Qeveritare

Ministrja Gjosha: Do të përditësojmë Udhërrëfyesin me masa të reja

U zhvillua  sot  takimi i dytë i Grupeve të  Përbashkëta të Punës për monitorimin e 5 prioriteteve që  Shqipërisë i janë lënë nga Bashkimi Europian deri në hapjen e negociatave.

Ministrja-e-Integrimit-Evropian-Klajda-Gjosha-takim-Foto-Agim-Dobi-300x200Të pranishëm në këtë takim, ishin ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, Shefi  i Njësisë për Shqipërinë në Drejtorinë e Zgjerimit të Komisionit Europian, Vassilis Maragos, Romana Vlahutin, Shefe e Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, përfaqësues të lartë të ministrive të linjës dhe institucioneve të pavarura.

Për secilin nga 5 prioritetet u  konsultuan arritjet dhe masat e marra deri tani, si dhe u diskutua për atë çka është e domosdoshme që Shqipëria të ndërmarrë në vijim, në funksion të përmbushjes së këtyre kushteve.

Ministrja Gjosha u shpreh  se  në këta katër muaj që nga ngritja e Grupeve të Përbashkëta të  Punës,  janë  hedhur bazat e një sistemi monitorimi për pesë prioritetet kyçe, që  mundëson jo vetëm monitorimin e progresit, por edhe feedback-un në kohë reale për problemet në terren. “Ne do të përditësojmë Udhërrëfyesin, do të përmirësojmë planifikimin dhe zbatimin, si dhe do të fokusohemi më shumë tek objektivat tanë, duke shtuar masa të reja nëse është e nevojshme. Më shumë vëmendje do t’i kushtohet zbatimit të ligjeve, sesa thjesht miratimit. Ambicja jonë për hapjen e procesit të negociatave është e qartë, ashtu siç i kemi të qarta sfidat para nesh. Ne do të vazhdojmë të punojmë fort me qëllim përmbushjen e kërkesave të nevojshme që na kanë vënë partnerët tanë, që procesi i anëtarësimit të hapet sa më shpejt”, u shpreh ministrja Gjosha.

Ministrja theksoi se  janë  arritur disa suksese me reformën në administratën publike: kuadri ligjor është përmirësuar dhe po garantohet zbatimi dhe monitorimi e tij. “Po përgatisim reformën në sistemin e drejtësisë; një komision i posaçëm parlamentar po bashkëpunon me Ministrinë e Drejtësisë dhe me partnerët evropianë për hapat e mëtejshëm. Kohët e fundit kemi shpallur edhe fushatën antikorrupsion dhe fare pak ditë na ndajnë nga miratimi i Strategjisë dhe Planit të Veprimit Antikorrupsion. Kemi arritur rezultate pozitive në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe në luftën kundër krimit të organizuar. Kemi punuar fort dhe kemi arritur rezultate shumë të mira, por sfidat që na dalin para kërkojnë përkushtim edhe më të madh”, tha ministrja.

Ambasadorja Romana Vlahutin  nënvizoi rëndësinë e Grupeve të Punës, duke theksuar se është e domosdoshme që këto grupe të jenë sa më aktive në mënyrë që  monitorimi i zbatimit të 5 prioritetet të jetë rezultativ.

Vassilis Maragos, në fjalën e tij tha se konkluzionet dhe rekomandimet e dhëna nga çdo takim i grupeve të punës, kanë vlerë  për të parë avancimin e Shqipërisë me 5 prioritetet, por edhe ndërhyrjet e nevojshme që duhet të bëjë Shqipëria në kuadër të reformave.

Mbledhja e grupeve të punës përfundoi me një listë konkluzionesh dhe rekomandimesh të cilat do t’i shërbejnë punës për mbarëvajtjen e procesit të integrimit të vendit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button