Opinion

“Mos” caktoni datë për pranimin e Shqipërisë në BE!

Nga Viktor Malaj

“Armiqtë e Shqipërisë janë shqiptarët, jo të tjerë” – Faik Konica

Thirrja më e fundit që PD-ja, ose më saktë një klikë në krye të saj, i bëri KE të mos caktojë datë për hapjen e bisedimeve për pranimin e Shqipërisë në BE më shtyu edhe mua të “bashkohem” me këtë tufë “atdhedashësish” të klasit më të lartë. Pasi u vetëshpallën në 1990 si europerëndimorë dhe na dëshmuan qenien e tyre në nivelet e rendit fisnor; pasi dolën me parullën “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” dhe sapo e morën në dorë e bënë anëtare të Konferencës Islamike; pasi na premtuan parajsën e modernen dhe na sollën kaosin dhe gjendjen parashtetërore, tani këta përfaqësues autentikë të regresit dhe rrënimit moral të shoqërisë duket se janë të pakënaqur me faktin që politika evropiane po sheh mundësinë e pranimit përfundimtar të Shqipërisë në federatën e kontinentit.

Mua nuk më bën fare përshtypje marrëzia e tyre intelektuale dhe mjerimi i tyre moral pasi ne i njohim shumë mirë cilët janë dhe çfarë përfaqësojnë; jo çfarë përfaqësojnë me fjalë, por me sjellje dhe me vepra. 26 vjet kanë qenë të mjaftueshëm për ne për t’i njohur. Nuk i njohin vetëm të lënët mendërisht dhe të ligjtë moralisht. Këta po, nuk i njohin se iu shëmbëllejnë. Janë pikërisht këta sharlatanë që e kanë çuar Shqipërinë disa herë deri në zgrip në përpjekjet e tyre antidemokratike, imorale dhe kriminale për të marrë medoemos pushtetin dhe, në raste të tjera, për ta mbajtur me çdo mjet. E patën shpënë në prag të luftës civile, jo një herë por disa herë dhe kurrë nuk u ndëshkuan.

Ato që të bëjnë përshtypje në kërkesën e tyre antipopullore dhe vetëdemaskuese janë “arsyet” pse këta politikanë të turpit i kërkojnë Evropës shtyrjen për në kalendat greke të derëhapjes për Shqipërinë. T’i kërkosh establishmentit evropian mospranimin e Shqipërisë në të deri sa të realizohen pesë kushtet e tyre, përveç një marrëzie fëmijërore është edhe një karshillëk që i bëhet Brukselit zyrtar nga ata që ia kanë sjellë në majë të hundës deri tani me sjelljet dhe veprimet e tyre banditeske dhe shumëfytyrëshe. Këta besojnë se Brukseli nuk i njeh kush janë dhe se gjithë elita politike evropiane mendon si nja 4-5 pleq të Parlamentit Evropian që po të ishte në dorën e tyre Shqipëria nuk do të pranohej në BE as në vitin 2030.

Ironia më e madhe është kur klika në krye të PD-së i kërkon KE-së të kushtëzojë hapjen e negociatave me “zgjedhjet e lira”. Domethënë, këta birbo i thonë Brukselit të mos bëjë hapa të mëtejshëm edhe për të paktën një vit. Mirëpo kush janë këta “dashnorë” dhe “gardianë” të zgjedhjeve të lira? Ne i njohim mirë se na janë shpërfaqur cullakë sa e sa herë. Janë pikërisht ideatorët dhe ekzekutorët kryesorë të falsifikimeve dhe dhunimeve zgjedhore më flagrante të Shqipërisë së këtyre 26 viteve. Në aneksin e kullës së tyre politike qëndron sufleri dhe tutori i tyre Sali Berisha, i cili njihet nga gjithë populli shqiptar dhe bashkësia ndërkombëtare si dhunuesi i zgjedhjeve të përgjithshme të korrikut 1996. Ky flamurmbajtës i fjalimeve demokratike dhe kampion i dhunimeve antidemokratike dhe kriminale, në skenë dhe prapaskenë, përshkruhej në korrespondencën diplomatike amerikane të vitit 2009 si “kreu i trukimit të zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri”.

Kur Shqipëria ishte nën sundimin e tij, Sekretarja e Shtetit e SHBA-së, zonja Klinton thoshte se: “Popullit shqiptar i është hequr mundësia të ndërrojë lirisht qeverinë e vet”. Pas tij, ndonëse i pari në skenë, vjen beniamini dhe vegla e tij qorre dhe pa dinjitet, Lulzim Basha i cili, jo vetëm ka qenë gjithmonë dhe për gjithçka dakord me të, por edhe është përfituesi i drejtpërdrejtë i falsifikimit të hapur të votimeve për bashkinë e Tiranës në vitin 2011.

Këta predikues të moralit dhe drejtësisë dhe autorë e përfitues të padrejtësisë kanë gjetur individin Aldo Bumçi, dinjitoz si “një zagar gjahu” (vlerësim i ambasadës Amerikane), për të përcjellë në Bruksel kërkesa që dëmtojnë Shqipërinë dhe lënë pa mend Evropën për shkallën e lartë të papërgjegjshmërisë kombëtare. Ky farë politikani, i cili, kur ishte ministër, ia përcillte shkresat zyrtare shtetërore edhe djalit të kryeministrit për ta bindur këtë të fundit se ishte shërbëtor i denjë dhe i pavirtytshëm i një individi dhe i një qeverie antidemokratike. Ky individ, pra, i shfaqet tani politikës evropiane si bartës i mendimeve dhe praktikave demokratike.

