Bota

Ndalimi i laptopëve, SHBA i druhet një sulmi terrorist nga ISIS

Ndalimi i pajisjeve të mëdha elektronike në bordet e avionëve me destinacion Shtetet e Bashkuara, që u pasua më pas edhe nga Britania e Madhe, ka ardhur për shkak të sugjerimeve të shërbimeve sekrete që i druhen një kërcënimi terrorist.

Amerika dhe Britania njoftuan një ditë më parë kufizime të reja për udhëtarët që kërkojnë të kenë me vete laptopë gjatë disa fluturimeve të caktuara për pasagjerë.

Sipas burimeve amerikane për “ABC News”, Shteti Islamik po punon për të siguruar mënyra të reja për trafikimin e eksplozivëve përmes avionëve, duke i fshehur ato nëpër pajisje elektronike. Informacionet janë gjykuar nga Shtetet e Bashkuara si “të arsyetuara” dhe “të besueshme”.

Fluturimet drejt Amerikës nga 9 kompani ajrore që operojnë në 10 aeroporte nga 8 vende kryesisht të Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut janë bërë subjekt i kufizimeve të Departamentit amerikan të Sigurisë së Brendshme. Ndërkohë, telefonët dhe pajisjet mjekësore nuk preken nga ky ndalim.

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson është duke zhvilluar një takim dyditor me ministrat dhe zyrtarë të lartë nga 68 vende të botës, për të diskutuar pikërisht mbi kërcënimin e ISIS. Bisedimet në Uashington do të jenë të parat e zhvilluara mes koalicionit anti-ISIS që prej dhjetorit të vitit 2014.

Eric Swalwell, anëtari demokrat i Komitetit të Inteligjencës në Dhomën e Përfaqësuesve, tha për “ABC News” se ekziston një kërcënim i ri për aviacionin.

“E dimë se kundërshtarët tanë, grupet terroriste në SHBA dhe jashtë Shteteve të Bashkuara, synojnë të rrëzojnë avionët me destinacion vendin tonë. Kjo është edhe një nga objektivat e tyre më kryesore e me shumë vlerë. Ndaj dhe ne po bëjmë gjithçka mundemi aktualisht për të parandaluar që një gjë e tillë të ndodhë”, tha ai.

Edhe republikani Peter King i të njëjtit komitet tha për “New York Times” se ishte paralajmëruar për këtë ndalim. “Gjithçka bazohet në raportimet më të fundit të shërbimeve sekrete. Raportim në lidhje me ndonjë gjë që me shumë mundësi është planifikuar realisht”.

Kjo nënkupton se ndoshta shërbimet sekrete amerikane kanë përgjuar ndonjë bisedë mbi një komplot të mundshëm ekstremist, ose kanë marrë informacion nga ndonjë informator.

Nëntë linjat ajrore të prekura nga ky vendim i SHBA-ve janë “Royal Jordanian”, “Egyp Air”, “Turkish Airlines”, “Saudi Arabian Airlines”, “Kuwait Airways”, “Royal Air Maroc”, “Qatar Airways”, “Emirates Airways” dhe “Etihad Airways”.

Ndërkohë, vendimi britanik i ardhur vetëm pak orë më vonë nga ai amerikan është i ngjashëm, por prek linja të ndryshme, përfshi këtu “British Airways” dhe “Easy Jet”. Vendimi prek gjithashtu fluturimet e pasagjerëve në Britani nga Turqia, Libani, Jordania, Egjipti, Tunizia dhe Arabia Saudite.

Aeroportet e prekura nga vendimi amerikan janë:

– “Mohammed V International”, Kazablanca, Marok
– “Ataturk Airport”, Stamboll, Turqi
– “Cairo International Airport”, Egjipt
– “Queen Alia International”, Aman, Jordani
– “King Abdulaziz International”, Jeddah, Arabi Saudite
– “King Khalid International”, Rijad, Arabi Saudite
– “Kuwait International Airport”
– “Hamad International”, Doha, Katar
– “Abu Dhabi International”, Emiratet e Bashkuara Arabe
– “Dubai International”, Emiratet e Bashkuara Arabe.

Kompanitë ajrore të përfshira në vendimin e Shteteve të Bashkuara kanë afat orës 8 të mëngjesit të së shtunës për të zbatuar këtë kufizim, ndërsa afati përfundimtar se deri kur do të qëndrojë në fuqi ai, ende nuk dihet.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button