NATO-ja do ta mbrojë më mirë Evropën Lindore
“Frikësimi” sërish në rend të ditës. NATO-ja do të mbajë më shumë trupa në kufirin lindor. Takimi i nivelit të lartë të NATO-s të enjten dhe të premten synon t’ia largojë Rusisë oreksin për aventura ushtarake në Evropë.
Edhe këtë takim të nivelit të lartë do ta quajnë sërish historik, supozojnë diplomatë të lartë të NATO-s në përgatitjen e takimit të nivelit të lartë dyditor të NATO-s në Britaninë e Madhe. Historik, sepse për shkak të krizës së Ukrainës dhe të konfrontimit në rritje me Rusinë, NATO-ja do të nisë një ndryshim të plotë të prioriteteve të saj. 13 vitet e fundit, para së gjithash me angazhimin në Afganistan, në radhë të parë NATO-ja u përqendrua në përballimin e krizave jashtë territorit të Aleancës. Kurse tani do të bëhet fjalë sërish për mbrojtjen e atdheut në Evropë. Në fund të vitit 2014 misioni luftarak i NATO-s në Afganistan do të zëvendësohet nga një mision shumë më i vogël trajnimi.
“Ne po përgatitemi për fazën tjetër të NATO-s”, e shpjegon kryekomandanti i NATO-s në Evropë, gjenerali amerikan Philipp Breedlove situatën. “Ne po bëhemi nga një trupë në misione në botën e jashtme, në një trupë në gatishmëri. Ne do t’i sjellim në shtëpi trupat e stacionuara, natyrisht kursejmë para me këtë dhe një pjesë të këtyre parave i investojmë në trajnim dhe në manovra”. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen ka përdorur javët e fundit tone gjithnjë e më të ashpra ndaj Rusisë. Ai e sheh kështu rolin e ardhshëm të NATO-s: “Ne nuk jemi naivë, as u dorëzohemi iluzioneve. Na duhet të përballemi me faktin që Rusia na vështron si kundërshtarë. Me këtë do të përshtatemi.”
Natoja do të udhëtojë me bagazh të lehtë – për të goditur fort
28 shefat e shteteve dhe të qeverive të NATO-s do të vendosin në Newport që t’i forcojnë forcat e reagimit dhe që ndoshta të ndërtojnë pesë depo armësh dhe materialesh, të avancuara në shtetet baltike dhe në Poloni. Njëkohësisht do të krijohet një trupë pararojë, një “majë heshte” e këtyre trupave të reagimit, e cila do të jetë vazhdimisht në gjendje alarmi, bëri të ditur sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen në Bruksel para takimit të nivelit të lartë. “Kjo trupë mund të udhëtojë me bagazh të lehtë, por megjithatë do të jetë e aftë për të goditur fort”, po të jetë nevoja”, tha Rasmussen. “Maja e heshtës” do të përmbajë vetëm disa qindra ushtarë dhe do të jetë në gjendje të angazhohet për dy-tre ditë. Kjo trupë e ndërhyrjes së shpejtë e NATO-s do të përbëhej me rotacion prej njërit prej shteteve anëtare të NATO-s. Në bazë të kësaj, në forcat e reagimit të NATO-s do të përfshiheshin disa mijëra ushtarë.
“Ne besojmë se një trupë reagimi në gjendje të lartë alarmi ka një efekt të madh frikësues”, tha sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen duke përdorur fjalë të luftës së ftohtë. “Problemi deri tani ishte koha e reagimit”, thotë ish-gjenerali i NATO-s, Harald Kujat. Kjo kohë do të reduktohet tani në mënyrë vendimtare, për të ndërtuar një kundërpeshë ndaj trupave ruse, të cilat mund të kërcënojnë shtetet lindore të NATO-s. “Natyrisht që duhet mbajtur parasysh edhe që në këto vende duhet të transferohen pastaj trupa të tjera. Por edhe Rusisë i duhet njëfarë kohe, për të qenë e gatshme për sulm. Kur ke një sistem efektiv paralajmërimi, atëherë këtë mund ta kompensosh pa dyshim”, tha gjenerali në pension Kujat në bisedë me DW.
Përmbajtje Marrëveshjes NATO-Rusi
Shtetet baltike dhe Polonia patën kërkuar që të stacionojnë në mënyrë të përhershme trupa të NATO-s në territoret e tyre. Presidenti i Estonisë, Thomas Hendrik Ilves paralajmëroi të martën për rrezikun e një “NATOje-të dy kategorive”, nëse edhe shtetet lindore nuk do të kenë baza të përhershme të NATO-s. Por NATO-ja do t’i përmbahet Marrëveshjes midis Rusisë dhe aleancës, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen. Në këtë deklaratë, NATO-ja pati deklaruar në vitin 1997 njëanshëm se nuk do të stacionojë në mënyrë të përhershme njësi të mëdha në ish-shtetet anëtare të Traktatit të Varshavës. Por Rasmussen nga ana tjetër vëren që Rusia po e shkel këtë marrëveshje. “Kemi vënë re për fat të keq, që Rusia po i shkel në mënyrë flagrante të gjitha parimet bazë të Marrëveshjes NATO-Rusi. Ne i kërkojmë me urgjencë Rusisë që ta ndryshojë këtë.”
Në takim është i ftuar edhe presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko. Ai nuk duhet të presë tepër shumë, paralajmërojnë diplomatët e NATO-s. Ukraina nuk është shtet i NATO-s dhe nuk do të bëhet së shpejti, megjithë përbetimet teorike, që dera është e hapur. “Një anëtarësim i Ukrainës nuk është temë”, pati thënë që në mars Presidenti Obama në vizitën e tij në Bruksel, pas aneksimit të Krimesë nga Rusia. Edhe dërgimin e armëve ushtrisë ukrainase, shtetet e NATO-s i refuzojnë në shumicën e tyre. “Ne ndihmojmë për trajnimin dhe reformimin e ushtrisë, por ne mbrojmë vetëm shtetet anëtare”, tha një diplomat i nivelit të lartë të NATO-s në Bruksel.
Në fund të takimit të nivelit të lartë do të bëhet fjalë pa dyshim për para. SHBA ka disa vite që ankohen se shtetet evropiane, me pak përjashtime, nuk shpenzojnë mjaft para për mbrojtjen e tyre. Përkundrazi: shpenzimet pakësohen, ushtritë evropiane janë çarmatosur në mënyrë radikale dhe janë modifikuar. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Rasmussen tha:”Në Wales unë pres shprehje detyrimi se shpenzimet e mbrojtjes do të rriten, meqenëse gjendja ekonomike po përmirësohet.”