E vetmja pikë ku unë do iu jepja të drejtë mocionistëve të regresit është kërkesa për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit. Shqipëria do ta ketë të vështirë, në mos të pamundur, të mbërrijë atje ku duhet për aq kohë sa në parlamentin shqiptar dhe politikën shqiptare do të vazhdojnë të jenë ata që kanë dhunuar zgjedhjet politike; ata që kanë burgosur, plagosur e vrarë kundërshtarë politikë; ata që kanë nxitur luftën civile veri-jug dhe urdhëruar përdorimin e  aviacionit dhe Lëndëve Helmuese Luftarake kundër popullsisë civile në mars 1997; ata që patën sulmuar dhe marrë me forcën e armëve dhe tankeve me formacionet bashibozuke, të mbledhur nëpër periferitë e qyteteve e fshatrave, thuajse gjithë institucionet qeveritare në shtator 1998; ata që vranë protestues të pafajshëm në janar 2011 dhe fshehën provat dhe penguan drejtësinë; ata që kanë penguar drejtësinë në ndëshkimin e fajtorëve të ngjarjes së Gërdecit dhe që i kanë bishtnuar drejtësisë për përgjegjësinë e tyre në shpërdorimin e 230 milion eurove në rrugën Milot-Kukës; ata që patën nënshkruar marrëveshje antikombëtare me Greqinë për dorëzime territori etj.

Dhe këta janë individë politikë të mirënjohur nga opinioni shqiptar e i huaj e me emra të përveçëm janë: Sali Berisha, Lulzim Basha etj. Largimi i elementëve të tjerë thuajse është bërë plotësisht por, si ardhja ashtu edhe largimi i tyre nga parlamenti nuk ka lënë ndonjë shenjë të dukshme ndërsa largimi dhe ndëshkimi i autorëve të krimeve me pasoja gjithëkombëtare është detyrim historik, moral dhe politik. Përndryshe, mënjanimi apo largimi vetëm i “buburrecave politikë” nuk do i sjellë kurrfarë përmirësimi të dukshëm xhunglës politike shqiptare. Zhgënjimi popullor ndaj proceseve demokratike por edhe ndaj kontributit perëndimor do të thellohet edhe më shumë.

Të largosh nga parlamenti një deputet që ka dhunuar një nen të ligjit për zgjedhjet duke përfituar njeë tender dhe të lejosh që dhunuesi permanent i shumicës së shqiptarëve të vazhdojë të bëjë moralistin dhe udhërrëfyesin, kjo është hipokrizi dhe përdorim spektakolar i standardeve të dyfishta në vlerësimin e njerëzve, sjelljeve dhe veprave të tyre.

Një nga gjërat më qesharake dhe hipokrite të kërkesës së PD-së drejtuar KE-së është edhe fakti se ata që bënë çmos të pengonin reformën në drejtësi dhe që tani nuk po lënë gur pa luajtur për të penguar apo vonuar miratimin dhe zbatimin e ligjeve të asaj pakete, ata i kërkojnë politikës evropiane që të mos e fillojë procesin e anëtarësimit në BE pa pritur zbatimin e Reformës në fjalë. Është kulmi i pafytyrësisë dhe sharlatanizmit politik.

Prandaj politikanët e lartë evropianë duhet të vendosin të jenë ose me popullin shqiptar dhe të ardhmen e tij progresive ose ta lënë Shqipërinë peng të atyre që përfaqësojnë të shkuarën kundër të ardhmes, hipokrizinë kundër sinqeritetit, regresin kundër zhvillimit. Stabiliteti politik i një vendi vjen nga konsolidimi i tij demokratik dhe përafrimi me vendet shembulldhënëse dhe jo nga lënia e atij vendi në gjendje amullie, pritjeje dhe dëshpërimi. Një vend, stabiliteti politik dhe e ardhmja demokratike e të cilit mbahen peng nga destabilizuesit e tij, ai vend mund dhe duhet ndihmuar vetëm nëpërmjet injorimit të zërit dhe mendjes së autorëve të kaosit dhe ndëshkimit të veprave të tyre. Hapja e negociatave dhe pranimi më pas i Shqipërisë në federatën politike evropiane do të jetë hapi më i sigurt për ta bërë një vend realisht evropian.

Hapja e negociatave do sjellë pashmangshëm kthjellimin e mendjeve dhe pastrimin e politikës shqiptare nga gurëvënësit në rrotat e zhvillimit. Ata që besojnë se një njeri që lihet pas derës duke pritur do të mësojë më shpejt sjelljet mondane, sesa një njeri që lejohet të futet në “pallatin mondan” ku sheh dhe i imponohen sjelljet e duhura, ata janë individë apo politikanë që nuk kanë mësuar asgjë nga procedurat dhe praktikat e “zbutjes së kafshëve”. Vetëm tek të tillë individë dhe politikbërës evropianë mund të zënë vend thirrjet “Mos caktoni datë për hapjen e negociatave….!”.

Related Articles

Comente

  1. Naivitet shqipetar dhe nderkombetar.Si mund qe kopeja e hajduterise te fashizmit te sali Berishes dhe e hajduterise ne Gjykaten kushtetutese te miratojne vetingun?Nato te sillet ne tirane dhe te bombardohen familjet e Plehrave te PD fashiste dhe anetaret e gjykates kushtetutese.Te shpetohet populli shqipetar nga roberia fashiste.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button