Mitet e pavërteta që qarkullojnë rreth trupit njerëzor
Mendoni se kemi vetëm pesë shqisa? A bën keq kërcitja e gishtave? Ekzistojnë të paktën nëntë aspekte të trupit tonë për të cilat shumë njerëz besojnë se janë të vërteta, por që në të vërtetë janë thjesht dhe vetëm gënjeshtra
Thonjtë vazhdojnë të rriten edhe pas vdekjes
Është mendim i zakonshëm që thonjtë, ashtu si flokët, vazhdojnë të zgjaten edhe pas vdekjes. Por nuk është e vërtetë: është lëkura ajo e cila dehidratohet, rrudhet, e më pas thonjtë në këtë mënyrë dalin më në pah.
Pas vdekjes, edhe qelizat e trupit tonë fillojnë të vdesin, për shkak të mungesës së oksigjenit në inde. Pa oksigjen nuk prodhohet glukoza, “karburanti” për rritjen e qelizave. Të parët vdesin indet e trurit, më pas gjithë të tjerët.
Është llogaritur që qelizat të cilat prodhojnë thonjtë, e ndërpresin përgjithmonë aktivitetin e tyre pas rreth 12 orësh nga vdekja, por kjo kohë nuk është e mjaftueshme për të vënë re rritjen, duke qenë se mesatarisht një thua, rritet me 0,1 mm në ditë.
Cikli menstrual ndjek fazat hënore
Nëse do të ishte e vërtetë se menstruacionet ndikohen nga pozicioni i hënës, gratë do të kishin të “njëjtën gjë” në të njëjtin moment. Ideja se sateliti ynë ndikon në çështjet femërore, lind nga fakti se kohëzgjatja e periudhës që çon në maturimin e qelizës vezë (rreth 28 ditë) dhe e hënëzimit (29 ditë e gjysmë) duket njëlloj.
Vlera të ngjashme, por jo të mjaftueshme për të qenë në fazë: në harkun kohor të dy muajve, fenomenet do të çorientoheshin me tri ditë dhe pas dhjetë muajsh, me rreth 50 ditë. Kjo mjafton për të kuptuar se mes dy fenomeneve nuk ka asnjë lidhje.
Prerja e flokëve i rrit më shpejt ata
Nuk është e vërtetë, flokët nuk zgjaten më shpejt pas kalimit të gërshërëve në ta. Kjo, sepse e vetmja pjesë aktive e flokëve, ajo që mund të rregullojë pra zhvillimin e tyre, është gjëndra e folikulave, një strukturë komplekse, e cila prodhon lëkurën dhe e cila gjendet në rrënjët e flokëve. Pra, prerja e flokëve nuk ndikon në asnjë mënyrë në folikula. Flokët zakonisht rriten me shpejtësi 1 cm në muaj. E vetmja gjë e cila mund të rregullojë fijet e flokut, është eliminimi i majave të dëmtuara ose atyre me “dy koka”. Kështu, floku juaj do të bëhet më i bukur.
Kemi vetëm pesë shqisa
Kjo është e gabuar, sepse në të vërtetë, shqisat janë më të shumta. Është vendndodhja; kjo është shqisa e cila na lejon të ndiejmë pozicionin e trupit tonë dhe të adaptojmë për pasojë tensionin e muskujve dhe pozicionin e artikulimeve. Posedojmë edhe shqisën e ekuilibrit që në sajë të një zone të veçantë në tru (portikut të vendosur në veshin e brendshëm), trupit tonë i lejohet të përshtatë qëndrimin dhe lëvizjet.
Por, edhe kuptimi i temperaturës në një ambient është thelbësor. Këtë arrijmë ta bëjmë, sepse lëkura jonë është e pajisur me receptorë të ndjeshëm për të nxehtin dhe të ftohtin. Ndërsa për të ndier dhimbjen, në lojë hyjnë nociceptorët, mbaresat nervore të lira, të cilat gjenden në pothuajse të gjitha organet dhe lëkurë, por jo në tru.
Përdorim vetëm 10% të trurit
False. Truri është një organ i shtrenjtë nga pikëpamja energjetike dhe evolutive, ndaj nuk do të kishte asnjë kuptim që një grumbull i tillë qelizash nervore, të ishin të padobishme. Falsiteti i këtij miti, origjinën e tij e ka nga psikologu William James, sipas të cilit ne shfrytëzojmë vetëm një pjesë të vogël të burimeve mendore.
Kërcitja e gishtave shkakton artritin
Edhe kjo është e gabuar. Një mjek amerikan, Donald Unger, e ka treguar këtë pa asnjë hije dyshimi…duke sakrifikuar veten! Për rreth 60 vjet, çdo ditë, ai ka kërcitur gishtat e dorës së tij të majtë. Eksperimenti i tij në vitin 2009 ka fituar çmimin “Nobel” për Mjekësinë.
Njollat e bardha në thonj tregojnë mungesë kalciumi
Ndoshta janë pak antiestetike, por njollat e bardha në thonj nuk tregojnë aspak mungesë kalciumi në organizmin tonë. Për këtë, mjekët janë të bindur edhe falë një studimi të kryer nga Universiteti i Cardiff-it, duke marrë nën vëzhgim dietën e shumë personave. Sipas dermatologëve, njollat e bardha në pjesën më të madhe të rasteve janë si rezultat i traumave të vogla: flluska ajri, të cilat formohen nga goditjet e jashtme të thoit, pra indi i cili prodhon laminën e thonjve fshihet nën lëkurë.
Gjuha i ndien shijet në zona të ndryshme
Edhe kjo është një gjë e gabuar. Shijet ndihen në mënyrë të barabartë në të gjithë sipërfaqen e gjuhës, falë papillave të gjuhës (pjesëza të sipërfaqes së gjuhës). Mjafton të provoni pak kripë në çdo pjesë të saj dhe ju do të ndieni menjëherë shijen e kripës.