Ministri i FSK-së, Demolli në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifaks të Kanadasë
Ministri i për Forcën e Sigurisë së Kosovës (MFSK), Haki Demolli me ftesë të Forumit Ndërkombëtare të Halifaksit për Siguri, po merr pjesë në punimet e Konferencës dyditore “Avancimi i sigurisë nga vizioni modern” që po mbahet në Halifaks të Kanadasë.
Ministri i FSK-së, Haki Demolli në Konferencën në Halifaks do të flasë për Perspektivën aktuale të Kosovës në sfidat më të ngutshme të sigurisë. Forumi Ndërkombëtarë për Siguri në Halifaks është i njohur si një vend takim vjetor, i cili krijon hapësirë që vendimmarrësit të gjejnë bashkërisht zgjidhje për çështje të vështira. Tani në kohën kur vendet demokratike po ballafaqohen me kërcënime, kjo kërkesë është bërë shumë urgjente, sepse asnjë vend veç e veç nuk mund të zgjidhë problemet, ashtu sikurse mund ta bëjnë së bashku liderët e mençur.
Forumi Ndërkombëtarë për Siguri në Halifaks ngrit në nivel më të lartë bashkëpunimin strategjik midis shteteve demokratike në botë. Pjesëmarrësit që mblidhen në Halifaks për çdo nëntor, prezantojnë më shumë se 60 shtete.
Ministrin Demolli në Forumin e Halifaksit e shoqërojnë edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Kanada, Lulëzim Hiseni si dhe Sinan Geci, Shef i Sektorit për Bashkëpunim Euro- Atlantik në ministrinë për FSK.