Rajoni

Minimumi i Platformës së Nikoliqit: Mosnjohja e pavarësisë së Kosovës

Këshilltarja e presidentit të Serbisë, Stanisllava Pak, u tha medieve në Beograd se për Paltformën mbi Kosovën të presidentit Tomisllav Nikoliq do të arrihet marrëveshja dhe se kufiri nën të cilin nuk do të shkojë presidenti do të jetë mospranimi i pavarësisë së Kosovës.

Sipas saj, kryeministri Aleksandar Vuçiq është deklaruar pozitivisht për Platformën, të cilën siç është shprehur Stanisllava, “e ka shkruar para së gjithash për shkak se nga Serbia pritet në një moment marrëveshja për normalizim dhe që Serbia t’i qaset me plan strategjik kësaj ngjarjeje që na pret”.

“Dëshirojmë të realizojmë atë që është njëfarë minimumi, atë mund ta pranojmë sipas Kushtetutës. Se a është kjo reale a jo koha do ta dëshmojë”, është shprehur këshilltarja e Nikoliqit për TV Pink.

Stanisllava Pak, transmeton Koha.net raportimet e medieve të Beogradit, ka deklaruar se kjo është sjellje me përgjegjësi e autoriteteve serbe, meqë “pala shqiptare me shekuj ka strategjinë dhe planin si ta realizojë “Shqipërinë e madhe” dhe Serbia do të duhej të ketë planin se çfarë dëshiron në marrëdhëniet me palën shqiptare në Kosovë”.

“Taktika më e keqe e mundshme do të ishte të mos kesh kurrfarë strategjie, kurrfarë platforme për biseda të mëtejshme me shqiptarët”, është shprehur ajo.

“Marrëveshja e Brukselit nuk është diçka që zgjidh gjithë atë situatë, ndërsa bëhet fjalë për njëfarë zgjidhjeje përfundimtare të raporteve tona lidhur me Kosovën”, ka shtuar Pak.

“Platforma është e prirur për ndryshime e përmirësime deri në kufirin nën të cilin presidenti nuk do të shkojë, dhe ky është njohja e pavarësisë së Kosovës”, ka paralajmëruar këshilltarja e Nikoliqit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button