Ekonomia

Naftëtarët/ Kushtet e daljes në pension, si dhe shpërblimet e tjera financiare

Nga Pranvera Kola 

Nisin procedurat e dhënies së vërtetimeve të posaçme të vjetërsisë në punë për të gjithë personat e punësuar në industrinë e naftës dhe të gazit.

Organet e sigurimeve shoqërore bëjnë me dije se të gjithë personat që kanë qenë të punësuar në këtë sektor dhe që aktualisht janë në kushtet për pension pleqërie duhet të pajisen me vërtetimin përkatës të vjetërsisë në punë, nëpërmjet të cilit do të sigurojnë edhe përfitimet përkatëse që rrjedhin tashmë nga zbatimi i statusit të naftëtarit.

Për të siguruar këtë vërtetim, çdo person duhet që të dorëzojë kërkesën përkatëse pranë strukturave rajonale të sigurimeve shoqërore që mbulojnë vendbanimin e tyre. E drejta për marrjen e statusit të punonjësit të industrisë së naftës dhe të gazit lind që nga data e fillimit të punës në këtë sektor.

Ndërkohë që njihet si vjetërsi në punë, si punonjës i industrisë së naftës e të gazit për efekt shpërblimi dhe përfitimi financiar, si dhe përfitimi nga sigurimet shoqërore, periudha e punës e kryer në këtë sektor, e cila duhet të vërtetohet sipas dokumentacionit të përcaktuar, ku një ndër to është edhe marrja e këtij vërtetimi.

“Në kuadër të zbatimit të Statusit të Punonjësve të Industrisë së Naftës dhe Gazit, Instituti i Sigurimeve Shoqërore nis procedurën e dhënies së vërtetimeve të posaçme të vjetërsisë në punë si punonjës të industrisë së naftës. Të gjithë personat që kanë qenë punonjës në këto sektorë dhe aktualisht janë në pension pleqërie, duhet të paraqiten pranë sporteleve në Agjencitë Lokale të Sigurimeve Shoqërore pranë vendbanimit të tyre për të depozituar kërkesën për pajisjen me këtë dokument”, bëjnë me dije organet zyrtare të Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Do të jetë po ky institucion që do të përcjellë edhe kopjet e dokumenteve përkatëse pranë Ministrisë së Energjetikës, e cila është përgjegjëse për ndarjen e dëshmive të statusit për të gjithë këta punonjës. “Për të eliminuar çdo vonesë dhe ecejake të qytetarëve, ky vërtetim së bashku me kopjen e njësuar me origjinalin e librezës së punës do të dërgohet zyrtarisht nga Drejtoritë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore pranë Komisionit të Posaçëm, në Ministrinë e Energjetikës dhe Industrisë, që do të bëjë pajisjen me Dëshminë zyrtare të Statusit të Naftëtarit’, konfirmohet më tej nga ISSH.

Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin përkatës, statusin e përfitojnë të gjithë e punonjësit që kanë punuar dhe punojnë në industrinë e naftës dhe të gazit,si dhe të gjithë ata persona që janë të aksidentuar në punë, pavarësisht kohëzgjatjes së punës në këtë industri. Po sipas kushteve të diktuara në ligj, personat që përfitojnë statusin, duhet të pajisen me dëshmi zyrtare identifikuese, e cila lëshohet nga komisioni i ngritur për këtë qëllim pranë ministrisë përgjegjëse për industrinë e naftës dhe të gazit.

Për marrjen e kësaj dëshmie që vërteton statusin si naftëtar, ose ish-naftëtar kërkohen këto dokumente: “Për ish-naftëtarin, libreza e punës e shoqëruar nga një vërtetim i posaçëm zyrtar të lëshuar nga ndërmarrja, ose institucioni ku ka qenë i punësuar personi, e konfirmuar nga ministria përgjegjëse për industrinë e naftës dhe të gazit, në të cilin përcaktohen kryerja e aktivitetit të punës, si dhe kohëzgjatja e punës”.

