Mikesha e vrasësit me pagesë, Kristi Pine: 12 orë në qeli, ja si na arrestuan. Ai s’kishte lekë, kafen ja paguaja unë
Nga: Klodiana Lala*
Tri ditë pasi në prangat e policisë kishte përfunduar Kristi Pine, i dyshuar për vrasje me pagesë, e sot i penduar i drejtësisë, mikja e tij, i rrëfeu “GSH” momentin e arrestit, e plot detaje të tjera tronditëse. Vajza 29-vjeçare, nënë e dy fëmijëve të mitur, duket se e ka patur jo të lehtë jetën. E shfrytëzuar për prostitucion, në Spanjë e Itali, fati i keq, deshi që të provonte për 12 orë edhe qelinë. Alma tregon se ishin duke u kthyer nga Shkodra dhe në të njëjtën makinë me të ishte Kristi Pine, kur sapo mbërritën te Sheshi Shqiponja (rrethrrotullimi) i doganës, forca të shumta policie i rrethuan dhe i shoqëruan në polici. Aty ka mësuar se Kristi Pine, dyshohej për vrasje me pagesë, ndonëse Alma nuk pranon kurrsesi që të dijë detaje mbi aktivitetin e tij kriminal. Nëna e dy fëmijëve, të cilës i janë sekuestruar 9 mijë euro, kërkon paratë e saj dhe kthimin e makinës. Me zërin që i dridhet e lot në sy, Alma kërkon mbrojtje nga shteti, pasi ka frikë nga trafikantët, emrat e të cilave ja ka rrëfyer edhe policisë, përgjatë 12 orëve të qëndrimit të saj në qeli. Vajza tregon se për të dalë nga rruga e trafikut, është ndihmuar nga një i dënuar me burgim të përjetshëm, emrin e të cilit nuk dëshiron të bëhet publik.
Alma ju jeni shoqëruar nga policia për 12 orë. Mund të na tregoni arsyen përse u shoqëruat?
Arsyen e shoqërimit as sot që po flas me ju, nuk e kam kuptuar. Ishim duke u kthyer nga Shkodra. Ishim me makinën time, por nuk po e ngisja unë. Kishte persona të tjerë. Na ndaluan forcat speciale tek rrethrrotullimi i doganës, Sheshi Shqiponja. Sa kanë parë makinën time, katër forca i janë afruar makinës, kanë kërkuar kartën e identitetit. U dhamë kartat, unë shoqja ime dhe personi që po i jepte makinës. Personi tjetër, Kristi Pine nuk e kishte me vete kartën. Kanë marrë emrat dhe kanë bërë disa verifikime dhe më pas nxorën dy djemtë nga makina dhe u kanë vënë prangat. Kristi Pinen e kanë larguar nga makina dhe e kanë marrë forcat speciale në makinën e vet, kurse personin që po i jepte makinës (X.Y) e kanë kaluar në sediljen tjetër dhe në makinë u ngjitën dy oficerë policie. Njëri nga shefat na tha do ju çojmë te drejtoria në “Myslim Shyrr”. I kam pyetur, përse po na ndaloni, por nuk foli fare. Na shoqëruan pa na dhënë asnjë përgjigje.
Çfarë ndodhi më pas?
Na dërguan në oborrin e Drejtorisë së Policisë Tiranë. Na kanë kontrolluar, ne na kontrolloi një police femër. Kristi Pinen e kanë larguar direkt në një dhomë. Unë me shoqen time dhe djali tjetër, kemi qëndruar për afro 15 minuta në oborrin e drejtorisë. Në çantën time kanë arritur të gjejnë një shumë lekësh, që unë i kisha marrë në Shkodër. (Rrëfen emrin e personit që i ka dhënë paratë dhe shprehet se janë para që i ka dhënë tutori i saj. Alma e identifikon këtë person me emër).
Ju kur u liruat?
Jam liruar 12 orë më vonë. U arrestova në orën 14.20 të pasdites dhe jemi liruar mëngjesin e ditës pasardhëse. U lirua dhe shoqja ime. I arrestuar mbeti vetëm Kristi Pine.
Po Kristi Pine për çfarë akuzohej?
Mesa kuptova unë, sepse nuk më dha njeri shpjegime, kuptova që i dyshuar për vrasje me pagesë. Kur i pyesja shefat përse më keni ndaluar, s’më jepnin përgjigje. Më thanë që je këtu, sepse ke qëndruar me Kristi Pinen. Po unë përse u ndalova?
Ju pyetën për Kristi Pinen?
Po më pyetën, se çfarë dija unë për Kristi Pinen. Po unë në fakt, nuk di asgjë. Më pyetën çfarë shoqërie kisha me të dhe u thashë thjesht shok e kam. Sa kohë ke që e njeh dhe u thashë prej dhjetorit. U thashë që Kristin e njoh si student, por nuk di çfarë bën. Më thonin që ti e di. Më thanë që do më mbanin aty derisa të zbardheshin gjërat. Edhe për lekët, nuk e thashë që në fillim që i kisha si pasojë e shfrytëzimit, sepse më vinte turp, më pas tregova historinë e jetës sime.
Ju thatë që jeni e divorcuar, keni fëmijë?
Po, kam dy fëmijë. Atë natë që jam shoqëruar i kam gjetur duke fjetur vetëm në derën e shtëpisë, pa mbrojtje (shpërthen në të qara).
Ju keni kërkuar mbrojtje nga shteti?
Jo, sepse e kam humbur besimin. Se kam shkuar për denoncim në komisariat ndaj ish-burrit dhe s’më dhanë mbrojtje. Unë jam pa mbështetje, pa shtëpi, kam vetëm një javë që kam nisur punë. Kërkova mbrojtje, por u zhgënjeva.
Të kthehemi te Kristi Pine, si jeni njohur me të?
Me Kristi Pinen jam njohur nëpërmjet një të dënuari me burgim të përjetshëm. E njoh si djalë të mirë. Kristi Pine as lekë për kafe nuk kishte. Paguaja unë ndonjëherë kafen.
Çfarë kërkoni nga drejtësia?
Kërkoj lekët e mia, të më kthehen, sepse janë paratë e mi, kam dy fëmijë për të rritur. Dua të më kthehet dhe makina ime. Shteti duhet të më mbrojë, jo të më trajtojë në këtë mënyrë. Kam shkuar disa herë në polici për ti marrë, por as sot si kam marrë. Erdha këtu te ju të denoncoj, se më duket shkelje, që të më mbajnë lekët e mia dhe makinën time. Shteti të hetojë dhe të zbardhë të vërtetën.