Kronika

Ndryshon strategjia e kultivuesve të kanabisit. Parcela të vogla, në toka pa pronar

Harta e goditjes së kanabis sativës ka përfshirë gjatë vitit 2015 plot 11 rrethe të vendit. Për Policinë e Shtetit, aksioni konsiderohet i suksesshëm, duke regjistruar të paktën 325 mijë rrënjë të asgjësuara.

“Kjo është një punë e vështirë dhe ne e quajmë të suksesshëm deri tani operacionin. Kjo sepse ka të bëjë me terrene të thyera, me parcela që gjenden në zona të pabanuara dhe në zona të vështira për të shkuar deri atje. Por në përgjithësi treguesit kanë qenë shumë pozitivë. Ne kemi asgjësuar një numër të konsiderueshëm bimësh narkotike. Janë gati 1606 parcela, të cilat përkthehen në 496 vepra penale, për shkak se ato grupohen”, është shprehur Altin Qato, zv.drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Për numrin dy të Policisë së Shtetit ka një evidentim më të madh të autorëve të mbjelljes së kanabisit.

“Vitin e kaluar ne kemi dokumentuar rreth 291 raste, kurse sivjet deri në momentin që flasim janë 496 raste. Në vitin 2014 kemi arrestuar 57 autorë, kurse sivjet jemi në një shifër prej 183 autorësh. Por, sivjet kemi treguar më shumë kujdes në dokumentimin e plotë, sepse sa më shumë prova të kemi, atëherë edhe Prokuroria, edhe gjykatat do ta kenë më të lehtë”, është shprehur zv.drejtori i Policisë.

Tokat pa pronarë mbeten problemi kyç në këtë luftë. Ato rezultojnë të jenë edhe toka të riaktivizuara në mbjellje, edhe nga viti i kaluar. Për Altin Qaton, këto zona do të jenë në vëzhgimin e rreptë të Policisë.

“Pjesërisht ka zona që janë të riaktivizuara, kryesisht janë ato zona që janë pa pronarë, apo që është e pamundur të identifikohet pronari. Parcela që janë në zona të thella malore, si dhe toka pa pronar që është e vështirë të identifikohet autori. Ndërsa në zonat e identifikueshme me pronarë është thuajse e pamundur që të riaktivizohen”, u shpreh më tej Qato.

Kreu i operacionit antikanabis thotë se, territori shqiptar është i monitoruar i gjithë. 24 misione fluturimi të përbashkëta me forcat italiane identifikuan më shumë se 1 mijë parcela droge.

“Ky bashkëpunim ka qenë edhe më parë, por tani është intensifikuar dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Është edhe dëshira e tyre, duke parë që rezultatet tona të punës në drejtim të goditjes së çdo rasti të identifikuar nga monitorimet nga ajri, por duke parë edhe seriozitetin për çdo kërkesë të tyre për bashkëpunim”, tha Qato.

Trafikantët ndërruan mënyrë gjatë këtij viti. Ata krijuan parcela të vogla 100 rrënjëshe, me idenë për t’u fshehur nga mbulimi i policisë.

“Veçoria tjetër e këtij viti është se, kultivuesi, duke parë forcën goditëse të policisë, nuk i kultivonin më në parcela të mëdha, por zgjodhën të vogla dhe të shpërndara. Kjo e vështirëson punën e policisë, por rrit edhe numrin e parcelave. Kur bëjmë një krahasim me vitin e kaluar duket sikur ka më shumë parcela, por duke i parë në numër bimësh është konstatuar thuajse e njëjta sasi”, deklaroi zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Bashkëpunimi i Policisë shqiptare me homologët italianë konsiderohet më i miri nga vendet e BE-së.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button