Në Odensa, aty ku 5-vjeçarët shkojnë në shkollë më biçikletë
Qyteti danez me 200 mijë banorë ka këmbëngulur fort që të inkurajojë pedalimin dhe të ndërtojë një rrjet rrugor që e bën tepër të lehtë të ngasësh një biçikletë. Nga 1 mijë kilometra rrugë në total, 545 prej tyre janë të ndara vetëm për të pedaluar
Kur fëmijët nisin klasën e parë në Odensa të Danimarkës, gjasat janë të mëdha që ata të udhëtojnë drejt shkollës vetë me biçikletë, dhe jo të dërgohen me makinë nga prindërit e tyre. Madje ka disa shkolla ku automjetet nuk janë fare të mirëpritura. Për drejtuesit e këtyre institucioneve edukuese është e pasigurt për qindra fëmijë të cilët zgjedhin të ecin apo të pedalojnë për të ardhur aty. Policia do të gjobisë të gjithë ata prindër të cilët kanë guximin që të parkojnë përpara shkollës.
Në qytetin në të cilin banojnë rreth 200 mijë persona, katër nga pesë fëmijë pedalojnë, ecin apo shkojnë në shkollë me skejtbord. Në SHBA, e njëjta gjë ishte më se e zakonshme deri në vitin 1969, ku gati gjysma e të gjithë nxënësve të fillores dhe gjimnazit në shkollë shkonin duke ecur, apo me biçikletë. Por deri në vitin 2009, ky numër është tkurrur me 13%. Edhe pse, shumë fëmijë amerikanë prapë po zgjedhin që të lëvizin me dyrrotakë, sërish shumica e fëmijëve amerikanëve preferojnë që prindërit t’i çojnë me makinë në shkolla.
Edhe në Danimarkë, shtet i cili konsiderohet si ideal për të lëvizur me biçikleta, përqindja e atyre fëmijëve që zgjedhin të lëvizin me makinat e prindërve po rritet. Shifrat thonë se në 30 vitet e fundit, kjo tendencë është shtuar 200% më shumë. Përgjatë lëvizjes ditore më shumë se 1/3-a e fëmijëve nuk bëjnë asnjë lloj stërvitjeje.
Por Odensa ka këmbëngulur fort që të inkurajojë pedalimin dhe të ndërtojë një rrjet rrugor që e bën tepër të lehtë të ngasësh një dyrrotak.
“Ne kemi 545 kilometra të rrugëve të ndara vetëm për të pedaluar, dhe për të bërë një krahasim, ne kemi 1 mijë kilometra rrugë”, tha Connie Juel Clausen, planifikuese e qytetit për trafikun. “Pra, kjo do të thotë se ne kemi mjaft rrugë, vetëm për të pedaluar në Odensa”.
Madje edhe rrugët të cilat nuk kanë hapësira të ndara për çiklistët janë mjaft të sigurta për fëmijët që të lëvizin aty. Dhe kjo sepse numri i atyre që përdorin biçikleta është i madh, duke bërë që shoferët të jenë mjaft të kujdesshëm. Kur dikush me dyrrotak i afrohet një kryqëzimi të madh, ata zakonisht ose e kalojnë atë duke u futur në një tunel, ose përdorin një urë që i jep mundësinë të pedalojnë sipër.
“Ne nuk e konsiderojmë një kryqëzim me një semafor si të sigurt për fëmijët”, vazhdoi Clausen.
Vajza e punonjëses bashkiake nisi që të përdorte biçikletën për të ikur në shkollë vetë, kur ajo ishte 6 vjeçe, diçka që nuk konsiderohet e pazakontë në këtë qytet danez. “Sigurisht, kjo varet nga fakti se sa të vegjël janë fëmijët dhe gjithashtu se sa të zgjuar janë ata”, shtoi ajo. “Ka të bëjë me situatën. Por në shumë shkolla ne kemi një rrjet rrugësh për të pedaluar që është aq i sigurt, sa fëmijët të shkojnë vetë në shkollë pa pasur asnjë problem”.
Kur fëmijët në Danimarkë nisin kopshtin, ata mësojnë se si të ngasin biçikletën në parqet e lojërave. Bashkia gjithashtu menaxhon një program të quajtur “Shkolla e lumtur e pedalimit”, ku ka bashkëpunim me institucionet edukuese fillore, për t’u mësuar ngadalë fëmijëve se si të jenë të zotë të lëvizin me biçikleta edhe në trafik.
“Sigurisht që disa prej prindërve janë të shqetësuar. Ideja në projektin ‘Shkolla e lumtur e pedalimit’, qëllimi, është që t’u tregohet prindërve se sa i zoti është fëmija i tyre. Nëse ai ose ajo arrin që të ngasë biçikletën nëpër qytet përgjatë orëve të këtij trajnimi, ndoshta ai ose ajo mund të ikë vetë në shkollë me dyrrotakë”, shpjegoi Clausen.
Bashkia gjithashtu inkurajon vogëlushët që të pedalojnë sa më shumë nëpërmjet programit “Regjistrimi i pedalimit”, ku përdoret një kontrollues elektronik në pika të veçanta, për t’u dhënë fëmijëve bileta lotarie sa herë ata kalojnë aty. Me këto bileta çiklistët e vegjël mund të fitojnë çmime si aksesorë biçikletash ose bluza.
Programi përdoret nga dhjetë shkolla të qytetit dhe deri tani ka funksionuar. Që prej vitit 2014 kur nisi, lëvizjet me biçikleta janë rritur me 28% dhe 7% e fëmijëve, të cilët shkonin në shkollë me makinat e prindërve, tani përdorin dyrrotakët.
Në klasën e katërt apo të pestë, kur nxënësin bëjnë ekskursione, ata pedalojnë për të shkuar në vendet jashtë qytetit, duke braktisur autobusin e shkollës.
Por edhe shumë të rritur të qytetit e pëlqejnë biçikletën. Për njerëzit që jetojnë në Odensa, shkuarja në punë, mbarimi i porosive të ndryshme, ose dalja për shëtitje bëhet duke përdorur dyrrotakun.
Qëllimi i zyrtarëve lokalë të Odensës është që të rrisin edhe më shumë përdorimin e këtij mjeti. Duke qenë se në qytet rrjeti i rrugëve për biçikleta është shumë i mirë, tani ata janë të përqendruar që ta bëjnë pedalimin si lëvizjen më të leverdishme, duke shtuar vende të posaçme parkimi për këto mjete.
Odensa gjithashtu po përpiqet që ta ngrejë edhe më shumë numrin e nxënësve që përdorin biçikletat, edhe pse përqindja e fëmijëve që pedalojnë në këtë qytet është më e larta në Danimarkë.
Tani së fundmi ata thonë se 90% e fëmijëve të qytetit mund të ecin, pedalojnë apo përdorim skejtbordin a patina për të ikur në shkolla.