Kosova

Mustafa: VV’ja mund të shkaktojë incidente me NATO-n

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka vlerësuar se procesi i demarkacionit të kufirit të vendit me Malin e Zi është në rregull, dhe se duhet të kryhet si obligim, ngaqë Kosova rrezikon liberalizimin e vizave.

Mustafa ka shkruar në faqen e tij zyrtate në Facebook se “sot e kësaj dite, asnjë qytetarë i Rugovës nuk e dëshmoi se një metër katrorë tokë e tij, e cila është administruar deri tani në Kosovë, ka kaluar në Mal të Zi. Asnjë kompani private as publike, asnjë agjension qeveritar dhe as Komuna e Pejës”.

Kryeministri gjithashtu ka përmendur edhe aksionin e fundit të Vetëvendosjes, me vendosjen e tabelës mirëseardhëse të Kosovës në vendin ku ata pretendojnë se është kufiri ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, transmeton Gazeta Express.

Ai ka shkruar se ekziston “rreziku që Kosova të futet në një cikël ku individët mund të shkaktojnë incidente kufitare me një vend mik, anëtar të NATO-s”.

Ky është shkrimi i plotë i Mustafës në rrjetin social:

“Kosova duhet ta bëjë shënimin e kufirit me Malin e Zi. Kundërshtarët e demarkacionit, të cilët herë thonë se Kosova i humbi 12,000 e herë 8,000 hektarë duhet të tregojnë se kush ishte zotëruesi i këtyre hektarëve të humbur. 

Sot e kësaj dite, asnjë qytetarë i Rugovës nuk e dëshmoi se një metër katrorë tokë e tij, e cila është administruar deri tani në Kosovë, ka kaluar në Mal të Zi. Asnjë kompani private as publike, asnjë agjension qeveritar dhe as Komuna e Pejës. Nëse nuk është zvogëluar Komuna e Pejës, dhe zyrtarët e kësaj komune thonë se ajo nuk është zvogëluar por i ka rreth 602.8 km katror, atëherë ku u gjetën këta hektarë të humbur. Kosova nuk ka edhe një komunë ndërmjet Pejës dhe kufirit me Malin e Zi. 

Ndërkaq, nëse siç pretendojnë disa gjeograf, është humbur një tokë e cila ka qenë as e Kosovës dhe as e Malit të Zi, atëherë edhe në këtë rast nuk mund të thuhet se është humbur tokë e Kosovë, por shansi për të marrë një tokë. Por po ashtu është një e pavërtetë e madhe se ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi ka pasur tokë të askujt.
Është jo racionale dhe e dëmshme që kufiri të caktohet me kutin e patriotëve dhe tradhtarëve. Me këtë kut ne mund të flasim për kufirin këndej, jo andej në Mal të Zi. Sepse atje në dhjetëditëshin e parë të korrikut do të jetë kufi me një vend të NATO-s. 

Qytetarët tanë dhe përfaqësuesit e tyre në Kuvend duhet ta dinë qartë se demarkacioni është një obligim yni para bashkësisë ndërkombëtare, obligim edhe për liberalizim të vizave. Nuk është çmim për liberalizim, sepse askush nuk e ka argumentuar asnjë metër te territorit të Kosovës se po epet për viza. Por nëse nuk bëhet demarkacioni Kosova do të humb shansin për të lëvizur pa viza. Ndërkaq ekziston , po ashtu, rreziku që Kosova të futet në një cikël ku individët mund të shkaktojnë incidente kufitare me një vend mik, anëtar të NATO-s. 

Procesi i demarkacionit nuk përmbyllet me ratifikimin e tij, në çdo rast kur dikush në Kosovë argumenton se ka bazë ligjore për të kërkuar korrigjim, kjo mund të bëhet , në harmoni edhe me deklarimin e Malit të Zi.”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button