Politika

Mziu bllokon paratë për komisionerët e majtë

Bashkia nuk shpërndan paratë e akorduara nga KQZ: Nuk kanë paguar taksat vendore

Bashkia e Kamzës refuzon të paguajë komisionerët e majtë që u angazhuan në zgjedhjet vendore të 21 qershorit që u zhvilluan në këtë bashki. Shkak për këtë janë bërë taksat e papaguara bashkiake nga anëtarët e majtë të këtyre komisioneve dhe përmes një urdhri të brendshëm të nxjerrë nga kryebashkiaku i saporizgjedhur i Kamzës, Xhelal Mziu, mësohet se likuidimi i parave të akorduara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është bllokuar, me argumentimin se pjesa më e madhe e komisionerëve të majtë figurojnë debitorë në arkëtimet e kësaj bashkie. Prej afro 10 ditësh, mësohet se KQZ-ja ka miratuar fondin e pagesave për të gjithë komisionerët që u angazhuan në zgjedhjet për Bashkinë e Kamzës, fond ky që, sipas ligjit, duhet të shpërndahet nga bashkia. Por, pas verifikimit të emrave të personave që përfitojnë nga ky fond i KQZ-së, mësohet se të penalizuarit janë komisionerët e majtë, pasi gjatë këtyre ditëve, të parët që i kanë marrë këto para kanë qenë pikërisht komisionerët e djathtë. Burime nga komisionerët e majtë thanë dje për gazetën “Shqip” se vetëm disa prej komisionerëve të majtë i kanë tërhequr këto para dhe këtë kanë arritur ta realizojnë falë ndërhyrjeve familjare apo miqësore që ata kanë me përfaqësuesit e djathtë apo në Bashkinë e Kamzës. Ndërsa pjesa tjetër e komisionerëve të majtë nuk e tërheq dot shumën e përcaktuar me ligj, që bashkia është e detyruar t’ua japë, me argumentin se ata nuk kanë paguar taksat bashkiake. Sipas të dhënave zyrtare, në zgjedhjet e 21 qershorit që u zhvilluan në Bashkinë e Kamzës u ngritën gjithsej 83 komisione të qendrave të votimit, të cilat përbëheshin nga shtatë anëtarë dhe sekretari i komisionit. Nisur nga këto, rezulton se gjithsej më 21 qershor janë angazhuar 664 komisionerë dhe sipas përcaktimeve, në Kodin Zgjedhor 332 janë përzgjedhur nga e majta dhe 332 nga e djathta. Sipas ligjit, një anëtar për pjesëmarrjen e tij në komisionet e qendrave të votimit ditën e zgjedhjeve paguhet 3000 lekë të reja, sekretari 3200 lekë të reja, ndërsa kryetari 3500 lekë të reja. Nisur nga kjo pjesëmarrje, rezulton se shuma që KQZ-ja i ka akorduar Bashkisë së Kamzës për t’ua shpërndarë komisionerëve rezulton të jetë 2 050 100 lekë të reja, nga të cilat gjysma e tyre shkon për komisionerët e majtë. Pra, janë rreth 1 milion lekë të reja që Bashkia e Kamzës, me urdhër të kryetarit të saj, Mziu, refuzon t’ua shpërndajë pikërisht njerëzve që administruan procesin zgjedhor, nga i cili vetë Mziu u shpall fitues. Ndërkaq, kjo shumë që nuk u shpërndahet komisionerëve të majtë mund të jetë më e vogël, pasi nuk dihet saktësisht se sa prej të majtëve rezultojnë “debitorë” në bashkinë që administrohet nga e djathta.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button