Kendi i Kikos

Kiko nis punë si guide turistike

Nga Lutfi Dervishi

Majmuni Kiko me të marre vesh që u mbyll per katër vite Muzeut Historik Kombëtar vendosi të lëre portin e Sarandes dhe të nisë punë si guide Turistike në Kryeqytet.

Një grup miks të huajsh që u gjendën Tiranë per një samit të rëndësishëm për luftën në Lindjen e Mesme ishin “klientët” e parë të Kikos.
Vendtakimi me njëri-tjetrin ishte sheshi Skënderbej. Stacioni pare, Muzeu Historik Kombëtar. Këtu, tha Kiko me një ton serioz, permblidhet historia 100 vjeçare e Tiranës. Në anën e djathtë timen ju shihni ndikimi rus, pallatin e Kultures, përballë meje shihni ndikimin kinez (hotel 15 kateshi), dhe pas dhe në të majtë timen është ndikimi italian (godinat qeveritare dhe banka Kombetare). Por gjurmet me të pashlyera në sheshin Skenderbej, vijoi Kiko, i ka ndikimi oligarkeve. I shihni kullat rreth e rrotull?! Nuk keni parë gjë akoma…
Pas këtij prezantimi mbresëlënës grupi i turisteve i prire nga Kiko u ndal te Muzeu Historik Kombëtar. Këtu tha Kiko kemi menduar një seance meditimi. Muzeu do të jetë i mbyllur per 1460 ditë, por do të hapet sërish me 28 mars, 2028, ora 18:15! Ka një debat sepse qeveria ka kërkuar të hapet më herët në orën 17:30, por kompania fituese e tenderit thotë se ka llogari të sakta.
Këtu ju jeni të lirë të përsiateni për të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e këtij vendi që ka çarë rrugën e historisë me shpatë në dorë.
Pak metra më tej është cirku i Tiranës – vijoi Kiko duke bërë një akrobaci si të ishte duke u kacavjerrur në pemë.
Ku se nuk po e shohim – pyeti një turist aziatik.
Ka qenë – tha Kiko por e zuri ndikimi i oligarkëve. Ku ishte cirku do të bëhet një kullë e bukur, ndërsa tani cirku këtu bëhet në politikë.
Stacioni i dytë i ndalesës tonë do të jetë Teatri Kombëtar.
Turistët ndaluan para një kantieri të mbyllur dhe shikonin rreth e rrotull për Teatrin.
Po të ishit me fat dhe të vinit 4 vite përpara do të shihnit godinën e Teatrit. Godina është shembur, nga i Madhi fare, por teatri vijon.. Teatri i vunë rruspat më 2020, por, sipas opozitës do të ngrihet: “aty ku ishte dhe ashtu si ishte”, ndërsa sipas qeverisë Teatri do të jetë një gjë e pa parë. Deri më tani ky është premtim i mbajtur vijoi Kiko se askush nuk e ka parë Teatrin, por këtu vdesin për teatër. Teatri vijon here si komedi e here si tragjedia. Aktet luhen çdo natë në ekran me pjesëmarrjen e analistëve të merituar dhe komentatorëve popullorë, ndërsa dy herë në javë shfaqja bëhet Parlament.
Biblioteka Kombetare ishte stacioni i radhës për grupin turistik të samitit për “Lindjen e Mesme”.
Këtu nuk lejohet hyrja e majmunëve dhe lexuesve – tha Kiko. Ka dekada që nuk ka vend për lexuesit. Vendin e tyre e kanë zënë libra të shumtë historikë për lashtësinë e shqipes, libra për heronjtë e panumërt të këtij vendi. Një vend të posaçëm zënë volumet për historinë e krahinave, fshatrave, fiseve dhe familjeve.
Stacioni i tretë i qëndrimit ishte Galeria e Arteve. Edhe këtu vijoi Kiko duhet të flakni përtacinë dhe të vini në punë imagjinatën se çfarë ka aty brenda. Galleria është mbyllur para 3 vjetësh për ristrukturim, por do të hapet mandatin e 4-t të qeverisë.
Para se të ndalonin për drekë, Kiko u tregoi turistëve edhe Instatin:
Këtu po ruhet një sekret që e dinë të gjithë shqiptarët- tha Kiko- duke bërë një pauzë për të rritur rëndësinë e asaj që do të kumtonte. Sipas censusit të fundit, në Shqipëri rezultojnë 1 milionë e 470 mijë kokë njeriu, por qeveria ka dhënë urdhër që kjo do të bëhet publike 9 muaj më pas, pra në qershor. “Shifrat do t’i rregullojnë – tha Kiko, problem mbeten faktet”. Po ju lutem mos e bisedoni as me njëri tjetrin këtë gjë se është sekret. INSTAT, aktualisht është hapur, dhe ne mund të hyjmë aty por nuk shohim dot asgjë sepse nuk punon asnjë kompjuter. Faqja e institucionit ka rënë poshtë dhe me këtë rast është plotësuar edhe një nga kërkesat e opozitës: poshtë INSTAT!
Një turist italian filloi të flsite përçart Muzeu mbyllur, Biblioteka mbyllur, Galeria mbyllur, Teatri mbyllur, INSTAT mbyllur, kinemaja mbyllur, …çfarë do të shohim ne këtu?
Mos u mërzitni – i ngushëlloi Kiko, nesër do t’iu tregoj pse nuk ka nevojë ky vend për muze.

