Naço paraqet strategjinë e qeverisë për drejtësinë : Reformim KLD-së, Gjykatës së Lartë dhe Këshillit të Prokurorisë
Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço deklaroi të hënën se ndryshimet ligjore në sistemin e drejtësisë nuk ezaurojnë konceptin dhe vizionin e qeverisë për reformën në drejtësi. “Vizioni i qeverisë shqiptare mbështetet fort në garantimin e respektimit të parimit të kontrollit dhe balancës së pushteteve”, tha Naço në tryezën e rrumbullakët “Reformimi i Sistemit Gjyqësor në Shqipëri,” organizuar nga Presidenti i Republikës dhe Ministria e Drejtësisë. Reforma jonë, tha ai, do të përqendrohet në reformimin e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë; Këshillit të Lartë të Drejtësisë; Konferencës Gjyqësore Kombëtare; Këshillit të Prokurorisë; Shkollës së Magjistraturës dhe Edukimit Juridik Universitar; si dhe në reformimin e organizimit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë. Për arritjen e këtij objektivi madhor, vijoi ministri i Drejtësisë fjalën e tij, kërkohet kontributi i të gjithë aktorëve të sistemit të drejtësisë në këtë proces, vlerësimi i mendimit dhe ekspertizës të shoqërisë civile, ekspertizës të misioneve të asistencës të partnerëve ndërkombëtar (veçanërisht misionit Euralius ) përfshirë Komisionin e Venecias, ndërveprimi i Legjislativit me Ekzekutivin dhe ngritja e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar për Reformën Ligjore (përfshi edhe një grup ekspertësh të nivelit të lartë) pranë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
“Të gjithë jemi dëshmitarë të një klime të përgjithshme mosbesimi ndaj sistemit të drejtësisë në tërësi. Në këtë drejtim, nuk kanë munguar as kritikat e faktorit ndërkombëtar, të shoqërisë civile, apo ato të opinionit publik, të cilët presin më shumë drejtësi dhe efiçencë nga të gjithë aktorët e drejtësisë”, u shpreh ministri Naço.
Institucionet më të rëndësishme të sistemit të drejtësisë, vijoi ministri Naço, shfaqin dukshëm problematikë në funksionimin e tyre dhe për këtë arsye, të ndërgjegjshëm për situatën tepër kritike, ne bëmë disa ndryshime në Ligjin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë. “Ndërkohë që jemi po kaq të vetëdijshëm që këto ndryshime nuk e ezaurojnë thelbin e reformës në sistemin e drejtësisë, por erdhën më së shumti si një nevojë për të frenuar papërgjegjshmërinë në funksionimin e këtij Këshilli. Këto ndryshime, në thelb, nuk janë asgjë tjetër, veçse transpozim i dispozitave të akteve nënligjore që vetë KLD ka miratuar me vendime të tij, por faktikisht të pazbatuara. Ligji i ri parashikoi qartë që anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare, të mos transferohen ose ngrihen në detyrë gjatë ushtrimit të mandatit të tyre, si dhe një vit pas mbarimit të këtij mandati. Kjo me qëllimin e vetëm për parandalimin e konfliktit të interesit, pasi në praktikën e deritanishme ka raste të promovimit të vetë anëtarëve të KLD-së përgjatë ushtrimit të mandatit të tyre, siç është rasti i emërimit të Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, emërimit të anëtarit të KLD-së në Këshillin Drejtues të Shkollës së Magjistraturës, emërimit të një anëtari të KLD-së në Gjykatën e Apelit, por që u la në heshtje dhe nuk u dekretua nga Presidenti i Republikës, për shkak të presionit pozitiv të faktorit ndërkombëtar, si dhe emërimit të një anëtari të KLD-së, anëtar i Gjykatës së Lartë”, deklaroi ministri Naço
Po ashtu, sipas ministrit Naço, ky ligj parashikon qartë që shqyrtimi i procedimit disiplinor të bëhet brenda një muaji nga data e depozitimit të dokumentacionit përkatës nga Ministri i Drejtësisë pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pasi në praktikën e zakonshme të këtij Këshilli, kërkesat për procedim disiplinor të Ministrit të Drejtësisë nuk janë shqyrtuar nga KLD-ja dhe për më shumë se dy vjet.
Ministri i Drejtësisë sqaroi se në ndryshimet e miratuara kanë përcaktuar rregulla të qarta, për vendet vakante për pozicionin e Kryetarit të gjykatës, duke garantuar që i gjithë procesi i emërimit të një Kryetari Gjykate të përfundojë brenda 3 muajve. “Në shtator të vitit 2013, konstatova se nga 28 kryetarë gjykatash, 21 kryetarë vazhdonin të komanduar, të deleguar për 3, 4, 5 apo 6 vjet. Ndryshimet e miratuara do t’i japin fund përfundimisht praktikës abuzive dhe antiligjore të komandimit të Kryetarëve të Gjykatave për vite të tëra, në krye të tyre për qëllime presioni dhe klienteliste, si dhe garantimin e transparencës në veprimtarinë e KLD-së”, theksoi ministri Naço.
Sipas tij, në frymën institucionale të bashkëpunimit dhe ligjshmërisë kushtetuese të institucioneve të pavarura, nën parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve nga njëra anë, por dhe të parimit të ligjshmërisë nga ana tjetër, u bënë ndryshimet ligjore në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, ku me propozim të Presidentit të Republikës, si zëvendës kryetar i KLD-së, të zgjidhet një nga anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi. “Një praktikë kjo e konsoliduar, që nga viti 2002, e përforcuar me qëndrimin e mbajtur nga ish Ministri i Drejtësisë, në kërkesën drejtuar Presidentit të Republikës në vitin 2012, ku shprehej qartë se “zv/ kryetari i KLD-së duhej të zgjidhet një nga anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi”. Këto ndryshime ligjore kanë riprodhuar ekzaktësisht, pa i hequr asnjë presje, qëndrimin zyrtar të mazhorancës së djeshme. Në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2006 nëpërmjet Ministrit të Drejtësisë dhe Presidentit të Republikës, në procedurën e përzgjedhjes së zv/ kryetarit aktual të KLD-së. Këto ndryshime jo vetëm që nuk prekin pavarësinë e këtij institucioni, por në të kundërt vendosin disa rregulla, të cilat përmirësojnë veprimtarinë e këtij Këshilli”, sqaroi ministri Naço.
Dhënia e statusit të vendit kandidat, u shpreh ministri Naço, na shton angazhimin për përmbushjen e reformave në sistemin e drejtësisë, me vullnetin e përbashkët politik të maxhorancës dhe të opozitës, për të kryer reformat, duke respektuar në çdo rast Kushtetutën dhe standardet më të mira Evropiane.