Opinion

Mos pyet google (map) se të degdis në Qafë të Murrizit!

Nga Lutfi Dervishi

Një ngjarje që do ta bënte edhe Kafkan të skuqej, ndodhi sot në rrugën e Arbrit. Kjo rrugë hapja e së cilës është inauguruar me valle e tupana më 28 nëntor 2021, e premtuar për t’u hapur plotësisht në prill të 2022- u bllokua sot nga një makinë e vetme- një trajler turk.

Trajleri u identifiku që te ura e Brrarit nga Sateliti “Albania 1”, por motivet e këtij intinerari mbeten të paqarta.

Ndoshta i entuziazmuar se do të kalonte në zonat ku Hajredin Pasha kishte lënë kokën bashkë me ushtrine, një shofer nga Anadolli në trajlerin e të cilit valëvitej flamuri i Turqisë e pa veten të bllokuar në majë të qafes së Murrizit, pa shpresë se mund të levizte, as majtas as djathtas, as para as pas, ndërsa nga një makinë tjetër degjohej “vetëm përpara”

Shoferi, një Odise i pavetëdijshëm për kërkimin e tij, zbuloi se për të shkuar në Maqedoni, kishte një rrugë më të shkurtër se ajo e “Korridorit tetë”. I tunduar nga vetë Google Maps, orakulli modern i Delfit, shoferi nisi aventuren drejt Itakes se tij. Por udhëzimi dixhitalo- hyjnor, nuk e çoi në tokën e premtuar, por e braktisi në Qafë të Murrizit, duke bllokuar dhjetëra automjete dhe duke krijuar një nyje gordiane trafiku që as Skenderbeut modern i Shqipërisë nuk mund ta zgjidhe.

Vetë shoferi mohoi të ishte drejtuar nga google map. Ai tha se kishte parë lajmet tre vite më parë kur festa per hapjen e rrugës i ngjante dasmes se Princit në Angli

Kritikët dhe satiristët menjëherë u kujtuan ka 13 vjet që punohet natë ditë në këtë kantier.
“Është rruga e ardhmërisë,” tha një plak nga Zall Dajti, “dhe gjithmonë do të jetë e Ardhmerise.” Ju të rinjte fluturoi pak dhe harroni se jetoni në të tashmen dhe jo të ardhmen”.
“Nuk është se rruga nuk është e përfunduar; rruga ka perfunduar, por ende nuk është hapur. Me falni është e kundërta, rruga është e hapur, por nuk ka përfunduar – tha një burre nga Dibra që si çdo dibran nuk kuptohej nëse e kishte seriozisht apo po tallej me turkun.”

Në një deklaratë që mund të vinte vetëm nga analet e optimizmit të qeverise, një zyrtar i tranportit e siguroi publikun se rruga ishte “pothuajse e hapur”, “pothuajse e përfunduar”, “pothuajse e kalueshme” dhe se “këto pengesa të vogla janë pjesë e udhëtimit drejt përparimit të pandalshëm.”

Ndërkohë, trajleri turk në mënyrë jozyrtareështë propozuar të quhet “Anija e Tezeut”. Mbetet për t’u parë nëse do të ruajë identitetin e tij deri në momentin që do të hapet rruga apo do të shndërrohet në një monument stacionar të ironisë.

Ndërsa në rrjet ka shperthyer ironia me trajlerin turk, për ne, arnautet, rruga e Arbrit është një kujtese Hyjnore se të gjithë jemi kalimtare në rrugën e jetës—ndonjëherë të bllokuar, shpesh të hutuar, gjithmonë të mashtruar, por gjithmonë me shpresë që në kantieret ku punohet ditë e natë prej 10 vitesh, do të vij dita të perfundojë ndonjë rrugë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button