Pjesa e dytë….

Kiko u shpjegon turistëve pse nuk duhen muzetë.
Në ditën e dytë të turit, majmuni Kiko u takua me turistët po te sheshi Skënderbej
Sot nga ky shesh ju do të mësoni se pse nuk duhen muzetë në këtë vend. Këtu ju po shihni me sytë tuaj, Skënderbeun heroin kombëtar me kalë dhe me shpatë, por para tij në këtë vend ka qenë Baba Stalini me kapotë e mustaqe. Bulevardi që keni përpara në drejtim të Veriut, sot quhet Zogu i I, dhe quhej Bulevardi Stalin dhe pardje ka qenë Bulevardi Musolini. Me baba Stalinin na lidh edhe një zonë në Tiranë, zona e 21 dhjetorit, dita e datëlindjes së tij, por le të mos shkëputemi nga sheshi vijoi Kiko: Pallatin e Kulturës që shihni në të majtën time, vetëm katin e parë bënë sovjetikët, katin e dytë e ndërtuan kinezët, ndërsa katin e tretë e mbaruam me forcat tona. Kurse aty ku shihni Muzeun ka qenë godina e Bashkisë së Tiranës.
Përgjatë Bulevardit në krahun e majtë ju shihni ministrinë e Drejtësisë, por ajo ka qenë Hotel Arbëria. Pak më poshtë është stacioni i trenit, pa stacion dhe pa tren. Treni Tiranë- Durrës, niset në Vorë, sqaroi Kiko turistët gojëhapur.
Ambasada e Vatikanit ka qenë ambasada e Kubës, ndërsa rezidenca e ambasadorit italian ka qenë muzeu Lenin- Stalin. Ministria e Arsimit ka qenë ambasadë sovjetike. Ndërsa Ministria e Kulturës ka qenë Kinostudio.
Sot do të shohim edhe një muze tjetër, Shtëpinë e gjetheve, që ka qenë seli përgjimesh e Sigurimit të Shtetit, por në kohën e Mbretërisë dhe Luftës Dytë Botërore ka qenë klinikë private gjinekologjike. Ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka qenë Martenitet. Spitali ushtarak ka qenë stallë e kuajve të ushtrisë italiane. Po kështu edhe Akademia e Policisë.
Këtu çdo godinë rënkon nga pesha e historisë -tha Kiko ndërkohë që nisi shpjegimin nga ana jugore e Bulevardit të madh. Kjo që shihni është Presidenca, por kjo godinë këtu ka qenë ambasada ruse, vepër që nuk arritën ta mbaronin dot sepse u prishën marrëdhëniet. Ndërsa kjo bina e madhe që duket se është universitet ka qenë lugotenenca fashiste dhe më pas ish komandatura gjermane.
Kjo ndërtesa e bukur që sot nuk kuptohet se çfarë është dikur ka qenë hotel Dajti, ndësa përballë është Taivani. Shqipëria nuk e njeh Taivanin, por ka një lokal/zonë me këtë emër.
Po të hapni google map tani, vijoi Kiko do të kujtoni se jeni te godina e Ministrisë së Jashtme, por kjo këtu ka qenë dikur hotel për punonjësit kinezë. Sa mbaruan së ndërtuari hotelin u prishën marrëdhëniet me Kinën.
Përballë MPJ, ju shikoni drejtorinë e policisë, por këtu ka qenë hotel Arbana, ndërsa Gjykata e Apelit ka qenë dikur komisariati nr 1 i policisë dhe më parë zjarrëfikëset e Tiranës.
Parlamenti ka qenë ish pallati mbretëror, ndërsa pallati i princit ka qenë për një kohë pallati i pionierëve.
Kiko vijoi me shpjegimin e historisë së godinave, rrugëve dhe rrugicave të Tiranës dhe vendosi të mbyllë ditën duke u shpjeguar turistëve domethënien e “Zogut të Zi”. Pasi shpjegoi me detaje domethënien, shtriqi putrat dhe pyeti:
E kuptoni tani pse këtu nuk duhen muzetë?
Në këtë vend nuk ka nevojë për muze të mbyllur, ne jemi muze në qiell të hapur.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button