Ekonomia

Moody’s: Ekonomia shqiptare perspektivë të qëndrueshme, rimëkëmbja të fortë pas tërmetit e pandemisë

Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kredibilitetit “Moddy’s” rikonfirmon vlerësimin e ekonomisë shqiptare në “B1 – me perspektivë të qëndrueshme”, në rifreskimin e publikuar së fundmi (13 prill).

Agjencia vlerëson se rimëkëmbja ekonomike pas pandemisë ishte e fortë, me bazë të gjerë pasi gjatë goditjeve të tërmetit dhe pandemisë u ruajt stabiliteti makroekonomik.

Kontraktimi i PBB në 2020 (gjatë pandemisë) ishte më i zbutur dhe rimarrja gjatë 2021 ishte më e fortë se sa pritshmëritë fillestare të agjencisë.

Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) u rrit me 8.5 % në 2021, duke tejkaluar tashmë nivelin e PBB para tërmetit dhe pandemisë.

Ndërsa rritja e fortë e PBB parashikohej të vazhdonte në 2022 dhe 2023 duke u mbështetur nga një rimëkëmbje e mëtejshme në sektorin e turizmit dhe kërkesa e brendshme e qëndrueshme, agjencia ka rishikuar në ulje parashikimin e saj të rritjes së PBB në përkatësisht 3.4 % dhe 3.6 %, (nga 4.5 % dhe 4.0 % që e kishte më parë), për shkak të ndikimit ekonomik negativ, kryesisht indirekt, të konfliktit ushtarak Rusi-Ukrainë dhe sanksionet ndërkombëtare të vendosura ndaj Rusisë.

Çmimet/kostot më të larta të energjisë dhe inputeve të tjera bazë krijojnë presione të qenësishme inflacioniste që reflektohen në një kërkesë të brendshme më të dobët, si dhe reduktojnë rritjen ekonomike të vendeve të origjinës së turizmit në Shqipëri.

Ndërkohë, agjencia vlerëson se borxhi publik, pasi u rrit në nivelin 74.5 % të PBB në vitin 2020 për shkak të goditjeve të pandemisë dhe tërmetit, filloi të bjerë sërisht në vitin 2021 në nivelin 73.2 %. Agjencia parashikon se kjo trajektore rënëse e borxhit publik do vijojë edhe me tej dhe parashikon një nivel prej 72.6 % dhe 72.3 % respektivisht për vitet 2022 dhe 2023.

Gjithashtu, agjencia vlerëson se, pavarësisht nga rritja e borxhit (gjatë pandemisë), parametrat e përballueshmërisë së borxhit [shërbimit të borxhit] për vitet 2022 dhe 2023 do vijojnë të jenë në nivelet e parapandemisë (me shpenzime për interesat e borxhit publik sa 7.6 % e të ardhurave buxhetore) dhe më poshtë sesa mesatarja e dekadës së fundit (prej 9.7 %).

Agjencia parashikon që inflacioni i çmimeve të konsumit të mbetet mbi 5 % në pjesën e mbetur të vitit 2022 dhe më pas të zbutet në 3.5 % në fund të vitit 2023. Për vitin e plotë 2022 dhe 2023, agjencia parashikon që inflacioni i çmimeve të konsumit të jetë përkatësisht 5.3 % dhe 3.8 %, pas nivelit prej 2.1 % të regjistruar në 2021.

Perspektiva “e qëndrueshme” e Shqipërisë sipas vlerësimit të agjencisë, përveç se reflekton rekuperimin e fortë ekonomik pas pandemisë dhe rikthimin në trajektoren rënëse të borxhit publik, mbështetet gjithashtu edhe nga pritshmëritë e agjencisë për një risk të kufizuar të aftësisë likuide si të sistemit bankar ashtu edhe të qeverisë, nga pritshmëria e vazhdimësisë së politikave, veçanërisht në kontekstin e reformave në kuadër të procesit të integrimit drejt Bashkimit Evropian (BE), si dhe pritshmëria për një nivel të moderuar të imbalancave të jashtme.

Ndërkohë, agjencia është e opinionit se perspektiva ekonomike për 2022-2023 mbetet e rrethuar nga një paqartësi e lartë për shkak të konfliktit të vazhdueshëm ushtarak Rusi-Ukrainë dhe rrezikut të një përshkallëzimi të mëtejshëm dhe/ose zgjerimit të konfliktit.

Megjithatë agjencia vlerëson se ekspozimi i Shqipërisë ndaj Rusisë prej ndërvarësisë energjetike apo tregtisë është i ulët.

Në afatgjatë, agjencia është e opinionit se aftësia e vendit për të vijuar në mënyrë të qëndrueshme procesin e konvergimit të nivelit të të ardhurave për banorë drejt niveleve që kanë vendet e BE, do të varet nga suksesi i qeverisë në vijueshmërinë e implementimit të reformave strukturore.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button