Kronika

Moti i keq, tri qytete pa energji elektrike

Ndërprerje në Shkodër, Vlorë dhe Fier. OSHEE: Po punohet për riparimin e defekteve

TOSHIBA Exif JPEGDefektet dhe remontet në nënstacionet elektrike kanë sjellë mungesë të energjisë në tri qytete gjatë ditës së djeshme, duke shkaktuar reagim te banorët, të cilët shprehen se nuk ishin njoftuar. Qyteti i Shkodrës, Fierit dhe Vlorës mësohet se janë përfshirë nga mungesa e energjisë elektrike, ndërkohë që burimet zyrtare të OSHEE-së kanë dhënë shpjegimet përkatëse për secilin rast.

Fillimisht kanë qenë banorët e Shkodrës, të cilët kanë deklaruar në media se u ishte ndërprerë energjia elektrike që prej mëngjesit, pa i njoftuar njeri, ndërkohë që për shkak të mungesës së energjisë elektrike, ishte shkëputur edhe furnizimi me ujë. Kjo situatë mësohet se ka zgjatur pak orë, por burimet zyrtare të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike thanë se ishin bërë të gjitha njoftimet e nevojshme për këtë ndërprerje. Sipas tyre, që prej të premtes ishte njoftuar se do të kryheshin remonte pikërisht në nënstacionin “Shkodra 1” dhe për këtë arsye nuk do të furnizoheshin me energji elektrike disa lagje dhe ujësjellësi i qytetit. Madje, rezulton se njoftimi zyrtar ishte bërë edhe në faqen online të OSHEE-së. Por, drejtori i Ujësjellësit të Shkodrës, Leonard Kepi, ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë njoftim për mungesën e energjisë elektrike. “Nuk jemi njoftuar për ndërprerjen e energjisë. Mungesa e ujit, problem për spitalet dhe zjarrfikëset”, bëri të ditur Kepi. Po ashtu, ndërprerje të energjisë elektrike ka pasur edhe në disa zona të Vlorës. Mungesa e energjisë në qytetin bregdetar mësohet se nuk ka zgjatur në kohë, por OSHEE-ja tha se ka ndodhur për shkak të një defekti dhe menjëherë janë marrë masat për riparimin e tij dhe rikthimin e energjisë elektrike për qytetarët.

Ndërkaq, qyteti i Fierit ka pasur shkëputje të energjisë elektrike për dy ditë radhazi, për shkak të defekteve në nënstacionet elektrike që pasojnë njëra-tjetrën, duke e bërë të pamundur për punonjësit e operatorit të sistemit të transmetimit, stabilizimin e situatës. Mbrëmjen e së dielës, rreth orës 20:30, energjia elektrike u shkëput për tri lagje të Fierit, ndërkohë që dje, rreth orës 19:00, rreth 700 familje të qytetit kanë mbetur në terr. Sipas banorëve, gjatë 48 orëve të fundit, pjesa më e madhe e qytetit të Fierit është furnizuar me energji elektrike për pak orë gjatë ditës. Nga burime pranë operatorit të sistemit të transmetimit është mësuar se shkak i ndërprerjes së energjisë elektrike mbrëmjen e së dielës ka qenë një defekt në një prej nënstacioneve elektrike të qytetit të Fierit. Ndonëse mbrëmjen e së dielës zyra e OSHEE-së Fier sqaroi për mediat se kishte nisur puna për riparimin e defektit, energjia elektrike në tri lagjet “Apolonia”, “15 Tetori”, “Kastrioti” dhe në rrethinat e tyre u rikthye vetëm mesditën e djeshme. Për disa orë ka pasur shkëputje dhe lidhje të energjisë, derisa mbrëmjen e djeshme, rreth orës 19:00, pjesa më e madhe e qytetit është e zhytur sërish në terr. Ndërkohë, në gjithë qytetin është rikthyer zhurma e gjeneratorëve që përdoren prej subjekteve tregtare dhe të shërbimeve për të mundësuar ushtrimin e aktivitetit të tyre. Sipas punonjësve të OST-së, defektet mendohet të jenë shkaktuar si pasojë e mbingarkesës së rrjetit gjatë ditëve të fundit, kur ka pasur edhe reshje dhe një ulje të lehtë të temperaturave.

Për këtë situatë të krijuar në qytete të ndryshme kanë reaguar edhe banorët, të cilët shprehen se mungesa e energjisë elektrike ka bllokuar aktivitetin e përditshëm të tyre. Ata shtojnë se mungesa e energjisë ka sjellë për pasojë edhe mosfurnizimin me ujë të pijshëm, pasi pjesa më e madhe e pallateve shumëkatëshe përdorin pompat shtytëse që kanë nevojë për energji elektrike të vihen në punë. Si pasojë e mungesës së energjisë janë dëmtuar gjithashtu edhe bizneset tregtare, ku mjaft produkte dhe nënprodukte që konservohen në frigorifer rrezikojnë të kthehen në të pakonsumueshme

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button