Në janar-gusht, rriten 8.2% të hyrat buxhetore
Ministria e Financave publikoi sot raportin për performancën e të ardhurave dhe shpenzimeve buxhetore për periudhën janar – gusht të këtij viti, ku theksohet se të hyrat (të ardhurat) e përgjithshme buxhetore janë rritur për 8.2%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas Ministrisë së Financave, raporti për përformancën e të ardhurave dhe shpenzimeve buxhetore përmban një analizë të shkurtër mbi trendët kryesore në të hyrat dhe shpenzimet buxhetore përgjatë periudhës janar-gusht të këtij viti. Qëllimi i këtij raporti, sipas kësaj ministrie është të ofroj informata rreth performancës së të hyrave, përkatësisht ekzekutimit të shpenzimeve në raport me planin buxhetor vjetor si dhe krahasimin me periudhat paraprake.
“Të hyrat nga taksat kufitare përgjatë kësaj periudhe kanë regjistruar 593.7 milionë euro apo 7.9% më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Përveç rritjes në vlerë dhe sasi të importit, kësaj rritjeje i ka kontribuuar edhe rritja e normës së akcizës në disa produkte dhe rritja e importit të tyre. Vlen të ceket importi i naftës, si produkti i cili më së shumti ka pësuar rënie në çmim (prej rreth -1 5% në mesatare përgjatë pjesës së parë të vitit 2015, sipas ASK-së) është karakterizuar me rritje në sasi prej 15.9% dhe rritje në vlerë doganore prej 10.1% përgjatë periudhës janar – gusht 2015. Rritje të theksuar në sasi dhe rrjedhimisht në të hyra ka shënuar edhe importi i veturave; më konkretisht, veturat e reja kanë regjistruar rritje prej 173 copë përderisa ato të vjetrat janë rritur për 1,650 copë, rritje që mund t’i ketë kontribuuar vendimi për uljen e normave të akcizës për veturat e vjetra deri në një numër të caktuar vitesh”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Financave.
Të hyrat e arkëtuara në vend për këtë periudhë, sipas Ministrisë së Financave, regjistruan rritje prej 9.2% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2014, duke arritur vlerën prej 219.6 milionë euro.
“Edhe përkundër faktit që kthimi i borxheve ndaj ATK-së është ngadalësuar, sjellje kjo që mund të jetë ndikuar nga prit jet për fillimin e implementimit të ligjit për faljen e borxheve, ritmi i rritjes së të hyrave vendore ishte i kënaqshëm. Tek të hyrat vetjake të komunave, gjatë muajit gusht rënia ka arritur në 15% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Rrjedhimisht, të hyrat totale vetjake të nivelit lokal kanë arritur vlerën prej 34.1 milionë euro apo 46% të planit vjetor për këtë kategori. Të hyrat e tjera jo-tatimore në përgjithësi kanë shfaqur realizim të kënaqshëm në raport me parashikimin për këtë periudhë”, thuhet në komunikatë.
Ndërsa, shpenzimet buxhetore kanë regjistruar një rritje prej 4.7% duke arritur 903.7 milionë euro përgjatë periudhës janar-gusht, pra vazhdon të vërehet efekti i plotë i rritjes së pagave, pensioneve, e transfereve tjera të financuara nga shteti në muajin prill të vitit 2014. Në ngadalësimin e rritjes së shpenzimeve ka ndikuar ekzekutimi i ulët i shpenzimeve kapitale dhe kursimet në kategorinë e shpenzimeve në mallra dhe shërbime. Krahasuar me planin vjetor sipas buxhetit të rishikuar, shpenzimet totale u ekzekutuan me normë prej rreth 54%.