Momenti kur u pastrua mjegulla

Ka një kuriozitet të natyrshëm për protestën që prej më shumë se dy javësh po vazhdon në Tiranë dhe në qytete të tjera. Si ka mundësi që një masë kaq heterogjene njerëzish u bë bashkë? Si ka mundësi që në të njëjtin shesh po dalin njerëz që, në kushte të tjera, do të ishin kundërshtarë politikë, ideologjikë, kulturorë, madje edhe personalë? Dhe pse pikërisht Zvërneci e solli këtë moment? Pse jo momente të tjerë më herët?
Po jap një mendim timin modest për këtë. Për herë të parë qytetarët panë qartë, pa mjegull. Po e shpjegoj.
Së pari, njerëzit janë më shumë të ngjashëm sesa të ndryshëm. Të gjithë kemi nevojë për ajër, ujë, ushqim, siguri, pronë, dinjitet, mundësi për fëmijët, qetësi për pleqtë, dhe një vend ku të mos ndihesh i tepërt. Kur këto nevoja bazike nuk janë në rrezik, ne gjejmë kohë të merremi me dallimet tona. Zihemi për bindje politike, për shije, për histori personale, për parti, për liderë, për ekrane televizive, për sport, për protagonistë të ditës.
Por kur rrezikohet themeli, dallimet bëhen të vogla. Për shembull, në një familje njerëzit grinden me njëri-tjetrin. Por nëse familja kërcënohet nga jashtë, grindjet pezullohen. Kur një qytet kërcënohet nga një padrejtësi e përbashkët, njerëzit e lënë mënjanë mërinë e brendshme. Kur rrezikohet vendi nga ndonjë agresion i huaj, ndasitë lokale zbehen. Dhe nëse nesër do të kërcënohej i gjithë njerëzimi, edhe luftërat brenda llojit do të dukeshin të vogla.
Pra, armiku i përbashkët është faktor bashkues.
Në protestë ka të majtë, të djathtë, të zhgënjyer, indiferentë të djeshëm, aktivistë të vjetër, të rinj pa parti, qytetarë që nuk i besojnë më asnjë flamuri partie, ambientalistë, banorë, profesionistë, prindër, studentë, emigrantë që flasin nga larg dhe njerëz që deri dje nuk kishin dalë kurrë në shesh.
Ajo që i bashkon nuk është një program i përbashkët politik, por njohja e një rreziku të përbashkët. Ky rrezik nuk është vetëm një resort, apo gardh. Nuk është laguna apo plazhi. Zvërneci u bë simbol sepse në të u përqendrua i gjithë modeli që bashkon arrogancën e pushtetit, mungesëne transparencës së vendimmarrjes, kapjen e pasurive publike, futjen e pronave në dorë të krimit, heshtja e politikës, heshtja e medias, lehtësia me të cilën natyra trajtohet si mall privat.
Ky model ka një skemë të qartë. Politika prodhon ligje, leje, privilegje, status strategjik, tolerancë institucionale dhe mbrojtje administrative. Kapitali spekulativ i kthen këto privilegje në asete private, tokë, ndërtim, resort, koncesion, kullë, port, aeroport, rrugë, plazh. Media, e varur nga paraja, lejet e ndërtimit, statusi strategjik, tenderat dhe marrëdhënia me pushtetin, prodhon debat të rremë. Krimi i organizuar sjell para të pista e të shpejta, presion, frikë, ndërmjetës dhe ndikim. Pastaj paratë kthehen sërish në politikë, në media, në influencë dhe në imunitet.
Kështu krijohet një makineri e mbyllur. Krimi mbështet politikën. Politika hap dyert për kapitalin spekulativ. Kapitali financon ndikimin mediatik. Media mban publikun të hutuar. Publiku ndahet në kampe artificiale. Dhe në fund, të gjithë, si pa kuptuar, humbasin natyrën, pronën publike, besimin, ekonominë e ndershme, të ardhmen e fëmijëve dhe të drejtën për të jetuar në një vend që nuk shitet me llokma.
Por dikush mund të pyesë me të drejtë. Ky armiku i përbashkët sot lindi?. Ky model ishte këtu edhe më parë. Pse nuk e pamë më herët? Pse nuk e kuptuam më parë që kemi më shumë gjëra të përbashkëta në rrezik sesa arsye për t’u ndarë?
Sepse ka të paktën dy mekanizma që punojnë çdo ditë për të prodhuar përçarje.
Mekanizmi i parë është loja e politikës së vjetër, sidomos binomi Rama-Berisha. Kur këta përplasen, realisht apo teatrialisht, publiku merr anë. Nis tifozllëku. Njëri mbrohet, tjetri urrehet. Dhe kështu, publiku harron se nuk po sheh dy botë të ndryshme, por dy pole të të njëjtit sistem që e kanë ushqyer njëri-tjetrin për dekada.
Mekanizmi i dytë është media. Çdo ditë, sidomos në prime time, media prodhon një temë, një sherr, një studio, një konflikt, një spektakël. Qytetari ulet për të marrë informacion dhe del me një armik të ri në tavolinë. Debaton me familjarin, me komshiun, me mikun, me kolegun. Debaton për politikë, për reality show, për sport, për personazhe, për akuza, për statuse, për thashetheme, për çdo gjë që i hidhet si karrem.
Dhe kështu, armiku i përbashkët fshihet pas zhurmës së përditshme dhe nuk duket. Në vend që të shohim sistemin që na grabit, shohim njëri-tjetrin si problem.
