NATO: Mbështetje për Tiranën për mbrojtjen ndaj sulmeve kibernetike
Një ekip i NATO-s, i kryesuar nga James Apathurai, qëndroi në Tiranë për të mbështetur Shqipërinë në nivel politik dhe teknik pas sulmeve kibernetike. Zëvendësndihmësi i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për sfidat e reja të sigurisë, James Apathurai, deklaroi në një konferencë të përbashkët shtypi me ministrin shqiptar të Mbrojtjes, Niko Peleshinë, në Tiranë se “NATO-ja do ta mbështesë Shqipërinë për plotësimin e nevojave afatgjata që i duhen për të ndërtuar një rrjet mbrojtës ndaj sulmeve kibernetike” .
James Apathurai theksoi në konferencën e përbashkët për shtyp se “arsyeja kryesore e pranisë sonë në Tiranë është për të parë situatën dhe për të bërë një koordinim të aleatëve dhe zyrave qendrore të NATO-s lidhur me sulmet kibernetike dhe për të parë nevojat afatgjata që i nevojiten Shqipërisë për të ndërtuar një rrjet mbrojtjeje ndaj këtyre sulmeve.
Peleshi: Shqipëria e pambrojtur nga sulmet kibernetike
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, tha se “sulmet kibernetike kundër Shqipërisë nuk ia arritën dot qëllimit por ato treguan se infrastruktura dhe teknologjitë e informacionit në Shqipëri nuk janë të mbrojtura.”
”Këto sulme tregojnë se Shqipëria nuk mund të jetë e mbrojtur në mënyrë të vazhdueshme, por duhet që të gjithë të jemi vigjilentë dhe të aftë për të mbrojtur infrastrukturën dhe teknologjitë e informacionit . Duhen më shumë investime për luftën kibernetike pasi ajo është një luftë e re që ka marrë tjetër intensitet pas agresionit rus në Ukrainë, ka prishur ekuilibrat gjeopolitikë dhe ka ndryshuar skemën e sigurisë,” tha ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, në konferencën e përbashkët për shtyp.
Ai garantoi që sistemet e sigurisë dhe të mbrojtjes në Ministrinë e Mbrojtjes janë të paprekura nga dy sulmet kibernetike në fillim të këtoj muaji, pasi “ato janë të shkëputura nga rrjeti i përgjithshëm i komunikimit”.
“Këto sulme u drejtuan kundër sistemeve dhe infrastrukturës së teknologjive të informacionit të shtetit shqiptar dhe kishin për qëllim shkatërrimin e plotë të sistemeve dhe të platformave të shërbimeve shtetërore, por nuk arritën qëllimin e fshirjes dhe shkatërrimit të tyre.” tha Peleshi.
Peleshi vlerësoi edhe qëndrimin e vendeve aleate të NATO-s që dënuan ashpër sulmet kibernetike nga Irani dhe mbështetën Shqipërinë me deklarata dhe ofrimin e asistencës së specializuar në fushën kibernetike.
Shqipëria i ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin në fillim të këtij muaji, (07.09.) pas “provave të pakundërshtueshme” që vërtetojnë, që pas sulmeve massive kibernetike ndaj institucioneve shqiptare, që synuan të paralizojnë institucionet shtetërore të Shqipërisë, fshihet Irani.”
Tri ditë pas ndërprerjes së menjëhershme të marrëdhënieve diplomatike dhe 24 orë pas sanksioneve të SHBA ndaj Ministrisë Iraniane të Zbulimit dhe të Sigurisë dhe titullarit të kësaj ministrie, ministrit Esmail Khatibi, Irani kreu një sulm tjetër kibernetik ndaj sistemit TIMS në Shqipëri.