Po të njëjtat dokumente duhen dorëzuar edhe nga personat që aktualisht janë në marrëdhënie punë në këtë sektor Për ish-naftëtarin që ka dalë në pension, vërtetimi i posaçëm lëshohet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe konfirmohet nga ministria përgjegjëse për industrinë e naftës dhe të gazit”.

Në ligj saktësohet më tej se për ish-naftëtarët dhe naftëtarët në marrëdhënie pune, konsiderohet punë në industrinë e naftës e të gazit edhe periudha e punës në të njëjtin profesion, ose ekuivalente me të, në dy shtete të tjera me të cilat vendi ynë ka marrëveshje në fushën e mbrojtjes shoqërore.

Kushtet e daljes në pension

Sipas ligjit kanë të drejtë të kërkojnë pension pleqërie, si punonjës të industrisë së naftës dhe të gazit, punonjësit të cilët plotësojnë këto kushte: Burrat që mbushin moshën 60 vjeç dhe kanë një periudhë të përgjithshme sigurimi 30 vjet e më shumë, nga të cilat jo më pak se 20 vjet punë janë kryer në industrinë e naftës dhe të gazit.

Këtë pension e përfitojnë edhe gratë që mbushin moshën 55 vjeç dhe kanë një periudhë të përgjithshme sigurimi 25 vjet e më shumë, prej të cilave jo më pak se 15 vjet pune duhet të jenë kryer në specialitetet e industrisë së naftës dhe të gazit.

Bëjnë përjashtim nga përcaktim, personat që kanë kryer punë si operator (përgjegjës kyçi) dhe ndihmësoperator (punëtor pastrimi), traktorist në brigadat e remontit nëntokësor të puseve të naftës e të gazit, kryesondator, pontist dhe punëtor i kyçit nëshpimin e puseve të kërkimit dhe të zhvillimit të vendburimeve, punonjësit në repartet e koksit të rafinerive të naftës dhe punëtorët e pastrimit të brendshëm të rezervuarëve, depove dhe cisternave të naftës në industrinë e përpunimit të naftës dhe të gazit.

Mosha e daljes në pension për këta persona është 55 vjeç për burrat dhe 50 vjeç për gratë dhe me periudhë të përgjithshme sigurimi 30 vjet e më shumë për burrat dhe 25 vjet e më shumë për gratë. Ndërkohë që vjetërsia në këto profesione duhet të jetë sa gjysma e vjetërsisë së përgjithshme.

Llogaritja e masës së pensionit

Pensioni do të llogaritet në bazë të kushteve të përcaktuara për këtë kategori në ligjin e sigurimeve shoqërore. Punonjësit e industrisë së naftës dhe të gazit që gëzojnë statusin e naftëtarit dhe që dalin në pension, ose kanë dalë në pension, përfitojnë shtesë pensioni në masën 1 për qind për çdo vit pune, por jo më shumë se 40 për qind të pensionit të pleqërisë.

Personi që kërkon të përfitojë pension sipas kushteve të reja të përcaktuara në status, e përfiton atë që nga data e lindjes së të drejtës për përfitim, kur kërkesa paraqitet brenda një viti nga data e lindjes së kësaj të drejte, si dhe nga data e paraqitjes së kërkesës, kur ajo paraqitet pas një viti pas lindjes së të drejtës për përfitimin e pensionit.

Autoritetet e sigurimeve shoqërore bëjnë me dije se personi që ka përfituar pension pleqërie, nuk ka të drejtë përfitimi të kësteve mujore të pensionit të pleqërisë për periudhën apo periudhat, gjatë të cilave ushtron veprimtari ekonomike si i punësuar, i vetëpunësuar, apo punëdhënës, me përjashtim kur vetëpunësohet në bujqësi.

Afatet mbi tërheqjen e përfitimeve

Specialistët e sigurimeve shoqërore bëjnë me dije se përfitimet e caktuara sipas kritereve të përmendura më lart, por që nuk janë tërhequr nga përfituesi, do të paguhen në çdo kohë, por jo më shumë se për 3 vjet. Përfitimet e caktuara, por të paguara më pak, jepen në çdo kohë deri në një periudhë tre vjeçare.