Dhe pikërisht këtu Zvërneci krijoi çarjen e madhe në fasadë. Sepse kjo aferë përfshinte emra dhe interesa ndërkombëtare shumë të ndjeshme, politika nuk mund të luante lojën e zakonshme. Rama kishte interes ta mbronte projektin si akses në rrethin e familjes Trump. Berisha, për arsye të ngjashme politike, nuk dilte dot kundra. Kështu, binomi klasik i përçarjes heshti.
Edhe media heshti. Televizionet e mëdha, të lidhura me interesa ndërtimi, leje, status investitori strategjik, tendera, koncesione, favore dhe frikë nga pushteti, nuk folën dot Zvërnecin.
Dhe ndodhi diçka vërtet e rrallë. Ppër disa ditë, dy fabrikat kryesore të zhurmës heshtën.
Në atë heshtje, qytetarët panë njëri-tjetrin. Pa ndërmjetësinë e ekranit, pa komandën e partisë, pa atë studion që të thotë me kë duhet të zihesh sonte. Pa liderin që të cakton armikun e ditës. Njerëzit panë njëri-tjetrin në sy dhe kuptuan se kishin qenë gjithë kohën në të njëjtën anë të gardhit.
Këtu erdhi edhe vala e përhapjes së pamjeve shokuese nga Zvërneci. Jo ato pamjet abstrakte me akuza korrupsioni. Jo vendime qeverie që i lexojnë vetëm juristët. Por pamje të thjeshta, brutale dhe të kuptueshme për këdo. Njerëz që tërhiqen zvarrë nga roje private në një plazh që rrethohet me tela me gjemba, që trajtohet sikur i përket një superfuqie private, ku edhe polici trajtohet si legen.
Kaq mjaftoi. Sepse ai ishte momenti kur njerëzit nuk panë më vetëm Zvërnecin. Panë të gjithë Shqipërinë dhe jetëne tyre. Panë lagjen e tyre, taksat e tyre, pensionin e prindërve, ikjen e fëmijëve në emigrim, spitalin publik, shkollën publike, gjykatën e ngordhur, kadastrën e çatrafiluar, bashkinë hajdute, policinë që nuk duam, median që bën sikur na do, politikën dhe biznesin të lidhur ngushtë.
Dhe e bukura është që një herë që e sheh diçka, nuk mund ta ç’shohësh më. Nuk mund të kthehesh kollaj në gjendjen e mëparshme. Nuk bindesh dot më se problemi është “pala tjetër”. Nuk bindesh më se media që hesht për grabitjen e pasurisë publike është vërtet media. Nuk të bind dot as opozita që ta shohësh si alternativë. Nuk të bind as qeveria që ta shohesh sikur nuk tallet me qytetarët por po punon për ta me vetëmohim.
Ky është momenti i qartësisë. Dhe kjo shpjegon pse protesta nuk shuhet.
Tani makineria e zhurmës dhe përçarjes po përpiqet të rindizet. Media u rikthye te zhurmat e saj. Politika kërkon të fusë duart në protestë. Individë brenda dhe rreth saj po përpiqen të prodhojnë konflikte të vogla. Ka denoncime personale, dyshime, akuza, tentativa për përçarje, përvetësim, devijim, radikalizim ose diskreditim. Kjo ishte e pritshme. Por nuk është aspak problem.
Problemi real i sistemit është se mesazhi tashmë ka dalë. Dhe nuk ka kontroll që e vë prapë në zap. Edhe si mikrofoni në shesh për shembull, dëgjohet deri në disa rreshta. Pastaj humbet. Por protesta nuk është më ajo që thuhet në mikrofona e studio. Protesta është ajo që ndodh në turmë. Është brohorima që lind vetë. Është pankarta që shkruhet nga një fëmijë. Është qytetari që vjen pa parti dhe shpreh të gjithë talentin e tij në humor, ironi, zell. Është emigranti që del në një qytet europian me flamingo në dorë. Është familja që merr fëmijën në shesh.
Mesazhi i vetëm i rëndësishëm është vetë populli në rrugë. Ai del kundër modelit. Prandaj thirrjet kundër pozitës dhe opozitës së vjetër nuk janë paradoks. Janë logjike.
Zvërneci nuk bashkoi njerëzit sepse të gjithë u bënë ambientalistë brenda natës me algoritme iraniane dhe para greke. I bashkoi sepse aty u pa më qartë se kurrë se shteti, media, politika dhe krimi nuk janë çështje të ndara. Janë pjesë të së njëjtës makineri. Dhe në çastin kur makineria u ekspozua, njerëzit e panë se nuk kishin qenë kundërshtarë të njëri-tjetrit. Kishin qenë viktima të së njëjtës zhurmë.
Kjo është arsyeja pse Zvërneci solli momentum. Sepse për pak ditë ra zhurma, u pastrua mjegulla dhe u pa fytyra e vërtetë e modelit.
Tani nuk ka më kthim pas. Mund të ketë lodhje, përçarje të vogla, tentativa për kapje, provokime, shpifje, etiketime, ftesa false për dialog dhe spektakle televizive për ta kthyer popullin sërish në tifozëri. Por diçka ka ndryshuar. Një pjesë e madhe e qytetarëve e ka parë skemën lakuriq.
Dhe një shoqëri që e ka parë qartë armikun e përbashkët nuk bindet më aq lehtë të zihet për armiq të sajuar. Ky është suksesi dhe kuptimi politik i protestës. Populli doli nga mjegulla dhe pa se çfarë po i ndodh. Kjo mjafton për të nisur një epokë të re vetëdijeje.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.