Mjekët e Dwamenas/ Kur të lënë të vdesësh për ca gola më shumë
Jeta e shkurtër e Raphael Dwamenës i ngjan një përpjekjeje të ethshme për të luajtur futboll, edhe pse mjekët e huaj përpiqen ta ndalin me çdo kusht. Ganezi ka qenë i gatshëm të paguajë çdo çmim dhe shansin ia dhanë vetëm mjekët shqiptarë: Të paguajë me jetë.
Në një foto që qarkullon pas vdekjes së tij në fushë, ai duket me një bluzë të zezë ku shkruhet “Jezusi nuk është një nga ato gjërat që bëhen në fundjavë”.
Pak kohë më parë, kur sapo kishte pësuar një humbje ndjenjash në fushë dhe vdekja po i trokiste në derë ai foli si një besimtar, që ia lë zotit të caktojë ditën kur do të vdesë. “Nëse unë vdes, ky është vullneti i Zotit. Unë jam larguar dhe kaq. I harruar. Njerëzit do të jenë të trishtuar për disa orë, ose ndoshta edhe disa javë. Por ata do ta kalojnë atë dhe do të vazhdojnë. Unë nuk e jetoj jetën time për t’i kënaqur njerëzit. Vetëm Zotin”, thoshte Dwamena.
Zemrën e sëmurë e kishte prej natyrës apo prej zotit, por detyra për ta ndaluar turravrapin e tij drejt vdekjes ishte e mjekëve.
Dhe në disa vende të botës, këta i kishin qëndruar detyrës. Megjithëse një talent i padiskutueshëm, mjekët e kishin ndaluar të dilte në fushë me rrezikun se zemra e tij nuk do ta përballonte dot.
Në gushtin e vitit 2017, talenti Dwamena ishte shumë pranë realizimit të ëndrrës së tij, që mbante emrin e Premier Ligës angleze. Skuadra e Brajton ishte gati ta merrte, por procedurat u ndalën pas testeve mjekësore. Aty u zbuluan problemet e lojtarit me zemrën. Ndonëse mjekët e paralajmëruan, ai vazhdoi të luante futboll dhe një vit më vonë u transferua tek Levante në Spanjë.
I huazuar tek Real Saragoza, lojtari nga Gana do të merrte një paralajmërim tjetër nga mjekët, se nuk duhej të luante më futboll. Kjo ndodhi pasi u rrëzua në fushë ku humbi ndjenjat. Pas kontrollit, mjeket i këshilluan tërheqjen e menjëhershme nga futbolli. Që pas kësaj, në fushë do të hynte me një kardioverter-defibrilator të implantueshëm (ICD) që ndihmonte zemrën e tij të funksiononte, por jo të sforcohej.
Goditjen e radhës e mori në Danimarkë, kur luante me Vejlen. Edhe aty një tjetër rrëzim për shkak të problemeve me zemrën, që pasohet nga ndalimi i mjekëve për të luajtur futboll. Për shkak të gjendjes së zemrës, Vejle konfirmoi se Dwamena nuk mund të luante më.
Ndërsa në Austri, te Linz, ganezi humbi ndjenjat në fushë gjatë një ndeshjeje kupe. Mjekët vendosën sërish që afrikani duhej ta braktiste futbollin profesionist, pasi zemra e tij mund të mos e përballonte më. “Zoti gjithmonë ka menduar mirë me mua”, tha Dwamena asokohe.
Mbërritja në kampionatin shqiptar ishte një surprizë. Pakkush e dinte sekretin se pse një talent që kishte luajtur në La Liga tani po i ofronte shërbimet e tij për Egnatian. Megjithëse nuk ishte e vështirë të zbuloheshin problemet e tij dhe eksperiencat në disa nga skuadrat e huaja, gjendja e tij u kalua në heshtje. Dwamena ishte golashënuesi më i mirë i Egnatia-s dhe kjo mjaftonte.