E drejta e organit kompetent për të kërkuar shumat e marra tepër gjatë një viti ushtrohet jo më vonë se 3 vjet nga data e marrjes së tyre, por jo më vonë se 6 muaj nga data e konstatimit. Masa e ndalesës për çdo muaj është 20 për qind e këstit mujor të pensionit.

Personast që kanë përfituar pension dhe kompensime në mënyrë e me mjete në kundërshtim me ligjin dhe që nuk njofton ndryshimin ose heqjen e masës së tyre, detyrohen ta kthejnë të gjithë shumën e marrë tepër.

Masa e ndalesës për çdo muaj është 50 për qind e këstit mujor të pensionit. Gjithashtu, personi dënohet me gjobë në masën katërfish të dëmit të shkaktuar, pavarësisht nga dënimi i parashikuar në dispozitën përkatëse të Kodit Penal.

Si caktohen pagat dhe shtesat mbi pagë

Paga e punonjësve të industrisë së naftës dhe të gazit përcaktohen sipas kontratës kolektive të punës dhe reflekton të gjitha detyrimet e Kodit të Punës, si dhe vështirësitë e veçanta që ka puna në këtë industri dhe ndikimin e saj në shëndet.

Në asnjë rast paga e punonjësve të industrisë së naftës dhe të gazit nuk mund të jetë më e ulët se 150 për qind e pagës minimale në shkallë vendi.

Shpërblimi financiar pas ndërprerjes së punës

Personat, që gëzojnë statusin e naftëtarit dhe që kanë vjetërsi pune mbi 20 vjet për burrat dhe mbi 15 vjet për gratë, e që janë të papunë, përveç përparësisë në punësim, kanë të drejtën edhe të përfitimit të një shpërblimi financiar.

Ky shpërblim në asnjë rast nuk mund të jetë më i vogël se sa 80 për qind e pagës minimale në shkallë vendi.

Personat, që gëzojnë statusin e naftëtarit dhe që dalin të papunë si rezultat i ristrukturimit të ndërmarrjes, apo për shkaqe që nuk lidhen me ta, gëzojnë përparësi në punësim dhe përfitojnë nga punëdhënësi një shpërblim financiar në masë dhe kohëzgjatje, sipas përcaktimeve të kontratës kolektive të punës, por jo më pak se 80 për qind të pagës minimale në shkallë vendi dhe jo më pak se tre vjet.

“Ish-naftëtar”

Është shtetasi që ka punuar në industrinë e naftës dhe të gazit në profesionin dhe punën e përcaktuar në vendimin nr. 526, datë 20.12.1958, të Këshillit të Ministrave, “Për ndarjen e punëve në kategori për efekt pensioni”, ish-punonjësit e uzinave mekanike të naftës dhe personeli inxhiniero-teknik, që kanë punuar në ish-ndërmarrjet e sistemit të naftës, si shpim-kërkim, shpim-shfrytëzim, prodhimit, sizmikës, gjeofizikës kantieriale, mekanikës, institutet gjeologjike dhe teknologjike, përpunimit, transportit me naftësjellës dhe gazsjellës.

“Naftëtar”

Është shtetasi që punon në industrinë e naftës e të gazit në profesionin dhe punën e përcaktuar në vendimin nr. 526, datë 20.12.1958, të Këshillit të Ministrave, “Për ndarjen e punëve në kategori për efekt pensioni”, punonjësit e uzinave mekanike të naftës dhe personeli inxhiniero-teknik, që punon në ndërmarrjet e sistemit të naftës, si shpim-kërkim, shpim-shfrytëzim, prodhimit, sizmikës, gjeofizikës kantieriale, mekanikës, institutet gjeologjike dhe teknologjike, përpunimit, transportit me naftësjellës dhe gazsjellës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button