Naiviteti politik i listës së ambasadorit Lu
Nga Aleksandër Çipa
Avokati i njohur, Spartak Ngjela, ndoshta më oratori në këtë me nder skenë politike të Shqipërisë së sotme, këto ditë lëshoi një kërkesë publike drejtuar ambasadorit amerikan në Tiranë, Shkëlqesisë së Tij, zotit Donald Lu. Në statusin e tij në “Facebook” (i qarkulluar në shumicën e mediave të vendit), avokati-politikan ndër të tjera, i kërkoi ambasadorit amerikan: “… Domethënë, për faktin që ju, dhe njëherësh politika amerikane, është e informuar për korrupsion në Shqipëri; tani ka ardhur koha për identifikimin e tij me anë të emrave të subjekteve të pushtetshëm dhe të korruptuar. Shqiptarët presin emrat që të shpallen nga ju, zoti ambasador. Kjo është gjendja shqiptare: duhet identifikuar korrupsioni, ngaqë ju po e shihni se situata po bëhet qesharake, sepse “të parët” në këtë luftë antikorrupsion, janë vetë pushtetarët apo ish-pushtetarët e korruptuar …”.
Kjo kërkesë ka shkaktuar reagime të shumta. Është një apel idealisti, prej një avokati-politikan, i cili qartazi e ka braktisur besimin apo shpresën se Shqipëria shtetërore mund të gjenerojë drejtësi antikorrupsion në këto kushte dhe përmes kësi kapjesh të pushteteve brenda saj. Në kërkesën e avokat Ngjelës, është eklipsuar gati plotësisht ndërgjegjja e tij profesionale si avokat dhe me një popullarizëm gati naiv është lëshuar apeli për një “shpëtim nga jashtë prej padrejtësisë së regjimit të korrupto-politikës së sotme shqiptare. Avokati-politikan thekson se aktualisht në Shqipëri, po lartësohet një sfidë e painjorueshme dhe natyrisht edhe ekzistenciale për drejtësinë dhe institucionalizmin në këtë vend. Kjo kërkesë zbulon lakuriq plotësisht krizën e besimit te politika shqiptare, te sistemi i drejtësisë dhe te ligj-ndëshkimi.
Si e tillë, kjo kërkesë po hedh idenë e parë këmbëngulëse për një investim rishtar amerikan për interesin jetik të Shqipërisë institucionale dhe sidomos për të rikthyer triumfin e ligjit në këtë shoqëri të vogël. Mjaft shtresa të krizës në këtë shoqëri mbulohen ose eklipsohen me minikriza që gjenerohen diabolikisht prej lojërave politike. Kjo klasë e rrezikshme e 25 viteve ka ndarë lojën e rotacionit në një mënyrë të tillë që duket se s’ka për t’i braktisur kurrë raundet e lojës. Kjo klasë po e çorodit “shoqërinë”, duke e mbajtur në gjendjen reale të një parashoqërie. Në këtë vend, prej gati dy vjetësh, qeverisësit ankohen për një sistem të shembur të drejtësisë dhe gjyqësorit. Pas ikjes së ministrit Nasip Naço nga posti ministror dhe zëvendësimi i tij me Ylli Manjanin, duket se një kapitull pauze vijon në marrëdhëniet ministër-KLD të kryesuar nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani. Kjo heshtje prologuese në postin ministror të zotit Manjani, bashkëshoqërohet nga procesi i reformës në drejtësi, ku palët po negociojnë draftin e konsultuar nga Komisioni i Venecias. Në të vërtetë, heshtja paraprake nuk është gjë tjetër veçse pauzë përgatitore për një debat dhe mosdakordësi të egër që do të shfaqet nesër. Kur themi nesër, nënkuptojmë fundmuajin janar dhe kohën pasuese. Palët partiake në vend janë mjeshtre të sajimit të konfliktit dhe të ndarjeve penguese. E gjitha kjo gjendje dhe situata si në skenar, parathotë krizën mosmarrëveshëse të reformimit të drejtësisë që pritet të kaplojë sërish skenën politike dhe ta kthejë Parlamentin e këtij vendi në një foltore pa orar për dikë dhe një mungesë pa arsye për dikë tjetër. Ky i dyti, nevojitet të jetë përditshmërish aty.
Matanë këtij skenari, avokat Ngjela dhe shumë idealistë të tjerë të mbetur në këtë vend e shohin me vend flijimin e pseudosovranitetit dhe zëvendësimin e tij të menjëhershëm me tutorizmin ndërkombëtar të zyrtarizuar. Mirëpo, demokracia amerikane investohet për demokracinë vijueshmërisht dhe për interesat posaçërisht. Në këtë vend, sjelljet e tilla shtetvrasëse dhe shembëse të klasës politike, kanë mbërritur në atë pikë sa realisht rreziku i humbjes së demokracisë po arrin pikën e kërcënimit të interesave. Në këtë skaj dhe skajshmëri papërgjegjshmërie, amerikanët janë fortësisht të interesuarit për mbrojtjen e interesit. Ne si qytetarë të vendit kemi nevojë të mbetemi të varur në shpresën se demokracia institucionale nevojitet si frymë ekzistence dhe si Tokë ku peshojmë. Në të kundërt, kostot e humbjes janë me portë të hapur dhe prej saj vijon të mërgojë liria jonë.
Kërkesa e avokat Ngjelës ndoshta duhet mbështetur me reagime më të mençura dhe institucionale. Ka mbërritur koha që inteligjenca e vendit dhe sidomos ekspertët tanë, ata që gjenden me kokrra këtu dhe sidomos ata që janë jashtë, të vihen në lëvizje për një entitet të ri lëvizësish dhe reaguesish, denoncuesish dhe akuzuesish me letra e fakte, me dokumente dhe prova. Shoqëria e munguar civile ka njerëz që ende artikulohen, ende janë në forcë interpretimi dhe denoncimi. Kjo shoqëri e munguar i ka disa njerëz, të cilët mund të bëhen bashkë për të krijuar forcën e parë të bilbilfryrësve kundër regjimit të korruptokracisë aktuale shqiptare. Korrupsioni i shtresëzuar, nëse lihet në rrjedhën e akuzave krahasuese: “Ata vodhën më shumë se këta që janë tani”, do të shembë përfundimisht edhe vlerën e letrave apo të kadastrave të ngatërruara shqiptare. Deri këtu duhet të mbesim, më tej po kryejmë krimin për fëmijët tanë dhe të paardhurit në jetë. Më pas do e kemi vështirë t’u rrëfejmë pasardhësve se ne jetuam në një shoqëri parashoqërore!
Por avokati ka të drejtë kur kërkon nga ambasadori amerikan që në lojën e reformimit të mos mbeten “të akuzuarit akuzues”, të mos pretendojnë instalimin e drejtësisë “kërcënuesit si kërcënues”. Kjo lojë e ka humbur inteligjencën, ajo e gjitha po vijon si një tallje. Dhe si e tillë ajo po merr peng kohën tonë fizike si njerëz dhe fatkeqësisht edhe shpresën tonë të ardhme si të tillë. Mirëpo kjo kërkesë dhe sidomos naiviteti idealist për listën që kërkon zoti Ngjela prej Shkëlqesisë së Tij, zotit Lu, vlen si detaj i qashtër për skicimin e Shqipërisë koniciane edhe pas 100 vjetësh, kur Konica nuk është më.