Kronika

Motrat helmojnë familjen, i vënë flakën shtëpisë dhe ikin me paratë e vjedhura

Dy motra të mitura ndëshkojnë familjen për të krijuar terrenin e duhur të largimit nga shtëpia. I helmojnë, djegin shtëpinë dhe largohen për në një aventurë të pakuptimtë, duke marrë dhe kursimet e familjes. Në bashkëpunim ose jo me persona të tjerë, dy motrat Kajtazi me banim në lagjen 15 të Durrësit kanë krijuar një situatë kritike shëndetësore për prindërit dhe motrën e madhe dhe ndërsa ato ndodheshin nën kujdes mjekësor në spital, i kanë vënë zjarrin shtëpisë. Kanë marrë paratë e familjes, si dhe telefonat celularë dhe janë larguar në drejtim të paditur.

Zhdukja e vajzave

Historia e denjë për një studim psikosocial mbi adoleshencën dhe ndikimet e faktorëve të brendshëm e të jashtëm në të është zbuluar nga një informacion paraprak mbi denoncimin e prindërve për rrëmbimin e mundshëm të dy vajzave të vogla të shtëpisë, Orialda Kajtazit 18 vjeçe dhe K.K 14 vjeçe. Ky denoncim ka detyruar policinë të hedhë dritë mbi ngjarjen e regjistruar më 15 korrik të këtij viti. Atë datë, rreth orës 14.30, në lagjen nr. 15 të Durrësit janë helmuar nga ushqimi tre pjesëtarë të familjes Kajtazi, përkatësisht kryefamiljari Hiqmeti 49 vjeç, gruaja e tij, Anila 39 vjeçe dhe Alketa, vajza e madhe 20 vjeçe. Nga spitali i Durrësit tre të helmuarit nga ushqimi që kanë konsumuar në drekë janë dërguar në Tiranë. 12 orë më vonë, në 2.30 të datës 16 korrik është njoftuar djegia e shtëpisë së Hiqmet Kajtazit. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë dhe zjarrfikësja, të cilat kanë bërë të mundur fikjen e zjarrit. Nga ana e policisë nisi hetimi për zbulimin e shkaqeve të rënies së zjarrit.

Nga zjarri ka pasur vetëm dëme materiale, pasi në shtëpi nuk ka pasur njerëz në momentin e zjarrit. Prindërit dhe motra e madhe kur janë kthyer në shtëpi e kanë gjetur atë të djegur, ndërsa vajzat e vogla ishin larguar nga shtëpia, duke marrë me vete 400 mijë lekë (të reja), 800 euro, pasaportat dhe kartat e identitetit të Alketës dhe Orialdës dhe sendet e tyre personale, si dhe 4 celularë. Nga hetimet që ka kryer grupi hetimor rezulton se vajzat i kanë vënë zjarrin banesës dhe më pas janë larguar. Që nga 16 korriku, policia ka shpallur në kërkim dy vajzat dhe ka nisur hetimet për “zjarrvënie të qëllimshme” dhe “vjedhje në bashkëpunim”. Nga efektivat e Komisariatit të Policisë Durrës vazhdon puna për gjetjen e tyre dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Prindërit në polici

Në ambientet e Komisariatit të Policisë Durrës një ditë pas ngjarjes babai 49-vjeçar, Hiqmet Kajtazi, ka bërë deklaratën e tij ku shpjegon gjithçka që i ka ndodhur dhe konstatuar pas kthimit në shtëpi. Pasi kanë ngrënë drekë, më datën 15 korrik, ai së bashku me bashkëshorten e tij, Anila dhe vajzën Alketa nuk janë ndjerë mirë, ndërsa dy vajzat e tjera, Orialda 18 vjeçe dhe vajza e vogël me iniciale K .K. 14 vjeçe nuk kanë pasur shqetësime. Të njëjtat shpjegime në policinë e Durrësit ka dhënë edhe bashkëshortja e Hiqmetit, Anila, në deklarimin e saj. Në këto kushte, policia ka shpallur në kërkim dy vajzat, për të cilat ende nuk ka informacion nëse ato e kanë kaluar kufirin shqiptar, apo ndodhen ende në Shqipëri. Gjithashtu, policia nuk ka dhënë detaje në lidhje me motivin e këtij krimi të kryer nga dy adoleshentet dhe për konfliktet e mundshme që ato kanë pasur në familje. Të gjitha këto pritet të sqarohen pas gjetjes së dy vajzave, që tashmë janë në toplistën e të humburve nga policia e Durrësit.

Dëshmia e babait

Nga ana tjetër, Babai i dy motrave Kajtazi ngre shqetësimin në media se vajzat e tij mund të jenë mashtruar në rrjetet sociale. Hiqmet Kajtazi, thotë se bashkë me bashkëshorten dhe vajzën e madhe kishin shkuar në spital, pasi dy vajzat më të vogla i kishin hedhur ilaç gjumi. Ai nuk pranon që vajzat e tij të jenë rrëmbyer nga ndonjë i dashur e të jenë larguar, por ka frikë se mund të jenë mashtruar, pasi sipas tij ato nuk dilnin ngashtëpia. “Nuk e di ku kanë shkuar, dyshoj se janë mashtruar në rrjetet sociale. Policia dhe prokuroria kanë heshtur për këtë çështje, madje prokurori i çështjes nuk më ka pritur në zyrë. Vajza 18­vjeçare e kishte lënë shkollën, por ato s’kishin ndonjë lidhje dashurie, pasi nuk dilnin nga shtëpia. Ato na hodhën ilaç gjumi prandaj ikëm në spital. Policia më tha, do kthehen vetë kur t’i mbarojnë lekët”, rrëfen Hiqmet Kajtazi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button