. Guvernator i Nizhni Novgorodit, ai ka mbajtur shumë poste të rëndësishme në Moskë, duke u imponuar si reformator.
Presidenti rus, Vladimir Putin konfirmoi dje, pas vrasjes së opozitarit, Boris Nemtsov se do të bëhej gjithçka që organizatorët dhe ekzekutuesit e këtij krimi të rëndë të merrnin dënimin e merituar.
“Boris Nemtsov ka lënë gjurmë në historinë e Rusisë, në jetën politike dhe shoqërore. Ai ka shprehur gjithmonë hapur dhe ndershmërisht qëndrimet e tij”, – deklaroi presidenti rus në një mesazh ngushëllimi për Dina Eidman, nëna e Boris Nemtsov.